Alfabeti i Djallit – Aberglaube (alban.)

image_pdfimage_print

 

Dr. Kurt E. Koch

 

Alfabeti i Djallit

 

Supersticioni nga pikëvështrimi i këshillimit pastoral

 

I. Baza e gjykimit tonë mbi zakonet dhe praktikat supersticioze okulte.

II. Alfabeti i Djallit


1. Anthroposofia
2. Astrologjia
3. Ateizmi
4. Diagnoza e syrit
5. Ditë e data të shënuara
6. E ecura mbi zjarr
7. Falli i dorës
8. Falli me letra
9. Fanatizmi
10. Fantazmat
11. Fetiçizmet
12. Hajmalitë
13. Heqja e lytheve
14. Herezia
15. Hipnoza
16. Joga
17. Klervuajanca
18. Letërsi okulte
19. Letrat mbrojtëse
20. Lëvizja e gjuhëve
21. Magjepsja
22. Magjia
23. Magjia e vdekjes
24. Magjia e zezë dhe e bardhë
25. Masonët e rinj
26. Mesmerizmi
27. Metodat magjike të të shëruarit
28. Neo-Racionalizmi
29. Parashikimi i fatit
30. Parashikimi me hënën
31. Përkushtimi me nënshkrim gjaku
32. Psikoanaliza
33. Psikografia
34. Psikometria
35. Screening
36. Simbolizmi numerik
37. Spiritizmi
38. Sugjestionimi mendor
39. Supersticioni
40. Shenjat profetizuese
41. Shkenca kristiane
42. Shkopi dhe penduli
43. Telepatia
44. Teologjia moderne
45. Terapia e ngjyrave
46. Transferenca
47. Umbanda dhe Makumba

III. Çlirimi nëpërmjet Krishtit

1. Vështrim i shkurtër mbi pasojat e supersticionit
2. Si ta luftojmë supersticionin?
3. Shëmbuj çlirimi

IV. Ç’ thotë Dhjata e Re

 

 

I. Baza e gjykimit tonë mbi zakonet dhe praktikat supersticioze okulte.

Supersticioni ka molepsur shpirtin e njeriut në çdo kohë dhe e ka burimin tek frika dhe dëshira për pushtet. „Me supersticion kuptojmë varësinë e disa forcave dhe fenomeneve të pakuptueshme, që nuk drejtohen nga ligjet e zakonshme të natyrës, nga psiqika, ose ndryshe, besimin se disa ngjarje janë rastësisht të lidhura me gjëra të cilat, në aparencë, duket sikur nuk kanë fare të bëjnë me to.“ Ky është përcaktimi që Dr. Schrank-u i bën thelbit të supersticionit. Supersticioni dhe besimi janë në kontrast të thellë me njëri-tjetrin, ndonëse përshkrimi që mund t’i bëhet njërit apo tjetrit është në varësi të ideologjisë dhe ideve fetare që ka personi i cili po shpreh një gjykim mbi to. Fjala vjen, Budisti ose Muslimani e reduktojnë besimin kristian në një supersticion dhe herezi. Duhet pra të sqarojmë mirë që në fillim se mbi cilën bazë po e bëjmë këtë analizë.

Gjithçka që di kisha kristiane mbi supersticionin, ia thotë dhe ia sqaron asaj Krishti. Për ne Jezu Krishti është ai që ndan frymët. Ai është shkëmbi i patundur mbi të cilin thyhen të gjitha valët e ndryshueshme të opinioneve ideologjike. Gjithçka motivon Krishti është besim, gjithçka që kundërshton Krishti është supersticion. Ky është kriteri i gjërë mbi të cilin jemi në gjendje të gjykojmë idetë supersticioze. Linjat tona drejtuese nuk janë marrë vetëm nga parimet e shkencës fizike, po nga Fjala e Perëndisë.

Ky pohim sjell me vete një linjë të rëndësishme demarkacioni. Gjithkush lexon literaturë shkencore kundër supersticionit, do të kuptojë menjëherë se, pikëvështrimi i saj është shumë i ndryshëm nga qëndrimi i besimit kristian. Shkenca njeh vetëm ligje dhe koncepte thjesht njerëzore. Ajo i përshtatet botës materiale. Kjo edhe justifikohet, sepse ajo pretendon të ketë të bëjë vetëm me atë që është e kuptueshme dhe racionale. E mbinatyrshmja, transcendentalja, demoniakja dhe hyjnorja nuk hyjnë në sferën e kërkimeve të saj. Shkenca shpreson të kuptojë vetëm ato gjëra që mund të përfshihen brenda kufijve të saj të ngushtë racionalë. Për këtë arsye, shpesh herë ajo e ka sjellë djallin në një plan llogjik për ta shpjeguar dhe, për pasojë, e ka bërë të papërfillshëm. Prandaj nuk mund të mbështetemi tek shkenca për të kuptuar me të vërtetë se ç`është supersticioni. Prej këtej rrjedh se edhe mjetet mbrojtëse të shkencëtarit janë të pamjaftueshme. Kjo tregohet edhe në librin Hexen unter uns? të Johann Kruse-it. Nga pikëpamja e materialit që përmban, ky është një nga librat më informative mbi supersticionin sot. Po autori mbështet opinionin se nuk ka fenomene të pastra që lidhen me supersticionin. Ai nuk arrin të kuptojë bekgraundin e vërtetë të supersticionit, se ndryshe nuk do t’i quante të padëmshme praktika të tilla si hipnotizimi.

Nga ana tjetër, shkenca nuk është kaq e interesuar të shpjegojë thellësisht supersticionin, sesa të kërkojë shpjegime në psikologjinë e nivelit të thellë. Fjala vjen, Dr. Schrank mendon se një vegim që i shfaqet dikujt është një projektim i subkoshiencës së tij. Ai gjithashtu është i mendimit se një grup i zakonshëm personash mund të kenë sëbashku një vizion, ose një vegim, me të dëgjuar, ose të parë, në rast se vuajnë prej të ashtuquajturit halucinacion kolektiv. Mundet ky të jetë shpjegimi në shumë raste. Mësimet e Jänsch-it mbi imazhet e transferuara (eidetike), apo teoria e arkeotipeve e Jungut, flasin për mundësinë e një interpretimi të tillë. Megjithatë, nga ana tjetër, besimi kristian pranon fakte dhe dimensione që kapërcejnë kufijtë e një mendjeje vetëm shkencore.

Supersticioni nuk është vetëm shenja e budallallëkut, naivitetit, mungesës së dijeve, po tregon gjithashtu një prirje ndaj forcave që janë kundërshtare të Perëndisë. Raca njerëzore tërhiqet nga dy fuqi të mëdha dhe është shumë e dobët për të qëndruar neutrale. Është mirë të kujtojmë fjalën që thotë: „T’i mbyllësh derën besimit, do të thotë t’i hapësh derën supersticionit.“ Ta themi ndryshe, po të hedhim poshtë Perëndinë, Satanai nuk do të na ndahet. Apostulli Pavël e thotë edhe më qartë tek Efesianët 6:12: „Se lufta jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, po kundër parësive, kundër pushteteve, kundër sundimtarëve të errësirës së kësaj bote, kundër frymëve të liga në viset qiellore.“ Si besimtarë, ne pranojmë realitetin e këtyre forcave. Nga ana tjetër, nuk duhet të kalojmë edhe në ekstremin tjetër dhe t’i vëmë gjithë gjërave që nuk kuptojmë etiketën „demoniak“. Edhe si besimtarë mund të përfitojmë nga gjetjet e shkencës, sepse kjo përputhet me atë që Perëndia i porositi që në fillim njeriut që të nënshtronte tokën (Gjeneza 1:28).
Nga ana tjetër, shkenca nuk ka të drejtë të thotë fjalën e fundit në këtë çështje dhe është fodullëk nga ana e shkencëtarëve kur kanë këtë pretendim.
Edhe pse ka dy fuqi kundërshtare në këtë botë, nuk do të thotë se njerëzit tërhiqen pa shpresë sa andej, sa këtej midis këtyre të dyjave. Jo, ajo që ka thënë Arkimedi se donte të kishte një pikë referimi të pavarur në tokë, dhe kjo do të thotë përtej influencës së shkencës, është bërë realitet. Kryqi i Krishtit qëndron në botë duke dëshmuar se ai i ka dhënë fund gjithë fuqive të errësirës. Kënga triumfatore e psalmistit është plotësuar: „Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi“ (Ps.118:15 e më poshtë). Vdekja dhe ferri kanë humbur fuqinë. Duke pasur shpinën të sigurtë me këtë fitore, një person është në gjendje të shprehet qartë e me besim lidhur me forcat demoniake, duke ditur se Krishti ka marrë edhe fortesat e fundit të fuqisë së tyre. E dimë se sa të tmerrshme janë këto forca të Satanait, po e dimë gjithashtu se me Krishtin nuk na ndodh asnjë e keqe. Ne na është dhënë fjala e Zotit: „Shiko, të kam dhënë autoritet mbi gjithë fuqinë e armikut dhe asgjë nuk do të të dëmtojë.“ Kështu pra me sytë tek Jezui mund t’i afrohemi alfabetit të Djallit. Ndrojtja e Zotit e mposht frikën nga Satanai.

 

II. Alfabeti i Djallit

 

1. Anthroposofia

Anthroposofia, e themeluar nga Rudolf Steiner, ka si synim të eksplorojë natyrën njerëzore. Ajo përfshin ushtrime të përqëndrimit për të zotëruar mendimin dhe vullnetin e për të zgjuar forcat latente okulte tek njeriu. Me një proces klervuajance synohet të arrihet vizioni i një bote transcendentale dhe i ekzistencës së mëparshme të njeriut. Rruga biblike e shpëtimit nëpërmjet besimit tek Shpëtimtari zëvëndësohet me vizione mistike. Një nga doktrinat kryesore të anthroposofisë është besimi tek riinkarnacioni. Mendohet se njeriu vjen në botë çdo 800 vjet. Ja dy shëmbuj për të ilustruar këtë.

I/1. (Shembull) Një profesor suedes bëri këtë eksperiment duke përdorur hipnozën. Ai e pyeti personin që ishte objekt i eksperimentit, lidhur me gjëra që kishin të bënin me fëmijërinë dhe fillimet e jetës së vet dhe pastaj filloi ta pyesë lidhur me ngjarje përpara lindjes së saj. Gruaja e hipnotizuar u përgjigj saktë, siç u konfirmua edhe nga disa dokumenta zyrtarë të kohës. Njerëzit që besojnë tek riinkarnacioni do të thoshin se kjo është një provë që mbështet besimin e tyre.

I/2. Duke vajtur nga Mynihu në Karlsruhe, ndalova në autostradë për të marrë në burrë që bënte autostop. Kur hypi në makinë, filluam të bisedojmë dhe e pyeta për punën që bënte. Më tha se ishte prift anthroposofist. E pyeta për idetë qëndrore të besimit të tij dhe më tha se, në qëndër, ishte riinkarnacioni. Vazhdoi të më tregojë se sipas besimit të tyre, njeriu vjen në botë çdo 800 vjet. Shpesh, tha ai, mund të gjesh se çfarë ka qënë një person më parë duke gjykuar prirjet e tij, preferencat dhe tendencat e së tashmes. I thashë se do të kisha shumë dëshirë të dija se çfarë kisha qënë 800 vjet më parë. Atëhere ai më pyeti se çfarë paragjykimesh kisha. Për ta ngatërruar, i thashë se priftërinjtë më ngrinin nervat. Menjëherë erdhi përgjigjja se përpara 800 vjetësh kisha qënë profesor teologjie. Akoma sot nuk e kuptoj llogjikën e këtij konkluzioni.
E kam të qartë se nuk mund ta analizosh anthroposofinë me disa fjali. Për ata që duan të hyjnë më thellë në këtë temë, do të rekomandoja librin e Hutten-it Seher, Grübler, Enthusiasten (vëzhgues, mendimtarë dhe enthusiastë). Tani për tani na mjafton vetëm një skicim në vija të përgjithshme. Teoria e Steiner-it është një kombinim i çuditshëm i mendimit indian, gnostik, okult, teosofik, idealist, kristian, që ndonëse tërheqës, është shumë i rrezikshëm dhe i gabuar.
Pas botimit të parë të këtij libri, takova një ish shok të Rudolf Steiner-it i cili më tha: „Kam disa letra qarkore të Steiner-it në të cilat jep instruksione se, si të praktikohet ngritja e tavolinës. Si u konfrontova me këto praktika spiritiste, e lashë lëvizjen.“ Një eksperiencë e kësaj natyre duhet t’u hapë sytë atyre që merren me anthroposofi.

2. Astrologjia

Në librin Psychologie des Aberglaubens (Psikologjia e magjisë), Dr. Schrank shkruan: „Kur një nga astrologët më të mëdhenj si Werle, e përshkruan astrologjinë si artin e parashikimit të fatit, ai me ndërgjegje, largohet nga bazamenti solid i shkencës për të rënë në moçalin e supersticionit. Se, sa e rrezikshme është ajo, na e tregojnë shqetësimet psiqike, frika e jetës, dëshpërimi, që lindin prej saj tek njerëz sensibël. Astrologjia paralizon iniciativën dhe fuqitë e arsyetimit. Ajo të trash trurin dhe të motivon të jesh i cekët. Fut brenda personalitetit një lëvizje subversive që ushqehet me vulgaritete.“ Nëse ky është mendimi i një mjeku e shkencëtari, nuk është nevoja  të shtoj edhe unë të tjera. Do të desha vetëm të tregoja dy shembuj me të cilët jam ndeshur së fundi në punën time.

I/3. Pasi kisha mbajtur dy leksione në Strasburg, m’u afrua një prift francez i cili më tregoi këtë histori. Një student psikologjie në Sorbonë donte të shkruante një temë doktorate mbi psikologjinë e supersticionit. Botoi një lajmërim në gazetë duke e paraqitur veten si astrolog. Premtoi t’i dërgonte një horskop kujtdo që do të donte të kishte një të tillë, për një çmim prej 30 shilingash. Djalit të ri i erdhën disa kërkesa dhe kështu qe në gjendje të financonte edhe studimet e tij në Universitet. Ai bënte një horoskop për të githë klientët të bazuar në parimin që çdo fjali, të ishte e tillë që të mund të interpretohej në sa më shumë mënyra të ndryshme. Mbi të gjitha, horoskopi duhej të bënte edhe aluzione për tipare pozitive të karakterit, ashtu siç dëshiron të dëgjojë gjithkush për vete të tij. Kështu të gjithë ata që kishin kërkuar, merrnin të njëjtin horoskop. Pas kësaj, studentin e mbytën letra falenderimi e vlerësimi. Shkruajti pastaj edhe temën e doktoratës. Eksperimenti i tij kishte pasur sukses të plotë.

I/4. Një djalë i ri foli me një astrolog, i cili i bëri një horoskop të detajuar që thoshte ndër të tjera se do të martohej shumë i ri, po gruaja e parë nuk do të ishte ajo që qe caktuar për të, po një grua e dytë do t’i sillte lumturinë e vërtetë. Ndodhi vërtet që djali i ri u martua pas ca kohe. Ditën e dasmës ai iu kthye të vëllait të madh e i tha: „Kjo grua me të cilën po martohem sot, nuk është e vërteta. Gruaja e dytë do të më bëjë të lumtur, po duhet një herë të martohem me këtë, që pastaj të gjej tjetrën.“ Mendoni pak se me çfarë mendimesh në kokë po martohej ky i ri. Doli që gruaja e parë ishte shumë e mirë dhe u fitoi zemrën vjehrrit dhe vjehrrës. Në tre vitet e para të martesës, lindi tre fëmijë, po si lindi fëmija i tretë, i shoqi e la. Pastaj mori divorcin për fajin e tij vetë, siç u përcaktua nga gjyqi. Pastaj gjeti një grua të dytë, e cila sipas horoskopit, duhej ta bënte të lumtur. Kjo lumturi zgjati vetëm disa muaj. E shoqja u bë anëtare fanatike e Dëshmitarëve të Jahovait. Ai e kundërshtonte sjelljen fanatike të gruas, derisa u detyrua ta lërë dhe të ndahet prej saj. Kishte rënë viktimë e një parashikimi astrologjik, i cili e kishte sugjestionuar.
Ja se ç’ka thënë Shoqëria Astronomike lidhur me astrologjinë më 1949: „Shoqëria astronomike shfrytëzon rastin e kësaj konference në Bon për të paralajmëruar qartë njerëzit për të këqijat e përhapura nga astrologjia. Besimi se pozicioni i yjeve në një moment të caktuar  të lindjes së një fëmije influencon jetën e tij në mënyrë të tillë që, më vonë, ai mund të këshillohet me yjet mbi çështje private, ose publike të jetës së tij, e ka origjinën në idenë e lashtë astronomike se kjo botë, sëbashku me racën njerëzore, është në qëndër të kozmosit. Po ky koncept është zhdukur me kohë. Ajo që fshihet sot pas astrologjisë, ose kozmo- biologjisë, nuk është tjetër përveçse një përzierje supersticioni, fallsiteti e biznesi.
Është e vërtetë se ka rrethe astrologjie që janë distancuar nga analizat e karakterit dhe parashikimet standarte të publikuara, që mbulojnë të gjitha sferat e jetës njerëzore. Nga ana tjetër, ata kanë ndërtuar astrologjitë e tyre shkencore, të cilat duhet patjetër të pranohen seriozisht. Megjithatë, nuk mund të dëshmohet se këto astrologji të reja kanë ndonjë lidhje me shkencën dhe mënyrat shkencore. Disa plotësime të rastësishme parashikimesh astrologjike nuk mund ta ndryshojnë thelbin e çështjes. Astrologjia përbëhet nga një kombinim rregullash të rastit. Një sistem i tillë nuk mund të pretendojë të japë interpretime shkencore dhe parashikime në sferën publike ose private.
Oservatoreve dhe astronomëve po u kërkohet vazhdimisht nga individë dhe agjenci zyrtare të japin opinionin e tyre mbi astrologjinë. Ky opinion nuk mund të jetë i ndryshëm nga ai që ka dhënë këtu zyrtarisht Shoqëria Astronomike.“

3. Ateizmi

Atezmi është një tjetër fortesë e supersticionit. Shumë ateistë nuk janë konseguentë. Ata e kanë hedhur tutje besimin tek Perëndia, po nga ana tjetër bëhen skllevër të supersticionit. Jeta e Volterit, një nga cinikët më të mëdhenj të njerëzimit, është provë për këtë. Në përgjithësi, jeta dhe familiet e militantëve ateistë nuk paraqesin tabllonë e një jete të lumtur.

I/5. Një burrë i ri erdhi tek unë për t’u këshilluar. Më tregoi se në familjen e tij kishte pasur shumë aksidente dhe anormalitete psiqike. E pyeta nëse kishin pasur ndonjë histori me forca okulte në familje, po m’u përgjigj se jo. Megjithatë, dolën në dritë këto fakte: Gjyshi i tij kishte qënë grosist në afërsi të Hamburgut. Ishte shumë cinik dhe blasfemonte pa pushim. Nuk linte rast pa sharë kristianët, qoftë duke shkruar nëpër gazeta, ose duke argumentuar kundër tyre. Pasuria mendore e lënë nga gjyshi kishte pasur pasoja të tmerrshme tek pasardhësit.

I/6. Një ateist shkroi një libër duke vjellur vrer kundër besimit kristian. Asnjë nga pasardhësit e tij nuk është normal. Fëmijët i lindën sakatë nga këmbët, ose u bënë sakatë më vonë në jetë nga sëmundje të ndryshme. Disa fëmijë të tjerë janë mëndërisht të vonuar dhe po të njëjtat pasoja kanë vuajtur edhe nipërit. Përveç kësaj janë të gjithë me nerva, vuajnë nga depresione dhe janë ateistë të tërbuar.
Këtë histori ma tregoi një mbesë e tij që jeton në Zvicër. Mosbesimi dhe supersticioni çon në atë që personi i dorëzohet fuqive që kundërshtojnë Perëndinë dhe këto fuqi e përdorin jetën e personit në fjalë si një bazë për të shfaqur vetveten.

4. Diagnoza e syrit

Sot bëhet një luftë e madhe mbi temën e diagnozës së syrit. Diagnostikuesit e syrit pretendojnë se mund ta gjejnë nga se vuan pesoni, vetëm duke parë në irisin e syrit të tij. Ata e ndajnë irisin e djathtë në sektorë dhe irisin e majtë në rrathë, duke pretenduar se çdo organ i trupit lokalizohet në një zonë të syrit, prandaj çdo lloj sëmundjeje mund të hetohet  nëpërmjet ndryshimeve që ka shkaktuar sëmundja në fibrat e irisit. Duhet thënë se ka rreth 10 sisteme të ndryshme diagnostikimi. Duhet thënë gjithashtu se, ka disa lloj sëmundjesh, që kanë një efekt të dukshëm mbi irisin e syrit, si fjala vjen disa forma reumatizmale. Gjithashtu gjendja e përgjithshme e syrit jep informacion të rëndësishëm gjatë diagnostikimit të një sëmundjeje. Megjithatë, pavarësisht nga këto, specialistët nuk e pranojnë idenë e diagnostikimit me anë të syrit. Ja se si u përgjigj një ofthalmiolog, kur e pyetën mbi këtë çështje: „Po i përgjigjem pyetjes suaj mbi diagnozën e syrit për hir të shkencës mjekësore. Duhet të them së pari se ajo nuk ka asgjë të përbashkët me shkencat ekzakte. Kemi të bëjmë me një konglomerat shprehjesh pseudo shkencore dhe teori pak a shumë supersticioze, për të mos u shprehur më ashpër. Fjala vjen, disa diagnostikues të syrit pretendojnë se, duke parë në syrin e një personi, mund të gjejnë nëse gjyshi i tij vdiq nga një ishemi cerebrale, ose nëse pacienti vetë do të bëjë vetëvrasje. Disa venë deri atje sa të parashikojnë nëse vetëvrasja do të jetë me gjak, ose pa gjak. Duke u nisur nga fakti i bazuar nga ana anatomike se, çdo organ i trupit është i paisur me nerva, edhe me të ashtuquajturat „nerva jete“, diagnostikuesi i syrit pretendon se, çdo aftësi e mendjes dhe karakteristikë e individit është e vendosur në zona të irisit me anë fibrash korresponduese dhe se, një njollë e irisit, është e mjaftueshme për të provuar se pacienti është frikacak, apo është ziliqar, grykës e të tjera si këto
Diagnoza e syrit i ka burimet tek astrologjia e filloi të përdoret së pari në Kinë. Një seri e tërë provash janë bërë për të kuptuar natyrën e saj dhe ka rezultuar se ajo është krejt e pabazuar. Shkenca mjekësore e ofthalmiatrisë pranon se shumë sëmundje të zakonshme mund të diagnostikohen me anë të syrit, po ama dihet se, në këtë rast, vetë sëmundja ka pasoja mbi syrin. Nga gjendja e syrit nuk mund të konkludohet nëse personi është, ose jo i shëndoshë, po brenda disa kufijve, gjendja e përgjithshme e syrit ndihmon diagnostikimin. Është e vërtetë se, duke parë nervin optik, mund të shikohet një pjesë e materies së trurit dhe se, enët e gjakut në sy, janë mjaft të dukshme dhe lejojnë të shihet qarkullimi i gjakut. Po kjo nuk është njësoj si të kesh gjithë organet e trupit të përfaqësuar në irisin e syrit.“ Nënshkruar: Prof.Dr.Velhagen
Megjithatë opinioni i ekspertit nuk e zgjidh problemin e diagnozës së syrit. Problemet me të cilat konfrontohemi në punën këshilluese, nuk mund të zgjidhen me argumente të thjeshta mjekësore. Problemi që del gjatë bisedës me një person që kërkon këshillim, nuk është nëse diagnoza e syrit ofron, ose jo, ndihmë mjekësore, po nëse dëmton, ose jo, besimin e vërtetë kristian. Atyre që më shtrojnë këtë pyetje, mund t’iu përgjigjem në bazë të vëzhgimeve të mia gjatë një kohe të gjatë. Nga sa di unë, disa diagnoza të syrit nuk janë të dëmshme për besimin.
Megjithatë, ekzistojnë forma okulte të diagnozës së syrit, me të cilat jam ndeshur në punën time dhe njerëzit duhet të ruhen prej tyre. Një shëmbull i mirë ilustrues është ai që takova në Alzasë, Francë.

I/7. Gjatë një takimi në Gebweiler, Alzasë, erdhi tek unë një grua dhe me tha se e bija pritej të vdiste brenda disa ditëve. Unë u çudita dhe e pyeta se, si e dinte me kaq siguri. Ajo më shjegoi se, një diagnostikues i syrit nga Strasburgu, i kishte profetizuar se e bija e saj do të vdiste si të lindte fëmijën e pestë. Tani e bija priste të lindte fëmijën e saj të pestë për disa ditë, prandaj po afrohej edhe fundi. I thashë gruas se jeta jonë është në duart e Zotit dhe se diagnostikuesi ishte një profet i rremë që provokonte zëmëratën e Perëndisë. Ç’ndodhi? Gjatë kohës që kryhej misionimi në atë vend, gruaja lindi fëmijën e pestë dhe megjithatë, gëzonte shëndet të mirë. Gruaja erdhi përsëri e më tha: „Keni për të parë..do të krijohen komplikacione.“ U nxeha me të dhe i thashë: „Do të ketë komplikacione vetëm nëse nuk hiqni dorë nga këto ide supersticioze.“ Si perfundoi historia? Nëna, vdekja e së cilës ishte profetizuar, jeton edhe sot. Megjithatë, ndonëse profecia tërë vrer e diagnostikuesit nuk u realizua, shkaktoi shumë shqetësim dhe ankth të papërshkruar. Nuk ishte diagnostikim, po fall.
Shumë shëronjës dhe praktikantë okultë e përdorin diagnozën e syrit në formë mediumistike dhe jo mjekësore. Kjo do të thotë se, për ta, irisi është mjet për një kontakt medium. Në këtë mënyrë, syri i njeriut shërben si një mjet psikometrik, ashtu si vijat e dorës i shërbejnë një fallxhori si material kontakti, ose si stimulatorë të intuicionit. Në këtë rast, diagnoza e syrit është një lloj hedhje falli. Shpesh këta diagnostikues kanë shumë sukses. Vërtet, disa nga ata, me pak, ose pothuaj fare pa njohuri mjekësore, mund të diagnostikojnë sëmundje me një saktësi 100%. Këtu arrijmë tek një problem, që ndonëse mohohet nga racionalistët, ekziston edhe sot. Bota e shkencëtarëve në të cilën jetojmë, është e integruar dhe e mbingarkuar nga një botë medium, e cila drejtohet nga ligje krejt të ndryshme. Mëndja njerëzore nuk arrin të shikojë lidhjen midis këtyre dy sferave të natyrës, po dishepujt e secilës sferë janë në luftë të vazhdueshme me njëri- tjetrin. Sfera mediumistike e natyrës është introduktuar nga shumë njerëz e rryma. Kur panteistët thonë se natyra ka një shpirt, këtu ka një grimcë të vërtetë, po kur ky shpirt barazohet me Perëndinë, atëhere natyra bëhet idhull dhe kjo është një formë e apostasisë dhe blasfemisë. Kur profesor Osty, Hans Driesch dhe Eduard von Hartmann flasin për një shpirt të botës, kemi përsëri një thërmijë të vërtete, po sikurse thamë, nëse qëllimi është ta barazojmë atë me Perëndinë, kalojmë në idhujtari.
Cila është natyra e kësaj sfere mediumistike të natyrës? Dhjata e Re thote se bota është hapësirë e sundimit të Satanait. Nga vetë natyra jonë, ne gjendemi nën autoritetin e errësirës. Personi që vjen tek Krishti për shpëtim, çlirohet prej sundimit të kësaj bote të errët. Kushdo që refuzon ta pranojë Krishtin si Zot të tij, mbetet nën fuqinë e Satanait. Kushdo që me vullnetin e tij i dorëzohet „princit të kësaj bote“, ose kushdo që trashëgon një mallkim të tillë nga paraardhësit e tij, në një mënyrë, a në një tjetër, do të shfaqë në jetën e tij pasojat e fuqive të errësirës.
Forcat medium nuk e kanë burimin nga Perëndia, edhe nëse paraqiten si të padëmshme, ose me një petk fetar, apo shkencor. Këtë e provojnë me mijëra raste nga praktikat okulte. Po jap tre raste që lidhen me diagnoza okulte të syrit.
8. Një baba vajti bashkë me të birin tek një mjek. Mjeku përdori diagnozën e syrit për të përcaktuar natyrën e sëmundjes. Po shkoi edhe më larg se kaq dhe profetizoi të ardhmen e djalit. Pas kësaj, sëmundja u zhduk. Po jeta fetare e djalit ndryshoi shumë. Ai konstatoi se ishte shumë i shqetësuar, kurdoherë që përgatitej të vente në kishë dhe veçanërisht, gjatë predikimit. Nuk lutej dot më, as këndonte dot hymnet e kishës, derisa e humbi fare besimin. Ndershmëria dhe sinqeriteti që e karakterizonin më parë lidhur me çështje të besimit u zhdukën. Filloi të jepet pas epshesh të ndryshme. Filloi të pijë pa masë alkohol e duhan. Filloi të ketë atake depresioni dhe e mundonin mendime vetëvrasjeje. Arriti deri atje sa të shkatërrohet fare nga nervat. U shërua nga shqetësimet organike, po u ngarkua me komplikacione psiqike.

I/9. Një nënë mori djalin e saj 11-vjeçar dhe vajti tek një mjek që praktikonte diagnozën e syrit. Më vonë djali mori një zhvillim shumë të keq. U bë onanist, cinik me një temperament shpërthyes dhe vazhdimisht zihej. Detyrat e shkollës po ashtu kishin mangësi, lidhja e tij me nënën u keqësua, ndonëse më parë ata kishin pasur një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin.

I/10. Një grua vajti bashkë me të bijën 16-vjeçare te një magjistar dhe diagnostikues i syrit në Appenzell, Zvicer. Vajzës iu bë një terapi magjike mbi bazën e një diagnoze të syrit. Sëmundja u zhduk, po pas kësaj, karakteri i vajzës ndryshoi shumë. Kishte fobira, perversitete seksuale dhe filloi të ketë depresione. Po e njëjta gjë i ndodhi edhe së motrës, si u kurua edhe ajo nga po ai magjistar. Fëmijët e tjerë të familjes që nuk janë kuruar nga ndonjë magjistar, nuk shfaqin shenja të tilla.
Përvojën time në këtë fushë do ta përmblidhja në dy konstatime:
– Diagnostikuesit e syrit që nuk janë medium, nuk shkaktojnë tek pacientët ë tyre pasoja okulte, po, nga ana tjetër, vlera mjekësore e trajtimit është pothuaj minimale.
– Diagnostikuesit e syrit që janë medium, i ngarkojnë pacientët e tyre nga pikëpamja okulte. Terapitë e tyre janë më të suksesshme.

 

5. Ditë e data të shënuara

Çështja tjetër që do të shikojmë në listën tonë të supersticioneve është kuptimi i veçantë i disa ditëve dhe datave të shënuara. Është vërtet shumë poshtëruese për njeriun, të cilin Zoti e vuri të sundojë mbi tokën, që i është nënshtruar botës si një skllav. Ja disa shembuj:

I/11. Në luginën Weser në Gjermani, 1 Prilli konsiderohet ditë jo e mbarë, prandaj askush nuk fillon një punë të re në këtë datë.

I/12. Në pastor më tregonte për një zakon që kanë njerëzit në rrethin ku ai shërben. Në vigjilje të Krishtlindjes, kur fillojnë të bien këmbanat, fshatarët lidhin kashtë rreth drurëve frutorë, duke përmendur emrin e Triadhës sëbashku me një formulë magjike. Personit që iu bie këmbanave, madje i japin edhe rryshfet, që t’u bjerë këmbanave sa më gjatë, që fshatarët të kenë kohë të lidhin sa më shumë drurë. Në këtë kohë i gjen gjithë familjet fshatare në oborr duke lidhur drurët. Pastori ka folur shpesh kundër kësaj praktike, po, megjithatë, askush nuk ia vë veshin.

I/13. Në Würzburg, Gjermani, kam dëgjuar se, njerëzit, për Vitin e Ri, lajnë portofolet e tyre në një nga çezmat e qytetit. Në këtë mënyrë, duan të arrijnë që të mos mbeten pa para në vitin që vjen.
Zakone të tilla i gjen kudo. Për shembull, ka njerëz që të premten e mirë vënë vezë në kotecin e pulave që të marrin më shumë zogj. Ka një zakon, sipas të cilit, një vajzë që do të martohet duhet të presë një degë peme në 4 Dhjetor dhe do të gjejë dhëndër përpara se të çelë pema. Ka pastaj të tjerë që, për Krishtlindje, tundin pemët, se kjo do t’u sjellë fat. Po të hash një kokërr mollë për Vit të Ri, ose ditën e Pendikostisë, nuk sëmuresh. Një tjetër zakon është që marrin ujë nga një burim një natë para Pashkës dhe spërkasin me të të sëmurët. 1 Prilli është ditë terse. 1 Maji është ditë e mbarë. Fëmija që ka lindur për ditë të djelë është me fat, po ashtu ata që kanë lindur në Maj. Kush ka lindur për ditë të Premte, ka tersllëk. Shumë praktika bujqësore mbështeten mbi zakone të tilla dhe, po në këtë mënyrë, shpesh bëhen edhe parashikimet popullore të motit. Fjala vjen, po të bjerë shi në ditën e një Shenjti të caktuar, do të ketë shi 40 ditë me radhë. Po të ketë mjegull në Prill, do të ketë përmbytje në Qershor, e shumë të tjera si këto. Apostulli Pavël, në Letrën Galatasve (4:10-11) thotë: „Dhe vini re ditët dhe muajt, dhe kohët, dhe vitet. Jua kam frikën se mos u lodha kot për ju.“

6. E ecura mbi zjarr

Fenomenin e ecjes mbi zjarr e kam ndeshur në shumë vende, po në çdo vend ky fenomen ka karakteristikat e tij.
Në Indi, personat që bëjnë këtë, kanë një periudhë përgatitjeje tre mujore me meditacion të gjatë. Pas kësaj përgatitjeje, janë në gjendje të ecin mbi zjarr pa shfaqur asnjë lloj kontraktim dhëmbjeje në fytyrën e tyre.
Në ishullin Bali, ata që ecin mbi zjarr, e bëjnë këtë të hipnotizuar nga priftërinjtë. U thuhet se po i ndjek një tigër dhe se e vetmja mënyrë shpëtimi është të kapërcejnë zjarrin. Kur dalin nga gjendja e hipnotizuar, këta persona shfaqin shënja frike dhe janë krejt të rraskapitur.
Në ishullin Fixhi, vetëm fisi Beng-ga ka privilegjin të ecë mbi zjarr. Gurë të bardhë i nxehin në zjarr dhe bëhen kaq të nxehtë, saqë askush nuk u vete dot afër, po i lëvizin me shufra të gjata.
Parapërgatitja e atyre që ecin mbi zjarr në këtë rast vazhdon vetëm një ditë. Kur janë gati, nuk janë as në gjendje të hipnotizuar, as në gjendje transi, po qeshin e bëjnë shaka kur ecin mbi gurët. Lëkura e tyre nuk ka asnjë shenjë, ndonëse kushdo tjetër që do të provonte të bënte të njëjtën gjë, do të digjej për vdekje.
Në Bangok, një mikut, profesor universiteti, iu lejua të ekzaminonte shojet e këmbëve të atyre që ecin mbi zjarr. Nuk gjeti asnjë shenje djegieje në to, bile as erë tymi.
Ç’mund të themi për këtë përvojë të përhapur të botës së lindjes? Ka ndonjë mënyrë për të shpjeguar këtë fenomen?

I/14. Në Japoni erdhi një herë tek unë një person që kish ecur mbi zjarr dhe më rrëfeu se i kishte mashtruar shikuesit. Zjarrin e ndiznin në një platformë të lartë dhe në qëndër të tij kishte pasur një rrugë të ngushtë. Në të dy anët e kësaj rruge, kishte thëngjij, po njerëzit rreth e rotull dhe ata që ishin poshtë platformës, nuk ishin në gjendje të shikonin rrugën në mes të zjarrit. E pyeta nëse këtë e bënin të gjithë ata që ecin mbi zjarr. Jo, më tha. Zakonisht ecin vërtet, po ndonjëherë bëjnë edhe trike të tilla që të tërheqin turistët.

I/15. Në Afrikën Jugore, një tjetër që kishte ecur mbi zjarr, rrëfeu praktikat e tij okulte. Ishte indian dhe punonte në një platformë sheqeri. Më tha se, me të vërtetë, mund të ecte mbi zjarr. Parapërgatitej për këtë me agjërim dhe meditim, nuk pinte alkohol dhe nuk kishte marrëdhënie seksuale, hante sipas një diete vegetariane. E pyeta nëse mendonte që kjo fuqi i vinte nga subkoshienca e vet. E pamundur, tha, duke shtuar se djalli u jep fuqi atyre që i shërbejnë. Më tha gjithashtu se, që kur kishte besuar tek Krishti, kishte humbur aftësinë për të ecur mbi zjarr.
E di se hipnoza dhe gjendjet e transit i mbrojnë ata që ecin mbi zjarr nga dhimbjet, po nuk mund të evitojnë djegiet. Një herë në Indi një grua eci mbi zjarr bashkë me fëmijën e saj bebe. Ajo nuk ishte përgatitur plotësisht për këtë proces. Fëmija i ra nga duart dhe vdiq brenda pak minutash. Përpara se të arrinin njerëzit të kapnin trupin e tij, ai ishte djegur e bërë shkrum.
Pas fenomenit të ecjes mbi zjarr, fshihen forca demoniake dhe besimtarët e vërtetë e ndjejnë këtë në ajër. Prandaj shtroj edhe pyetjen nëse besimtarët e vërtetë duhet të marrin pjesë në të tilla shfaqje demoiniake.
Po nuk kemi arrtur në krye të problemit. Për çfarë arësye Satanai u jep pasuesve të tij fuqi të tilla? Në princip Djalli është një imitues i Perëndisë. Ai përpiqet të imitojë të gjitha mrekullitë dhe fuqitë e Biblës. Perëndia i mbrojti të tre besimtarët në mes të zjarrit, siç thuhet në librin e Danielit, në kapitullin e tretë, dhe Satanai mburret se mund të bëjë edhe ai të njëjtën gjë. Po Satanai jep fuqinë e ferrit.
Le të kërkojmë Zotin, i cili ka premtuar: „Kur të ecësh mbi zjarr nuk do të digjesh dhe zjarri nuk do të të prekë“ (Isaia 43:2).
Fuqitë e Satanait na janë ndaluar. Prandaj është e tmerrshme kur shikojmë se besimtarë kristianë të fisit Beng-ga në ishujt Fixhi praktikojnë këtë parim të errësirës. Detyra jonë është t’i besojmë Zotit cilatdo qofshin rreziqet që na kërcënojnë, duke ditur se ai është në gjendje të na çlirojë në të gjitha problemet dhe vështirësitë e jetës.

7. Falli i dorës

Lidhur me temën e fallit të dorës, mund t’i drejtohemi kapitullit të fallit në librin tim Krishti apo Satanai. Që të mos përsëris ato që janë shkruar në atë libër, po mjaftohem këtu vetëm me një shembull për të treguar pasojat e fallit të dorës.

I/16. Një person merrej prej shumë vjetësh me fallin e dorës. Ai kishte edhe aftësi të shëronte njerëzit me forca manjetike. Erdhi një ditë që ky person donte të besonte, po zbuloi se kishte brenda vetes një forcë që ia kundërshtonte këtë dëshirë. Sa herë që binte në kontakt me gjëra që kishin të bënin me besimin kristian, kjo rezistencë e brendshme rritej në një konflikt të thellë.

 

8. Falli me letra

Përdorimi i letrave për të parashikuar fatin, është një praktikë shumë e përhapur. Ka disa forma të hedhjes së letrave. Një tip falli është ai thjesht për të mashtruar e marrë para. Ka pastaj një formë telepatike të parashikimit të fatit, pastaj forma medium që mbështetet në aftësi demoniake mbishqisore. Ja disa shembuj:

I/17. Një grua 49-vjeçare më tregoi historinë e familjes së saj. Vjehrra e saj dhe i shoqi ishin katolikë. E vjehrra ishte edhe fallxhore e njohur. I shoqi dhe fëmijët kishin shqetësime të ndryshme. Kishin depresione dhe kriza nervash. Vetë gruaja ishte e influencuar nga sjellja e të vjehrrës dhe e të shoqit. Kur donte të shkonte në kishë, i vinte për të vjellë dhe kishte dhimbje të forta koke. Përpara se t’i vdiste e vjehrra, iu desh t’i shërbente asaj për disa javë. Vdekja e saj ishte e tmerrshme. Në fjalimin e vdekjes, pranë varrit, prifti e përcaktoi atë si „shenjtore“, sipas atyre që i kishin treguar të afërmit e saj.

I/18. Gjatë një bisede këshilluese, një burrë i ri tregoi se ishte martuar me vajzën e një fallxhori. E vjehrra e tij kishte disa aftësi të çuditshme. Nëse në familje bëhej ndonjë sherr dhe ai nuk mbante anën e të vjehrrës, kjo e fundit, pas kësaj ia bënte jetën vrer. I kruhej tërë trupi dhe i dukej sikur e kishin goditur kudo. Nuk i gjendej karar. Iu desh shumë kohë që të gjente shkakun e këtyre shqetësimeve. E vjehrra gjithashtu parashikonte fatkeqësitë e ndryshme. Një herë ajo i tha: „Sonte natën, një ushtar do të bjerë nga dritarja dhe do të vritet.“ Në fillim ai nuk e besoi, po pas ca ditësh, gazeta fliste për një aksident të tillë që kishte ndodhur pak ditë më parë. Ajo gjithashtu parashikonte se ç’letër e rëndësishme kishte për të ardhur dhe se çfarë do të thuhej në të. Burri i ri kishte mbetur i shokuar nga kjo grua dhe bisedoi me një psikiatër. Në fund të vjehrrën e shtruan në një klinikë nervash me rekomandimin e një komisioni mjekësor. Po edhe pas kësaj, burri vazhdoi të vuajë nga kruarjet e goditjet dhe nuk i gjendej asnjë derman.

I/19. Një vajzë e re vajti tek një fallxhore letrash. Fallxhorja i tha se do të bënte një fëmijë të paligjshëm me dikë dhe ky person pastaj do ta braktiste. Pas një viti ajo lindi një fëmijë ilegal, babai i të cilit ishte student. Nga ai moment, ajo filloi të vuajë nga mendimi se ai do ta braktiste atë dhe fëmijën.

 

9. Fanatizmi

Ekstremizmi dhe fanatizmi janë nga problemet më të mëdha të kishës sot. Fanatikët kanë ekzistuar gjithmonë dhe brenda çdo lëvizjeje kristiane. Ata përbëjnë shkumën e papastërtive që nxjerrin në sipërfaqe lëvizjet e shëndosha. Fanatizmi ka shumë afërsi me okultizmin. Kjo duket së pari në pasojat. Në sektet ekstremiste, vendosja e duarve ka po ato pasoja si edhe magjepsja.
E dyta, ngjashmëri shihet në simptomat. Njerëzit më të infektuar nga fanatizmi kanë edhe jetë spirituale me orientim psiqik, ose tendenca medium. Ja tre shëmbuj që mbështesin këtë.

I/20. Një ish spiritiste erdhi disa herë tek unë në Karlsruhe për t’u këshilluar. Ajo ishte shkëputur nga gjithë praktikat e mëparshme spiritiste dhe donte të bëhej kristiane. Megjithatë, ajo duhej të luftonte akoma me aftësitë e saj të mëparshme medium. Një herë, në një bisedë, më tha: „I kam dëgjuar të tre shëruesit magjistarë Branham, Hicks dhe Zaiss në predikimet e tyre dhe mora menjëherë kontakt me ta, ndonëse me Branham-in ky kontakt ishte më i shpejtë.“ Pastaj vazhdoi: „Me ju nuk ndjej të vendos një kontakt të këtij lloji.“ „Falemnderit Zotit!“, i thashë.
Po të njëjtën gjë jetova edhe në Mynih. Pas një takimi ku kisha folur mbi rreziqet e okultizmit, erdhi një grua e më tha se, edhe ajo, kishte vendosur menjëherë një kontakt mediumistik me tre personat e përmendur.

I/21. Një prift që punonte në një zonë me shumë influenca magjike në Schleswig-Holstein, vuri re se, anëtarët e kishës së tij që merreshin me magji, kishin tendenca ekstremiste. Ky është një vëzhgim me vlerë dhe tregon se ekstremizmi ka lidhje të ngushta me okultizmin.

I/22. Një prift zviceran më tregoi këtë histori. Për shumë vite me radhë kishte pasur simptoma paralize në krahun dhe këmbën e djathtë. Edhe pas trajtimit mjekësor, nuk kishte pasur përmirësim. Pastaj kishte vajtur në një takim të Tommy Hicks dhe kishte marrë pjesë edhe në pjesën e takimit gjatë së cilës ishin bërë shërime. Meqë H. nuk mund të lutej me secilin, ai iu drejtua atyre që donin të shëroheshin, që të ngriheshin dhe të vendosnin duart mbi pjesën e sëmurë të trupit. Pastaj ai u lut për ta. Edhe prifti bëri ashtu siç tha H. dhe më pas, ndjeu një përmirësim në gjendjen e krahut dhe të dorës. Ndjeu një si të shpuar të lehtë dhe ndjesia e rëndë që kishte, i ishte larguar menjëherë, sikur t’i dilte nga maja e gishtave. Përmirësimi zgjati prej Majit të 1955-sës, deri në Dhjetor 1956. E pyeta priftin nëse kishte pasur edhe më parë ndonjë përvojë të tillë me magjira dhe ai më tha se po, se në një rast kishte zhdukur lythet nëpëmjet magjisë.
Dy shembujt e fundit na tregojnë lidhjen e ngushtë midis fanatizmit dhe okultizmit. T’i nënshtrohesh okultizmit, është e një niveli me një qëndrim fanatik të mëndjes. Ai që merret me okultizëm, ose vuan pasojat e aktivitetit okultist të paraardhësve të tij, është shumë i hapur ndaj fanatizmit. Prandaj edhe e pyeta priftin nëse kishte pasur më parë ndonjë lidhje me magjinë, se doja të shikoja nëse kishte aftësi medium, ose jo. Dyshimi im doli i drejtë. Si pasojë e aftësive medium, kishte ndjerë daljen e sëmundjes nga majat e gishtave në formën e një ndjesie si shpim i lehtë. Kjo është diçka tipike për shërime magjike. Sipas mendimit tim, lëvizjet ekstremiste dhe fanatike shpesh përfaqësojnë lëvizje okulte, dhe nuk jam i vetmi që kam këtë opinion. Johannes Seitz, të cilit Perëndia i dha shumë dhunti spirituale, e quajti lëvizjen ekstremiste të Pendikostianëve në fillim të shekullit, „elitën“ e ferrit. Branham-i vetë është konsideruar nga shumë misionarë kristianë në Amerikë si medium. Disa thonë se Branham-i nuk ishte pendikostian, po baptist. Kjo është e vërtetë vetëm në sipërfaqe, po ishin format ekstremiste të Pendikostianëve që i jepnin atij përkrahjen më të madhe. Përveç kësaj, edhe baptistët gjermanë nuk e njohin personin e tij.
Meqë do ta përdorim shumë herë fjalën „pendikostian“ në këtë pjesë, duhet të sqarojmë edhe si e kuptojmë këtë term. Jo të gjithë Pendikostianët janë fanatikë. Mund të gjesh besimtarë të pastër e të shëndoshë në kishat e Pendikostianëve. Në Amerikë dhe në Zelandën e Re kam gjetur besimtarë të mrekullueshëm në radhët e tyre. Duke marrë shkas nga lëvizja e Br.-së, disa drejtues të dëgjuar të kishave pendikostiane zviceriane e kanë për nder që kuptuan se fryma e kësaj lëvizjeje ishte e gabuar dhe si pasojë, nuk i kanë ofruar asaj asnjë përkrahje. Kjo është një provë e rëndë kundra Br.-së, nëse praktikat e tij janë të tepëruara edhe për Pendikostianët vetë.
Duke mbajtur gjithnjë parasysh se ka Pendikostianë të shëndoshë, tani do të radhis disa përvoja, me të cilat jam ndeshur në punën time këshilluese, që lidhen me ekstremizmin dhe fanatizmin.

I/23. Një grua shkoi në një nga takimet e Hicks-it duke qënë në siklet të madh. Qëndroi edhe pas predikimit, në seancën shëruese. H. u tha atyre që donin të shëroheshin, të ngriheshin në këmbë dhe të lidhnin duart me ata që kishin pranë duke formuar një zinxhir. Gruaja veproi ashtu siç iu tha. Pastaj një nga bashkëpunëtorët e H.-së vuri duart mbi kryet e saj. Pas kësaj, asaj i ra menjëherë të fikët dhe iu desh të rinte në krevat për tri javë. Që nga ajo kohë ajo vuan nga depresione dhe një ndjenjë e vazhdueshme shqetësimi. Ka humbur edhe sigurinë e shpëtimit që kishte si besimtare.

I/24. Një infermiere e shtëpisë së diakonesave „Betlehem“ pati rast të kontrollonte disa nga shërimet e H.-së dhe u shpreh se rezultatet e punës së tij ishin katastrofike.

I/25. Një herë H. vuri duart mbi kokën e një djali që kishte strabizëm. Prindërit e djalit erdhën tek unë më pas dhe më thanë se, që nga ajo kohë, djali nuk ishte më në gjendje të flinte. Rrinte shtrirë tërë natën me sy hapur. Prindërit e kishin lidhur këtë fenomen të çuditshëm me faktin që H. kishte vendosur duart mbi kryet e tij.

I/26. Një prift zvicerian vajti në një nga takimet e H.-së. H-ja iu drejtua atyre që donin të shëroheshin duke iu thënë: „Nëse besoni se Krishti mund t’ju prekë tani në këtë moment, vereni dorën atje ku doni të shëroheni. Nëpër trupin tuaj do të rrjedhë një rrymë shëruese.“ Edhe prifti bëri ashtu si tha H-ja. Pas tri javëve erdhi të këshillohet me mua. Që nga dita e takimit, ai ishte shumë i shqetësuar dhe për disa kohë kishte humbur edhe sigurinë e shpëtimit. Ishte bërë e qartë për të se, ajo që kishte ndodhur, nuk ishte në përputhje me Biblën. Vetë pasojat që kishin ndodhur tek ai, e kishin bërë të dyshonte në fuqitë shëruese të Hicks-së.

I/27. Një grua vajti në një nga takimet shëruese të B-së në Zyrih. B.-ja i tha: „Shikoj një dritë mbi ty. Po vjen një ëngjëll në drejtimin tënd. Do të shërohesh.“ Gjatë procesit shërues gruaja ishte lutur, po më pas, jo vetëm që nuk pati përmirësim, po gjendja u keqësua. Për javë me radhë torturohej nga dyshimet lidhur me besimin e saj. Së fundi, e dëshpëruar, erdhi tek unë për t’u këshilluar.

I/28. Një herë që B-ja ishte në Zyrih, vajti tek ai një që kish kaluar poliomilitin dhe nuk ishte në gjendje të ecte mirë. Ndërsa B.-ja po predikonte, ai po e ndiqte me vërejtje. Njëkohësisht filloi të ndjejë se e mpira në këmbë filloi t’i largohet. Pas takimit, mund ta ngrinte këmbën rreth 15 cm më lart. Ai e lidhi këtë përmirësim me mendimet sugjestive që kishin lindur tek ai gjatë takimit. Po pas tri javëve, përmirësimi u zhduk. Në një bisedë private, ky person më tha se, ai vetë, kishte praktikuar për një kohë të gjatë metodën autosugjestionuese të Coue-së. Predikimi i B.-së, tha ai, kishte pasur mbi të veprimin e një impulsi mendor që, siç e thamë më lart, e kishte humbur fuqinë pas tri javëve.

I/29. Në një mbledhje tjetër, B.-ja iu drejtua të pranishëmve: „Nëse besoni se jam profet i Perëndisë, thoni ‚po‘!“. Një prift, bashkë me disa të tjerë që ishin aty, thanë ‚po‘. Pas mbledhjes, duke vajtur për në shtëpi, i ra të fikët. Pastaj u sëmur nga një hemoragji. Në spital nuk i gjetën shkakun e sëmundjes. Pastaj ai filloi të ketë depresione dhe për javë me radhë nuk ishte në regull nga trutë. Këto shqetësime vazhduan muaj me radhë.

I/30. Një prift më tregonte këtë histori lidhur me një anëtare të kishës së tij. Një grua që kishte qënë për vite me radhë në kishën e tij, kishte vajtur tek një pastor pendikostian dhe ai kishte vënë duart mbi kryet e saj. Pas kësaj, ajo filloi të ketë vizione. Bënte parashikime se brenda një kohe të shkurtër do të vente në qiell. Si arriti dita e parashikuar, thirri të afërmit e saj që t’i ishin pranë dhe u bë gati. U la dhe veshi një fustan të gjatë për ngjitjen në qiell, pastaj u shtri në krevat me një shprehje shumë të kënaqur në fytyrë. I shoqi vajti thirri priftin dhe iu lut që t’i jepte fund kësaj marrëzie. Po kur erdhi prifti, gruaja iu tha atyre që ishin të pranishëm: „Zoti do të vijë e do të më marrë në mesnatë“. Po afrohej ora. Njerëzit e farefisit ishin shumë të tensionuar, pa ditur se çfarë do të ndodhte. Prifti kërkoi që të ndalonin gjitha orët e shtëpisë me tik-tak. Ai iu kërkoi të afërmve që të mos i thoshin gruas orën e saktë. Kur vajti ora 23.30, gruaja tha: „Duhet të ketë vajtur ora 23.“ Prifti iu përgjigj: „Ka vajtur 24.30.“ Kur dëgjoi këtë, gruaja ra në krevat shumë e diziluzionuar. Pas kësaj ngjarjeje, prifti foli me pastorin e kishës pendikostiane lidhur me gruan. Gjatë bisedës, pastori tha: „Nëse dikujt i vë dikush duart mbi kokë për të marrë pagëzimin e Frymës së Shenjtë, është e lehtë të hyjnë tek ky person edhe frymë të tjera.“ Me të vërtetë, gruaja e kish përjetuar venien e duarve si pagëzimin e Frymës së Shenjtë dhe pastaj kishte rënë pre e frymëve të tjera që kishin hyrë në jetën e saj.

I/31. Një grua e ftuan në një takim të kishës pendikostiane. Ajo dëgjoi dikë që fliste gjuhë të pakuptueshme dhe ajo mendoi se kishte të bënte me gjuhë të huaja. Gruan e tërhoqi kjo gjë dhe filloi të shkruajë me fonema ato që dëgjonte të thuheshin. Pas ca muajsh, foli me një misionar për këtë. Ai i tha se, kjo gjuhë, flitej në zonën ku punonte ai. Si ia përktheu ato që kishte mbajtur shënim, gruaja pa me habi se në masën më të madhe ishin blasfemira kundër Triadhës dhe shprehje imorale.

I/32. Një vajzë e re gjeti besimin tek Krishti. Duke qënë e re në besim, nuk dinte se në ç’kishë të shkonte dhe vajti në një kishë pendikostiane ekstremiste. Kur drejtuesit e kishës vunë duart mbi kryet e vajzës, ajo fitoi disa aftësi medium dhe filloi të komunikojë me botën e të vdekurve. Ajo lutej shumë kur ishte me ndërgjegje të plotë dhe u krijua një shkëputje e madhe midis jetës së saj të lutjes dhe aftësive të saj medium. Filloi të vuajë nga depresione dhe ta mundojë ideja e vetëvrasjes. Natën kishte frikë nga fantazmat. Edhe anëtarë të tjerë të kësaj kishe kishin përvoja të tilla. Më pas vajza u takua me besimtarë të vërtetë dhe kuptoi ndryshimin midis këtyre besimtarëve dhe kishës fanatike pendikostjane. U largua nga lëvizja ekstremiste dhe, pas një lufte të ashpër, gjeti çlirimin.

I/33. Një burrë, i cili prej shumë vitesh vuante nga migrena, lejoi një anëtar të kishës pendikostiane t’i vinte duart mbi krye për t’u shëruar. Migrena iu zhduk menjëherë, po pas kësaj, ai u bë i ndjeshëm ndaj hënës dhe disa lloj erërash. Nuk ishte më në gjendje të lutej dhe filloi të ketë depresione e të pijë. U bë gjithashtu indiferent ndaj fjalës së Perëndisë dhe nuk kishte më interes në asgjë.

I/34. Një evangjelist i një kishte ekstremiste pendikostiane drejtoi një punë misionare. Në fund të një prej takimeve, ai tha: „Nëse ndonjëri dëshiron të marrë pagëzimin e Frymës së Shenjtë, mund të qëndrojë pak pas takimit“. Disa gra dhe vajza qëndruan. Evangjelisti iu tha se ishin 50 ëngjëj të pranishëm që prisnin të shikonin pagëzimin e Frymës. Pastaj vuri duart mbi kryet e atyre që kishin qëndruar dhe u lut me to. Gruaja që më tregonte historinë kishte qënë e pranishme dhe më tregonte se, kur ai i kishte vënë duart mbi kokë, asaj i kishte rënë të fikët. Kur erdhi në vete, u gjend në një dhomë me dritare me hekura. Mori vesh nga infermierja se e kishin çuar në një klinikë psikiatrike para tre ditësh. Pas një ekzaminimi, e lanë të dilte. Që nga ajo kohë, tregonte gruaja, i dukej sikur e kishin pushtuar demonët. Natën shikonte fantazma dhe hije. Fqinjët dhe të tjerë që gjendeshin në ndërtesën ku banonte, filluan të dëgjojnë zëra burrash. Ajo më tregoi se nuk ishte në gjendje të lutej dhe se si prej saj dilnin zëra kafshësh e zëra burrash. Ajo krijoi bindjen se evangjelisti pendikostian ishte shërbëtor i Satanait dhe jo i Perëndisë. Ato që më tregoi gruaja, m’i konfirmoi edhe diçka tjetër. Evangjelisti i kishte vjedhur 400 stërlina dikujt që kishte hipnotizuar. Kishte prekur edhe gjoksin e grave e vajzave, madje edhe më poshtë në trupin e tyre, me preteksin se i gjithë trupi duhet të mbushet me Frymën e Perëndisë.

I/35. Një grua që drejtonte një kishë pendikostiane ekstremiste, iu tha anëtarëve të kishës së saj që ishin gra, se ardhja e Krishtit ishte shumë afër. Në një takim u zhveshën të tëra dhe po prisnin që ai t’i merrte. Po në vend që të vinte Krishti, erdhi policia dhe e arrestoi gruan, e cila edhe u burgos.

I/36. Një i ri me kancer në fshikëzën e urinës dëgjoi për një evangjelist pendikostian me aftësi shëruese. Edhe pse nuk kishte shumë shpresë, vajti tek ai. Evangjelisti u lut me të dhe vuri duart mbi kokën e tij. Sipas evangjelistit, pas kësaj djali ishte shëruar dhe nuk duhej të kishte as dyshimin më të vogël për këtë. Këdo që do të dyshonte në shërimin e tij, duhej ta konsideronte si shërbëtor të Satanait. Pacienti u kthye nga takimi dhe iu tregoi të gjithëve se ishte shëruar. Një prift që banonte diku afër tij vajti ta takojë dhe të bisedojë me të. Po djali i ri nuk pranonte asnjë këshillë spirituale. Prifti vente gjithnjë ta shikonte, se djali, ndonëse qe shëruar, nuk ngrihej dot nga krevati. Në vizitën e tij të dhjetë, prifti e mbërtheu fort djalin dhe i tha: „Ose je bërë mirë dhe atëhere urdhëro ngrihu dhe ec, ose prano se vazhdon të jesh i sëmurë.“ Atëhere djali pranoi se dhimbjet i ishin shtuar në mënyrë të tmerrshme dhe se nuk ishte as në gjendje të lëvizte. U mor vesh se pas atij „shërimi“ të çuditshëm, tek ai kishte ndodhur një mpirje e brendshme. Të nesërmen e asaj dite djali vdiq.

I/37. Një grua besimtare u bë anëtare e një kishe pendikostiane ekstremiste. Sipas tyre, konvertimi dhe rilindja e brendshme e njeriut nuk ishin të mjaftueshme. Duhet të përjetonte edhe pagëzimin e Frymës, pasi të vinin duart mbi kryet e saj. Pas disa hezitimesh, gruaja pranoi. Pas „pagëzimit të Frymës“, u gjend e drejtuar nga disa frymë. Këto frymë i jepnin urdhëra se, si duhej të jetonte. Fjala vjen, i thoshin se nuk duhej të hante mish derri, të hiqte dorë nga të drejtat bashkëshortore etj. Këto frymë e shqetësonin kaq shumë, sa gruas filloi t’i duket sikur nuk ishte në gjendje të mendonte vetë për veten e saj; prandaj vendosi të largohet nga kisha pendikostiane. Po nuk ishte kollaj ta zbatonte vendimin e saj në praktikë. Frymët u bënë shumë aktive. Nuk i jepnin qetësi as natën, as ditën dhe s’lanë gjë pa bërë që të mos e linin të largohej nga kisha. Gjatë kësaj periudhe, asaj i shfaqeshin edhe njerëz që kishin vdekur. Pas një procesi të gjatë lufte, u çlirua. Fenomenet e frymës u zhdukën përfundimisht.

I/38. Një mësues dhe gruaja e tij venin në një kishë ekstremiste pendikostiane. Kur anëtarët e kishës luteshin, bëhej një turbullirë shumë e madhe, se binin në një lloj ekstaze. Bërtitnin e ulërinin e rrotulloheshin mbi dysheme. Gjatë kohës që mësuesi dhe e shoqja venin në këtë kishë, gruaja ishte shtatzënë. Kur të tjerët binin në gjendje ekstaze gjatë mbledhjeve, gruaja, që priste një fëmijë, shtrihej mbi dysheme krejt e mpirë. Fëmija që lindi nuk ishte normal, ndërsa të pesë fëmijët e saj të tjerë ishin krejt të shëndetshëm. Gruaja kishte filluar të shkonte te kjo kishë përpara se të mbetej shtatëzënë me fëmijën e saj të gjashtë.
Ndonëse kemi përmendur shembuj që flasin për ekceset e këtyre grupeve ekstremiste fanatike, qëllimi ynë nuk përmban frymën e kritikës përbuzëse. Fjala e Shenjtë na thotë: „Hetoni frymët nëse janë prej Perëndisë.“ Jetojmë një epokë, në të cilën, ujqër të egër, kërcënojnë kishën e Krishtit dhe po i drejtojnë shumë njerëz në rrugë të gabuar, duke i mashtruar me pamjen e tyre „shumë spirituale“. Këtë e arrijnë me biseda, si dhe me botimin e shumë periodikëve dhe librave.
Duhet thënë se, shumë veta, shpesh gjejnë rrugën e besimit nëpërmjet shërbimit që kryejnë ata që përgjigjen për botimin e këtyre botimeve dhe periodikëve. Po kjo provon se, Perëndia, mund ta shpëtojë një person, edhe duke përdorur për këtë një lëvizje të gabuar. Hiri shpëtimtar i Perëndisë arrin edhe në skutat e ferrit. Një ndodhi e tillë mund të bëhet shprehje e madhësisë dhe fuqisë së pafund të hirit të Perëndisë. Gjithashtu, duhet thënë, nga përvoja e punës sime këshilluese, se njerëz që kanë besuar në këtë rrugë, kanë tendencë të kenë edhe një lidhje të çuditshme, ose një lloj varësie personale nga personat nëpërmjet të cilëve kanë besuar. Ata e kanë të vështirë të pranojnë mendime nga besimtarë të tjerë, ose të dëgjojnë ndonjë kritikë kundër lëvizjes ku bëjnë pjesë. Për fat të mirë, njoh njerëz që e kanë kuptuar këtë dhe më pas, janë tërhequr nga lëvizja, nëpërmjet së cilës erdhën në besim.
Kur shkruan mbi fanatizmin dhe ekstremizmin, nuk mund të përfundosh pa iu drejtuar edhe ti vetë personalisht me thirrje pendimi Perëndisë. Besimtarëve sot u mungon fuqia e Perëndisë dhe dhuntitë e tij. Lëvizjet ekstremiste janë shpesh një shenjë e përçarjes së kishës kristiane. Lëvizja më efektive kundër këtyre lëvizjeve, do të ishte një lëvizje pendimi në vetë radhët tona, e shoqëruar me një thirrje drejtuar Perëndisë që të na falë një përtëritje të re e të vërtetë. Kisha e Krishtit duhet të jetë edhe më vigjilente duke pritur ardhjen e Zotit që po afron, se Ai do t’i japë fund një herë e përgjithmonë përçarjes dhe konfuzionit në kishën e tij.

10. Fantazmat

Ashtu si edhe gjithë fenomenet e tjera medium, çështja e fantazmave debatohet shumë. Duhet dalluar midis fantazmave që lidhen me persona të caktuar, që janë subjektive më shumë se objektive dhe që janë shenjë e një sëmundjeje, ose e një mosfunksionimi, dhe fantazmave që lidhen me vende të caktuara, të cilat për vite, ndoshta edhe shekuj, janë parë nga shumë njerëz. Si gjithmonë, ndeshemi edhe me kokëfortësinë e racionalistëve, të cilët përpiqen t’i paraqisin këto gjëra si gjepura, ose thjeshtë fenomene që shpjegohen shkencërisht. Nga ana tjetër, kemi edhe okultistët që pranojnë gjithçka, sado absurde, pa kërkuar më thellë. Duhen parë të dy anët, për të arritur një gjykim më objektiv. Mund të permend një libër, Spuk (Fantazmat) i Fanny Moser me një parathënie të profesor Jung nga Zyrihu. Ky libër e shikon problemin e fantazmave nga pikëpamja shkencore. Vetë puna ime këshilluese më ka konfrontuar me këtë temë të çuditshme dhe kam gjetur gjithmonë se ajo ka të bëjë me praktika okultiste të së tashmes, ose të së kaluarës në atë shtëpi ku shfaqen  fantazmat. Kam pasur edhe  vetë rast të vizitoj shtëpi të tilla. Ja disa shembuj:

I/39. Një misionare shikonte natën në dhomën e saj një figurë të pështirë. Një natë, figura filloi ta ngacmojë. E inatosur, ajo ngriti pandoflen dhe i ra, po në atë moment, në fund të krevatit të saj u shfaq një ëngjëll me një fytyrë të keqe. Gruaja ngriu. Kjo na sjell në një pikë të rëndësishme. Në punën time këshilluese, kam ndeshur shumë eksperienca të tilla dhe mund të them se, njësia e matjes për të kuptuar nëse vizioni i ëngjëllit është nga Zoti, apo Satanai, është të shikosh nëse ajo që përjeton personi që ka vizionin, është një ndjenjë gëzimi, apo llahtare. Shumë vizione të kësaj natyre nuk kanë ndonjë rëndësi objektive. Shpesh janë halucinacione të shkaktuara nga sëmundje, ose halucinacione me bazë psikologjike dhe jo fenomene reale.

I/40. Një grua e moshuar erdhi të këshillohet. Ajo tregoi se, në shtëpi të saj, ndodhnin fenomene që kishin të bënin me fantazma. Natën, në dhomën e saj vraponin qenër, të cilët kërkonin ta lëpinin. Duar të padukshme i ngrinin krevatin dhe shikonte shpesh njerëz në dhomë. Kur fillonte të lutej, të gjitha këto zhdukeshin. Megjithatë, shqetësimet vazhdonin me vite, ndonëse ajo ishte në regull nga trutë. S’kishte pasur as depresione, as sëmundje të tjera nervore. Kur e pyetën nëse kishte pasur të bënte me okultizmin, tha se, kur kishte qënë vajzë e re, një herë, kur qe sëmurur nga difteria dhe një herë nga diçka tjetër, e kishin shëruar me magji të zezë.

I/41. Uli Ruppeiner-it nga Herisau i kërkuan të vente e të shikonte një grua që jetonte në Toggenburg, Zvicer. Ai vajti ta shikojë dhe mori vesh se, i shoqi i gruas, kishte varur veten në një nga dhomat e shtëpisë. Që pas varrimit të tij, në atë dhomë dëgjoheshin fishkëllima e të përplasura. Prifti i vëndit, me të cilin ishin këshilluar, kishte thënë se nuk ishin reale, po iu dukej banorëve të shtëpisë se kishin stres. Uli dëgjoi ato që i tha gruaja dhe pastaj vajti në dhomën për të cilën bëhej fjalë dhe u lut që Krishti t’u jepte fund këtyre sa ndodhnin atje. Zhurmat nuk u përsëritën më. Pavarësisht nëse fenomeni ishte real, ose ishte vetëm një shenjë që tregonte se gruaja ishte e sëmurë, një gjë është e sigurt, që fitorja e Krishtit këtu ishte e qartë.

I/42. Për vite me radhë shfaqej një fantazmë në një shtëpi. Kur shfaqej fantazma, bëhej edhe një zhurmë e madhe. Dukej sikur e godisnin derën me sëpata. Askush nga ata që jetonin aty, nuk duronte dot gjatë. Megjithatë, një prift, njëherë, guxoi t’a sfidojë fantazmën. Kur ai e urdhëronte atë në emrin e Krishtit, ajo zhdukej bashkë me zhurmat.

I/43. Në një konferencë pastorësh, një pastor luterian tregoi se, si rreth dy shtëpive të zonës ku ishte kisha e tij, për tri ditë me radhë, ishin ngritur gurë në një mënyrë krejt të pashpjegueshme. Gurët hynin në shtëpi nga dritaret, po në vend që të thyenin xhamin, bënin vrima sikur të kishin qënë predha. Madje gurët kishin qënë edhe të nxehta dhe ditën e tretë kishin shkaktuar edhe një zjarr. Pronari i njërës nga shtëpitë lajmëroi policinë, po hetimet nuk nxorën gjë në dritë. Personi i padukshëm që hidhte gurët mbeti i pazbuluar.

I/44. Natën, në shtëpi dëgjoheshin të goditura sikur binte dera. Familja që jetonte në të, u përpoq pa sukses të gjente shkakun dhe pastaj lajmëroi policinë. Policia bëri roje rreth shtëpisë dhe verifikuan atë që kishin treguar edhe njerëzit e familjes. Pata rastin të shikoj vetë raportin e policisë. Po as familja vetë, as policia nuk u përpoqën të shikonin nëse kishte ndonjë lidhje fenomeni me forcat okulte; në atë shtëpi jetonte edhe një person, i cili ishte shëruar dikur me magji.

I/45. Pronarët e dy apartamenteve hodhën njëri-tjetrin në gjyq. Çdo natë dëgjoheshin në ndërtesë të goditura të forta dhe banori i apartamentit sipër akuzonte për këtë atë të apartamentit poshtë dhe anasjelltas. Ata të apartamentit poshtë, i kërkuan një gruaje besimtare t’i ndihmonte dhe të flinte një natë tek ata. Sa herë që flinte në atë shtëpi, gruaja i lutej Zotit që ta mbronte dhe në çdo rast nuk dëgjoheshin zhurmë. Një shëmbull krejt të ngjashëm me këtë e kam dëgjuar edhe në Zvicër. Përsëri dy pronarë apartamentesh kishin akuzuar njëri-tjetrin dhe policia kishte bërë roje në apartamentin sipër e në atë poshtë, po nuk u përcaktua dot se nga vinte zhurma.

I/46. Në një shtëpi shfaqeshin fantazma prej vitesh. Disa besimtarë kristianë, miq të familjes, i këshilluan banorët e shtëpisë të kontrollonin në shtëpi se mos kishte ndonjë libër okult. Dhe me të vërtetë ashtu qe. Një nga punonjësit e shërbimit lexonte librin e 6-të dhe të 7-të të Moisiut. E dogjën librin menjëherë dhe fantazmat nuk u shfaqën më.

I/47. Një miku im që punon për Ungjillin, më tregonte për një ndodhi që kish përjetuar kur kishte qënë i ri në shtëpinë e prindërve të tij. Një ditë, pa pritur e pakujtuar, filluan të shfaqen fantazma në shtëpi. Dëgjoheshin të goditura në mure dhe natën dëgjoheshin hapa të rëndë nëpër shtëpi dhe zhurma të tjera. Si vazhdoi kjo histori, babai i shtëpisë thirri një besimtar kristian për ndihmë. Ai u lut në çdo dhomë, duke i urdhërua fantazmat në emrin e Krishtit që të largoheshin nga shtëpia. Menjëherë fantazmat u zhdukën. Po paralelisht me këtë, ndodhi edhe diçka tjetër. Pas kësaj, dy nga derrat që kishte familja pësuan një si lloj tërbimi. Filluan të vrapojnë nëpër stallë duke bërë zhurmë të madhe. Si i lanë për ca kohë në këtë gjendje, nuk u mbeti alternativë tjetër përveç se t’i therrnin.
Për ata që duan ta hetojnë problemin nga pikëpamja psikiatrike, duhet të sqarojmë se nuk kemi të bëjmë me eksperiencat  skizofrenike, ose të psiqikës së sëmurë. Në disa raste, edhe vetë policia konstatoi se fenomenet ishin reale. Dua të shtoj edhe një shëmbull tjetër nga Kili, ku 8 policë dhe 2 pastorë hetuan njëkohësisht çështjen. Secili vuri re se si fantazmat i vinin rrotull shtëpisë. Duhet thënë gjithashtu se, kurdoherë që njëri lutej në emrin e Krishtit, fenomenet zhdukeshin menjëherë. Kjo na tregon diçka rreth karakterit të tyre. Kur skizofrenët dëgjojnë zhurmë, ose zëra, ato nuk zhduken duke thirrur emrin e Krishtit. Duke përfunduar këtë listë me histori fantazmash, po përmëndim edhe një rast të mrekullueshëm të çlirimit.

I/48. Dy burra, atë e bir, erdhën më takuan dhe më thanë se, në shtëpinë e tyre, ndodhte diçka e çuditshme. Çdo natë, rreth orës 11 deri 12, familjen e shqetësonin disa fenomene që kishin të bënin si me fantazma. I zgjonin nga gjumi zhurmë hapash dhe zhurma të tjera. Nënës dhe vajzës i dukej sikur po i mbysnin. Të tjerëve u dukej sikur i godisnin në fytyrë dhe paralizoheshin nga frika. Bënë ç’qe e mundur të çliroheshin nga kjo e keqe. Thirrën një prift katolik, po ndonëse zbatuan këshillën e tij që të thërrisnin tri herë emrin e Triadhës dhe të përdornin tri kryqe, tre kandile dhe pak ujë të shenjtë, nuk ndodhi asgjë. Pastaj provuan me magjistarë. Një nga magjistarët i këshilloi të hidhnin një stofë të zezë mbi tre qirinj dhe pastaj ta linin  stofën të digjej duke thënë ata vazhdimisht emrin e Triadhës. Përveç kësaj, iu thanë të vinin tri shkrepse nën jastëk duke përsëritur përsëri emrin e Triadhës. Pastaj iu thanë t’i siguronin dyert e dritaret e t’i mbyllnin duke bërë shënjën e kryqit me dy thika. Asnjë nga këto praktika magjike nuk solli dobi. Pastaj dikush tjetër u tha të ngulnin dy gozhda në një qepë, në formën e kryqit, dhe ta vinin qepën nën krevat, po edhe kjo nuk dha rezultat. Familja hiqte keq si më parë. Personat që ma tregonin historinë, dukeshin krejt normalë, prandaj unë fillova të përqëndrohem tek ana okulte e problemit. Ja se çfarë faktesh dolën në dritë: Në familje kishte pasur rreth 15 libra magjie. Gjithashtu ata ishin konsultuar me magjistarë për probleme të ndryshme. Vazhdimisht kërkonin ndihmën e fallxhorëve dhe magjistarëve. Përveç kësaj, afër tyre banonte një grua që merrej me magji të zezë dhe aplikonte të ashtuquajturën „Mburojë shpirtërore“. Seanca konsultative tregoi se kishim të bënim me një rast okultizmi. U thashë të dy burrave se kishin zgjedhur rrugë të gabuar duke kërkuar ndihmën e magjisë së bardhë. Vazhdova më tej t’iu shpjegoj rrugën e çlirimit nëpërmjet Krishtit. Pak kohë pas kësaj bisede, unë duhet të largohesha nga ai qytet dhe i kërkova një pastori të kujdesej për familjen, duke i treguar edhe detajet e bisedës. Më vonë dëgjova se të gjithë kishin besuar te Krishti dhe se fenomenet me fantazmat kishin pushuar menjëherë.

11. Fetiçizmet

Përdorimi i fetiçizmeve, si edhe zakone të tjera okulte, e ka origjinën në kohën pagane. Fjala vetë vjen nga Latinishtja dhe do të thotë  diçka magjike, rezultative. Fetiçizmet mund të përshkruhen si objekte të ngarkuara me fuqi magjike, të cilat mbahen nga persona të ndryshëm me qëllim mbrojtjeje. Këtu përfshihen hajmalitë, talismanet e të tjera si këto.
Adhurimi i relikeve në kishën katolike ka shpesh po këtë përmbajtje. Ja një shembull:

I/49. Gjatë një leksioni në Mynih, një shkencëtar kimist më dha një relike në një zarf, e cila konsistonte në një copë të vogël prej një këmishe. Mbi faqen ballore të zarfit ishin shkruar fjalët: „Ish jelek P.R.Mayer S.J“ dhe në faqen e pasme të zarfit: „St.Michael JHS Mynih“. Cili ishte kuptimi i këtyre inicialeve? Më 1945, prifti Jezuit R.Mayer vdiq në Mynih pasi i shërbeu kishës gjithë jetën. Vatikanit i është paraqitur një kërkesë që ai të shpallet shënjt. Nuk është aspak qëllimi ynë të zvogëlojmë meritat e këtij prifti. Megjithatë e kemi të vështirë të kuptojmë kishën katolike, kur ajo nxjerr një dokument, një listë lutjesh drejtuar atit Mayer, të cilavet, pretendon se iu është dhënë përgjigje. Kujt i lutet atëhere kisha katolike, Krishtit apo Atit Mayer? Apo mos eksaxherojmë? Pamfleti që përmendëm mban mbishkrimin e kishës dhe përmban fjalët: „Ati M. është padron i shenjtë i jetës sime“, „I jam lutur besnikërisht Atit M.“, „Pas një lutjeje drejtuar Atit M., m`u kthyen përsëri paratë për një udhëtim që më kishin humbur“, e të tjera të kësaj natyre. Kjo duket edhe më qartë në shkrimin me titull „Edhe pse i vdekur, nuk pushon kurrë“. Në faqen 13 thuhet: „Janë shpërndarë deri tani 600 mijë fotografi, 40 mijë biografi, 200 mijë biografi të shkurtëra, 500 mijë broshura me listën e përgjigjeve të lutjeve dhe janë paraqitur 200 mijë kërkesa për relike“. 200 mijë relike, dhe ja tani unë kam një prej tyre, një copë jelek. Kimisti që ma dha, më tha se ajo kishte në përmbajtje edhe pak nisheshte. Përse vlen kjo relike? Të supozojmë se kisha katolike kishte vetëm qëllime të mira dhe se qëllimi i relikeve ishte vetëm përkujtimi i personit, njerëzit e thjeshtë, do t’i kuptonin reliket po në këtë mënyrë? Ka shumë prova që tregojnë të kundërtën. Në Mynih, një grua katolike i dha një protestanteje një nga këto relike, duke e këshilluar ta vinte atë mbi çdo pjesë të sëmurë të trupit të saj, duke theksuar se do të fillonte menjëherë procesi i shërimit. Kemi të bëjmë me një fetiçizëm të kamufluar fetar. Kjo ndodh në shekullin e 20-të dhe askush në kampin protestan nuk guxon të thotë ndonjë fjalë kundra nga frika e pasojave. Nuk duhet t’i prishim marëdhëniet me motrën e madhe!

 

12. Hajmalitë

Për mijëra vjet me radhë njerëzit kanë mbajtur hajmali kudo në botë. Në popujt e egër kishin zakon për shembull të mbanin të varur në qafë një thua tigri për të marrë forcën e kësaj kafshe. Europianët e kanë zakon të varin në derën e shtëpisë një patkua kali që t’iu sjellë fat. Ka shumë njerëz që mbajnë të shkruara formula lumturie në zinxhirin e sahatit. Në Zvicër ka burra që mbajnë vathë floriri për t’u mbrojtur nga një infeksion i syrit. Edhe shoferët varin shpesh në maqinë një talisman (në arabisht tilsam do të thotë pikturë magjike), kurse pilotët marrin me vete në udhëtim një kanarinë, ose një qen që t’u sjellë mbarësi. Edhe ushtarët mbajnë gërma mbrojtëse me shpresë se ato do t’i ruajnë nga plumbat. Po pavarësisht nga zakonet e ndryshme, të gjitha këto janë përpjekje të mjeruara për të kompensuar mungesën e besimit tek Perëndia.

 

13. Heqja e lytheve

Mënyrat e heqjes së lytheve kanë shpesh një natyre të dyshimtë sugjestive, ose magjike. Shëmbujt që do të shikojmë fillimisht, flasin për aspektin sugjestiv të problemit.

I/50. Njoh një mjek, që jeton në një qytet në jug të Hanoverit, që i hiqte lythet me këtë mënyrë: U binte lehtë lytheve të pacientëve dhe në të njëjtën kohë thoshte vargjet e para të Odisesë: „Ennepe Musa polytropon hos mala polla epathen..“ Meqë pacientët nuk e kuptonin se çfarë thoshte, kjo ishte për ta një formulë magjike dhe lythet zhdukeshin.

I/51. Një tjetër mjek i lëkurës në Lothringen që e njoh vetë shumë mirë, përdor një tjetër mënyrë: U thotë pacientëve që janë në moshë të re t’i vënë duart mbi një copë letre të bardhë. Pastaj ai e vizaton dorën mbi letër me një kalem. Pastaj u thotë pacientëve ta marrin letrën me vete dhe të caktojnë pozicionin e lytheve mbi dorën e vizatuar. Kur ata vinë përsëri tek ai, mjeku e merr letrën dhe e hedh në zjarr duke thënë: „Tani do të zhduken gjithë lythet brenda disa ditësh“. Kjo është një mënyrë shumë efektive, po funksionon vetëm me adoleshentët.

I/52. Ja dhe një metodë që funksionon vetëm me të rriturit: I fërkojnë lythet me një copë sallam duke përsëritur disa formula magjike. Pastaj sallamin e nxjerrin jashtë dhe e vënë afër një qosheje të shtëpisë, ose e hedhin në një varr të hapur. Nuk po them se me çfarë fjalësh shoqërohet ky veprim, se, jam i bindur, se po ta bëj këtë, shumë veta do të tundohen ta provojnë.

I/53. Një peshkop në Gjermaninë e veriut më tregonte për një zakon që kanë njerëzit në dioqezën e tij. Burrat spërkaten me ujin, me të cilin është larë një grua dhe gratë spërkaten me ujin, me të cilin është larë një burrë dhe, duke bërë këtë, thonë edhe fjalë nga libri i 6-të dhe i 7-të i Moisiut. Dhe vërtet, lythet zhduken. Peshkopi më tregonte se, ky zakon, i nxit njerëzit që e praktikojnë për një farë lirie seksuale. Këtë e kam konstatuar edhe unë vetë, po vetëm në rastin e mënyrës magjike, jo atë sugjestive të heqjes së  lytheve.

 

14. Herezia

Ushtria e herezive që na rrethon sot është kaq e madhe, saqë nuk mund të mendohet të numërosh sa janë ata që përfshihen në të. Për të përmendur vetëm disa: Anthroposofia, Bahai, Kristadhelfia, Shkenca Kristiane, adhuruesit e Grail-it, pasuesit e Herbert W. Armstrong-ut, dishepujt e Jakob Lorber-it, dëshmitarët e Jahovait, Masdasnan, Teologjia Moderne, Mormonët, Kisha e Re Apostolike, Spiritualizmi, Subud, Teosofia, e shumë të tjera. Këto sekte i karakterizon fanatizmi i tepëruar dhe mësimi i dogmave që nuk përputhen me Shkrimin e Shenjtë. Megjithatë, ne si besimtarë kristianë, duhet të marrim mësim nga uniteti dhe ndarja e përgjegjësisë së përbashkët që ndeshim në radhët e anëtarëve të këtyre sekteve. Për të treguar se në çfarë mase forcat e errësirës veprojnë në këto sekte, po përmend një shembull që ka të bëjë me Kishën e Re Apostolike Gjermane.

I/54. Një anëtar i Kishës së Re Apostolike vajti tek vjehrra ime dhe i tregoi një përallë të tillë: „Na u shfaq burri yt që nga të vdekurit dhe kërkoi të konfirmohet si anëtar i kishës sonë. Madje tha se donte që të gjthë familjarët e tij të bëhen anëtarë të kësaj kishe.“ Vjehrra ime i tha: „Kur burri im ronte, ishte një besimtar konseguent. Këto që më thoni janë fare të paqëndrueshme. Burri im nuk ka pasur kurrë të bëjë me herezi.“
Mendoni pak se sa larg  ka vajtur kjo lëvizje me mashtrimet e saj! Inskenon një vizion të vdekurish që të tërheqë njerëzit. Nga ana tjetër, konfirmime të tilla që bëjnë të vdekurit, kanë të bëjnë me spiritizëm të kulluar. Kam ndeshur edhe raste të tjera të këtij lloji në punën time. Këto shfaqje të të vdekurve janë vetëm një reklamë efektive e Kishës së Re Apostolike.
Teologjia moderne është herezia më ngatërestare. Në perëndim kjo quhet ndryshe edhe teologjia racionaliste. Pasuesit e saj thonë se besimtarët kristianë duhet të pranojnë vetëm ato që pranon intelekti i tyre. Për pasojë, ne duhet të mohojmë që Jezui është biri i Perëndisë dhe se është shpëtimtari ynë. Po ashtu, ata mohojnë ringjalljen dhe ardhjen e dytë të Krishtit. Mohojnë mrekullitë, Djallin, demonët, madje edhe ekzistencën personale të Perëndisë. Lind pyetja se çfarë i mbetet Biblës sipas tyre?
Me teologjinë moderne ndodhin gjëra akoma më të këqija. Djalli ka zhvilluar taktikat e tij se si t’i kapë besimtarët në kurth. Sot teologët përdorin përsëri koncepte të tilla si „kryqi“, „falja“, „rilindja“, po i zhveshin ato nga kuptimi i parë dhe i mbushin me ide racionaliste.
Ndonëse lutem për këta modernistë të mjerë dhe uroj t’iu vejë mbarë, përfytyroj shprehjen e fytyrës së tyre kur në përjetësi të shikojnë se Bibla, anakronike sipas mendimit të tyre, do të vërtetohet fjalë për fjalë. Ç’mrekulli që besimi ynë mbështetet tek Perëndia e Biblës dhe jo në idetë e varfëra të këtyre teologove.

 

15. Hipnoza

Përdorimi i hipnozës dhe sugjestionimit nuk gjendet vetëm tek psikologët dhe në fushën e mjekësisë në përgjithësi, po praktikohet edhe nga njerëz që nuk janë fare të profesionit, si dhe sharlatanë të të gjitha llojeve. Në mjekësi hipnoza përdoret si për diagnozë, ashtu edhe për terapi. Dr. Lechler, një psikiatër besimtar, shumë i respektuar në rrethet kristiane në Evropë, mendon se përdorimi i hipnozës mund të justifikohet vetëm në diagnostikimin e sëmundjeve. Dr. Paul Tournier, një mjek i dëgjuar në Gjenevë, thotë se, çdo formë hipnoze, është një invazion në personalitetin e njeriut. Megjithatë, siç thamë edhe më lart, ka specialistë të tjerë që e përdorin hipnozën edhe në terapi. Po nuk na intereson këtu përdorimi profesional i hipnozës. Qëllimi ynë është që me disa shembuj, të tregojmë rreziqet që paraqet përdorimi i hipnozës dhe sugjestionimit, kur ato përdoren nga  magjistarë dhe praktikantë të pa kualifikuar.
55. Një pastor më tregonte për një përvojë këshilluese që kish pasur. E kishin thirrur të shikonte një anëtare të kishës së tij, e cila ishte e sëmurë. Gruaja i tha se do të vdiste brenda disa ditësh. Kështu i kishte thënë një fallxhor. Pastori u përpoq t’ia largonte këtë mendim. I ofroi të qëndronte pranë saj, nëse donte, gjatë asaj dite. Doktori nuk gjente ndonjë shkak konkret sëmundjeje tek gruaja. Pastori vajti disa herë për ta parë duke u përpjekur t’i jepte kurajo. Pastaj erdhi dita e parashikuar e vdekjes, po nuk ndodhi asgjë. Gruaja ishte mirë fare.

I/56. Në një familje, sa herë që sëmurej ndonjëri, nëna vente te një grua, e cila lutej për secilin që të shërohej. Gruaja bënte tri herë shënjën e kryqit mbi të sëmurin, pastaj qëllonte përsëri tri herë vendin e sëmurë. Gjithmonë i sëmuri shërohej. Një herë, nëna vajti tek një magjistar nga Appenzell në Zvicer, që i tha se do të vepronte mbi të në mënyrë të tillë që të mos ishte më në gjendje të gjente rrugën e shtëpisë. Kështu ndodhi vërtet. Ajo u end me orë të tëra për të gjetur shtëpinë ku banonte. Natën e zgjoi një dorë e akullt që e kapi fort. Vuri re se, në dhomë, ishte një burrë i vogël me mjekër dhe sy të mprehtë. Gruas i kishin bërë magji dhe vdiq me një vdekje të tmerrshme. Të gjithë fëmijët e saj nuk janë normalë. I biri është një tip nevrik, seksualisht shumë i çthurrur, dhe tani madje e kanë mbyllur në një klinikë psikiatrike si të sëmurë. Edhe vajza ka po atë tip si i vëllai.
Shëmbujt e mëposhtëm tregojnë influencën që mund të ushtrojnë filmat, madje edhe mësimet e shkollës.

I/57. Një nënë më tregonte me lot në sy se i biri kishte vrarë veten pasi qe kthyer në shtëpi nga kinemaja. Kishte parë një film me kauboj dhe, kur kishte ardhur në shtëpi, kishte imituar një skenë vrasjeje që kishte parë në film.

I/58. Nëna e një djali 14 vjeçar më tregonte në një bisedë këshilluese se, gjatë një ore mësimi në shkollë, djali kishte dëgjuar për revolucionin Gjerman. Mësuesi kishte përshkruar metodat e ndryshme me të cilat kishin varur njerëzit. Djali kishte ardhur në shtëpi dhe kishte vrarë veten duke provuar metodat e ndryshme.
Edhe kur hipnoza përdoret nga mjeku, mund të ndodhë procesi i transferencës. Edhe kjo mund të jetë shumë e rrezikshme. Ja një shembull:

I/59. Një besimtare më tregonte për eksperiencën që kishte pasur me nënën e saj. Nëna e saj kishte pasur shumë shqetësime për shkak të disa gurëve në tëmth. Një herë, kur kishte shumë dhimbje, thirrën doktorin e familjes. Në vend që t’i bënte ndonjë gjilpërë kundër dhimbjes, ai e hipnotizoi dhe dhimbja i hiku menjëherë. Po pas kësaj, nëna ndryshoi shumë. U egërsua kaq shumë, saqë dukej shpesh sikur ishte marrosur. Ndonjëherë, kur i hypnin nervat, thyente pjatat në mur. Një herë, tërhoqi kutinë e elektrikut nga muri. Fëmijët e saj që tashmë janë të gjithë të rritur, janë kundër çdo formë terapie që përdor hipnozën.
Ky nuk është një shembull i izoluar. Shumë raste të tilla transference kam takuar gjatë punës time këshilluese.

 

16. Joga

Joga është një sistem filozofik psikologjik i Lindjes së Largme dhe i Hinduve. Për të shkruar këtë pjesë, jam mbështetur tek një libër mbi Jogën Pantahali të Mishrës, The textbook of Yoga Psychology (Julian Press, New York). Një tjetër informacion e kam marrë nga një profesor Indian, Profesor de Roy. Po pjesa kryesore e materialit tim e ka bazën tek udhëtimet e mia në Indi, Tailandë, dhe vende të tjera të Azisë Lindore. Jo pa rëndësi është edhe përvoja ime nga praktikat këshilluese me njerëz që janë dëmtuar nga ushtrimet joga. Të gjitha këto gjëra së bashku, më kanë ndihmuar të shikoj thellë në këtë çështje.
Është e pamundur në kaq vend sa kemi në dispozicion të japësh një përshkrim të plotë të Jogës. Ndoshta do të provoj ta bëj këtë në ndonjë vepër të mëvonshme.
Së pari, ja disa shënime nga libri i Mishrës që hedhin dritë mbi temën. Vetë fjala Joga nga ana kuptimore i korespondon unio mystika të Misticizmit Gjerman, d.m.th bashkimit mistik me frymën universale. Ndryshimi midis Jogës dhe Misticizmit gjerman është se, Joga nga natyra e saj, është ateiste, kurse Misticizmi Gjerman kërkon të zbulojë Perëndinë. Ngjashmëria e tyre konsiston në faktin që kanë të përbashkët idenë e realizimit të vetvetes, d.m.th njeriu duhet të përpiqet të realizojë vetveten e tij të përjetshme nëpërmjet shumë ushtrimesh purifikimi. Kjo vetvete e përjetshme, ose vetvetja e vërtetë, mendohet se është pjesë e realitetit të fundit, ose universal. Joga e quan këtë proces, vetë-realizim. Kaq sa thamë deri tani, mjafton për të kuptuar se është e pamundur të harmonizohet Joga dhe besimi kristian.
Po jap më poshtë disa definicione të Jogës që i kam marrë nga libri që përmenda më sipër:
Çdo organ i trupit ka lidhje me shpirtin.
Çdo njeri ka një natyrë fizike dhe spirituale, të cilat luftojnë kundra njëra-tjetrës për sundim. Harmonia dhe bashkimi i këtyre dy natyrave mund të arrihet vetëm nëpërmjet ushtrimeve psikologjike.
Vetvetja e përjetshme e personit është e gjithëfuqishme, e gjithëpranishme dhe përmban gjithë diturinë.
Vetvetja e përjetshme është transcendentale dhe imanente, pa fillim dhe pa fund, nuk lind dhe nuk vdes.
Gjërat materiale kanë një nivel më të ulët se mendja, inteligjenca dhe fryma.
Joga përfshin gjithë degët e fizikës dhe metafizikës.
Joga presupozon një sintezë të universit fizik dhe atij metafizik.
Parajsa dhe Ferri janë produkte të mendjes së njeriut.
Sistemi i Jogës gjendet edhe në magji, misticizëm dhe okultizëm.
Të tilla definicione mund të shumëfishohen me qindra herë. Ato tregojnë se Joga i kundërvihet atyre që thotë Bibla, prandaj është edhe e rrezikshme për besimtarët kristianë, t’i ekspozohen Jogës.
Pjesa më e madhe e sistemeve të Jogës mund të ndahen në katër faza dhe kështu të bëhen më të kapshme për mendimin perëndimor. Faza e parë përfshin gjimnastikën kurative, ushrime të frymëmarrjes, ushtrime rilaksuese, ushtrime të përqëndrimit, të kontemplacionit dhe meditacionit. Gjithashtu përfshin shpesh edhe të ashtuquajturën treining autogjen. Thuhet zakonisht se është pa rrezik për një besimtar kristian të marrë pjesë në fazën e parë dhe, disa mjekë, madje e rekomandojnë këtë në trajtimin e pacientëve të tyre.
Faza e dytë përfshin kontrollin e subkoshientit. Për shembull, ata që zotërojnë fazën e dytë, janë në gjendje të komandojnë sistemin e tyre nervor. Kam takuar disa njerëz që kanë këtë aftësi dhe mund të them se ata bëjnë vërtet gjëra të çuditshme. Vetëm nëpërmjet përqëndrimit mund të rrisin, ose të zvogëlojnë qarkullimin e gjakut duke bërë, fjala vjen, që llapa e njërit vesh të bëhet flakë e kuqe dhe tjetra të zbehet. Një tjetër bënte që të shfaqeshin në pëllëmbën e dorës së tij shenjat e kryqëzimit, ndonëse kjo nuk konsiderohet aspak si një mrekulli fetare. Kam parë një tjetër që ngulte thika në krahë dhe në faqe. Plagët nuk i kullonin gjak, po mbylleshin, si hiqte thikët, dhe ishin krejt të shëndosha pas disa orësh.
Faza e tretë e Jogës ka të bëjë me kontrollin e forcave të natyrës. Kam dëgjuar për jogistë nga Tibeti, të cilët, nëpërmjet përqëndrimit, bënin që të çlirohej energji dhe të shkrihej akulli. Ka të tjerë që janë në gjendje të ndezin një zjarr, pa përdorur mjete fizike e materiale. Këtu duket të jetë fjala për demonë të zjarrit. Histori të tilla m’i kanë rrëfyer njerëz që kanë ardhur në këshillimin pastoral. Një herë, në Port Elizabeth, në Afrikën Jugore, erdhi një person të këshillohet me mua, një nga këta „mjeshtra të zjarrit“. Donte të dilte nga gjendja ku ishte, po nuk arrinte me fuqinë e vetëvetes.
Faza e katërt e Jogës ka të bëjë me sundimin e magjisë dhe forcat kozmike. Ajo përfshin praktikat spiritiste, fenomenet magjike. Mbi këtë fazë, kam mbledhur materialin më të shumtë. Një person që më mësoi shumë në këtë drejtim, ishte një burrë që ishte ushtruar 10 vjet në Tibet për mjeshtrinë e magjisë. Ky erdhi e më takoi për t’u këshilluar, kur isha në Australi. Ai fliste shumë hapur dhe më tha se faza e katërt e Jogës është thjesht një çështje e praktikave  demoniake. Ai donte të çlirohej prej Jogës. Mjeshtra të Jogës që kanë arritur nivele të larta zhvillimi, bëjnë materializime, ngritje të objekteve, telekinezë, gjëndje transi, eskursione të shpirtit dhe shumë fenomene të tjera spiritiste.
Ç’mund të themi për Jogën nga pikëpamja e besimit kristian? Ekziston një tendencë jo e mirë në botën kristiane për të adoptuar dhe përdoruar filozofinë dhe mësimet e Jogës. Si thamë dhe më parë, ka mendime se, vetëm fazat e fundit të Jogës, janë të rrezikshme për besimtarët. Duhet pranuar një mendim i tillë?
Neve në Perëndim nuk duhet të na shkojë kurrë në mendje se vetëm ne kemi arritur majat e dijes dhe mënçurisë. Lindja sot tallet me ne, se, si pasojë e racionalizmit tonë, s’kemi sy për gjysmën e së vërtetës. Lindja ka eksperienca të tilla mbi sende dhe fenomene, të cilave Perëndimi mendjeshkurtër u mohon ekzistencën. Po edhe pse themi se Lindja ka një perceptim të gjërave që pengohet në Perëndim, kjo nuk sanksionon lirinë e eksperimentimit në fushën medium. Joga ndoshta është e padëmshme si fillim, po ka një fund shumë të rrezikshëm. Po edhe faza e parë e Jogës nuk është pa rreziqe kur, fjala vjen, në ushtrimet përdoren lutje të shkurtëra Budiste. Di raste kur besimtarëve kristianë që kanë marrë pjesë në ushtrime Joga, u është dashur të përsërisin në kor fraza të shkurtra Indiane, të cilat, kur u përpoqëm t’i përkthenim, thoshin gjëra të tilla si: „Buda është suprem“ etj. Ku e çojnë veten besimtarët kristianë, kur janë gati të përsërisin lutje të tilla!
Nuk mund të thuhet se ushtrime përqëndrimi të kësaj natyre nuk janë të rrezikshme.
Një djalë i ri në Afrikën Jugore më tregonte se, pasi kishte filluar disa ushtrime Joga, nuk ishte në gjendje të lutej dhe kishte humbur besimin kristian. E këshillova t’i ndërpriste menjëherë ushtrimet dhe ai kështu bëri. Mirë është të kemi gjithmonë në mendje fjalët e apostullit Pavël kur thoshte: „A s’e bëri Perëndia marrëzi mënçurinë e kësaj bote? Se kur në mënçurinë e Perëndisë, bota me anë të mënçurisë nuk e njohu Perëndinë, Perëndisë i pëlqeu që me anë të marrëzisë së Predikimit, të shpëtojë ata që besojnë. Se edhe Judenjtë kërkojnë mrekullira, edhe Grekët kërkojnë mënçuri, po ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar që është skandal për Judenjtë, marrëzi për Grekët, po për ata që janë thirrur Judenj dhe Grekë, Krishtin që është fuqi Perëndie dhe mençuri Perëndie“ (1.Korinthasve 1:21-24). Ç`nevojë kemi ne si besimtarë kristianë për „Ndërtimin e brendshëm“ sipas këtyre sistemeve pagane? A s’na ofron Bibla shumë më tepër se Budizmi ose Hinduizmi? E prekim Zotin tonë, kur largohemi nga burimi i gjallë i Biblës, për të kërkuar këto burime të huaja, të cilat, me përmbajtjen e tyre të helmuar, ose na e vrasin jetën spirituale, ose na e paralizojnë.

 

17. Klervuajansa

Klervuajansa (të parët e qartë), kleraudienca (të dëgjuarit e qartë) dhe klersentienca (të ndjerit e qartë) hyjnë në listën e forcave medium. Këto fenomene janë parë me imtësi në librin Seelsorge und Okkultismus, prandaj këtu po përmendim vetëm disa shembuj.

I/60. Një vajzë 6 vjeçare pa ëndërr sikur fqinji i vuri zjarr shtëpisë së tyre. Kur ua tregoi prindërve të nesërmen ëndrrën që kishte parë, ata e qetësuan dhe i thanë që të mos ia thoshte njeriut, as të mos e përmendëte më këtë ëndërr. Po pas një viti, ëndrra u bë realitet. Një natë shtëpia u dogj dhe pas hetimesh, fqinji u dënua si shkaktar i krimit.

I/61. Një grua 44 vjeçare më tregoi këtë histori. Burrin e parë ia kishte vrarë Gestapoja. Ajo e kishte parashikuar ngjarjen katër ditë para se të ndodhte. Burri i dytë qe shtruar në spital. Gruaja kishte parë në ëndërr një krevat spitali bosh dhe një dorë të fishkur. Të nesërmen kur vajti në spital, pa se i shoqi i kishte duart të ftohta e të mpira. Pas kësaj ai vdiq. Tani ajo është fejuar me një të tretë dhe kur biseduam, më tha se parashikon që tani se dhe ai do të vdesë.

I/62. Një djalë i ri në një fshat u zhduk papritur. Të afërmit organizuan një fushatë për ta kërkuar gjithandej dhe mendohej se kishte vrarë veten. Gjithë fshati doli për ta kërkuar. Pa sukses. Pastaj i kërkuan ndihmë një sakati që jetonte në një fshat fqinjë. Ky sakat kishte emër se kishte disa aftësi të jashtëzakonshme. Ai iu tha se djalin e ri e kishin vrarë dhe se trupi i tij gjendej në thellësi të një pylli. Parashikimi i tij doli i vërtetë dhe e gjetën trupin e djalit të ri të dërmuar nga të goditurat pikërisht në atë vend.

I/63. Në Alzasë ka tri lloj magjistarësh. Së pari të ashtuquajturit „priftërinj të pantofles“, pastaj „provuesit e urinës“, dhe së treti „gjumashët“. Priftërinjtë e pantofles kërkojnë nga pacientët që t’u japin pantoflet. Duke mbajtur në dorë pantoflen, janë në gjendje të bëjnë diagnozën e sëmundjes. Provuesit e urinës nuk e analizojnë urinën nga pikëpamja e përmbajtjes së albuminës, sheqerit, apo hemoglobinës, po thjeshtë mbajnë një sasi në dorë dhe kështu bëjnë një diagnozë korrekte. Gjumashët bien në trans dhe duke u përqëndruar, arrijnë të diagnostikojnë sëmundjen e pacientit.

I/64. Një magjistar klarsentient mund të diagnostikojë sëmundjet me 100% saktësi. Një profesor mjekësie një herë provoi aftësinë e tij dhe vërtetoi se ai mund të përcaktonte diagnozën në një kohë rekord, edhe në rastet më të vështira. Që atëhere profesori i dërgon rastet e koklavitura te ky magjistar për diagnozë. Magjistari mund të përcaktojë edhe shkakun nga se ka vdekur një person, në rast se i jepet një objekt që i takonte atij personi.

 

18. Letersia okulte

Letërsia okulte përhapet si një re me gaz të helmuar. Ajo helmon mendjet dhe zemrat e atyre që e lexojnë. Ja disa tituj: Libri i 6-shtë dhe i 7-të i Moisiut, The book of Venus, The other side, The Greater world, The Psychic news dhe librat pseudo kristiane të Jakob Lorber-it dhe autorëve të tjerë të ngjashëm. Është tragjike që botohen akoma Libri i 6-të dhe i 7-të i Moisiut në Gjermani. Janë bërë procese të ndryshme gjyqësore me qëllim që të ndalohet botimi i këtyre librave, po më kot. Ka të tilla anekse në ligjet tona, që e bëjnë të pamundur të ndalohet përhapja e këtyre materialeve të djallit. Kush do të dijë më shumë për këtë temë, mund të lexojë kapitullin përkatës në lirin tim Krishti apo Satanai. Një gjë duhet bërë e qartë, që nuk duhen mbajtur kurrë libra okulte në shtëpi. Nuk është mirë të mbahen libra të tilla, qoftë edhe si referencë për studime, ose për qëllime të tjera edukative. Kam dëgjuar një herë një grua të thotë: „Që kur burri im na solli në shtëpi librin e 6-të dhe të 7-të të Moisiut për ta studiuar, kemi vetëm të zëna e disharmoni në familje.“
Ja edhe një shembull mbi letërsinë spiritiste:

I/65.Një grua lexonte çdo lloj letërsie spiritiste dhe spiritualiste që i binte në dorë. Në vend që të vente në kishë, lexonte mesazhet e mediumit Beatrix nga llozha intelektuale e Zyrihut. Shkrimet e mistikut Ekart dhe mediumit spiritist Jakob Lorber, ishin për të si shkrimet e apostujve. Ideja qëndrore e besimit të saj ishte se njeriu duhet të arrijë një lloj ndërgjegje hyjnore në vetvete. Mëkati dhe shpëtimi ishin koncepte të huaja për të. Njeriu është në thelb i mirë dhe ajo që i duhet është të zhvillohet në një plan më të lartë. Shkëndija hyjnore që ekziston tek çdo njeri, duhet të ndizet e të bëhet një flakë e madhe.
Johann Greber, një prift i shkomunikuar, ka gjithashtu shkrime që mund të përfshihen në literaturën okulte. Madje ka përkthyer gjithë Dhjatën e Re në një kuptim spiritist.

 

19. Letrat mbrojtëse

Letrat magjike, letrat e fatit dhe letrat mbrojtëse, pavarësisht nga paraqitja e tyre fetare, i takojnë sferës së supersticionit dhe magjisë.

I/66. Një grua më tregonte gjatë një seance këshilluese se, i ati i saj, çdo të djelë lutej me familjen. Pasi lexonte Biblën, lexonte me zë të lartë nga një letër të zverdhur nga koha, të cilën e mbante në faqet e Biblës së tij. Një herë, në këtë familje, lexuan  librin e Modersohn-it: Im Banne des Teufels (Nën pushtetin e Djallit) dhe anëtarët e familjes kuptuan se çfarë natyre kishte kjo letër. Pa dijen e babait, e dogjën letrën. Si e mori vesh këtë, babai u egërsua dhe filloi t’i godasë të gjithë. Megjithatë, të gjithë ishin të lehtësuar, se deri atëhere, kishin pasur gjithmonë një ndjenjë se diçka nuk ishte në rregull.

I/67. Një pastor, duke folur në një konferencë, tregoi këtë histori: „Një kryeplak i një kishe afër Würzburg-ut u ofrua të më tregojë diçka. Vajtëm t’i bëjmë një vizitë pronarit të një shtëpie të madhe fermerësh, i cili na çoi në stallat. Në një ndarje të stallës, nën trarin kryesor, ishte një fletë e verdhë letre mbi të cilën ishte shkruar: „Anno 1645, 24 Gusht. Në emrin e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, unë Satanai e mbroj këtë shtëpi nga rrufetë dhe zjarri.“ Nënshkrimi (i padeshifrueshëm). Fermerit iu mbush më së fundi mendja të ndahej nga kjo letër mbrojtëse e djallit dhe, më vonë, e dorëzuan atë në zyrën e hetimeve në Mynih për të bërë analiza kimike. U konfirmua se dokumenti ishte rreth 300 vjeçar dhe se nënshkrimi ishte shkruar me një përzierje gjaku kafshësh e njeriu. Letrën e hoqën nga stalla një mbasdite në ora 5. Pas tre orësh, filloi një stuhi e madhe dhe stallës i ra rrufeja. U dogjën stallat, kafshët dhe gjithë paisjet. Vetëm njerëzit shpëtuan. Ishte koinçidencë? Ndërtesat që u dogjën ishin rreth 100 metra nga stacioni i trenit Würzburg-Rothenburg. Gjatë luftës së fundit, kishte shpërthyer aty një tren me municione, po asnjë nga dritaret e fermës s’kishte pësuar ndonjë krisje. Kur ra Gjermania më 1945, forcat naziste kishin vendosur qëndrën e tyre në këtë fermë dhe aty rrotull ishin bërë shumë luftime. Përsëri ndërtesat nuk kishin pësuar asnjë dëmtim. Po ashtu edhe në shekujt më parë. Kur forcat franceze kishin luftuar në zonën Ansbach-Bayreuth, ferma nuk kishte pësuar asgjë. Prapë koinçidencë? Po data 24 Gusht? Më 24 Gusht 79 A.D. Pompei dhe Herkulani u shkatërruan nga shpërthimi i Vezuvit. Natën e Shën Bartolomeut 24 Gusht 1572, mijëra Hugenotë përfshirë pleq, gra, fëmijë u therrën. Data e letrës duket pra të ketë një efekt të caktuar magjik. Lind pyetja, si reagoi fermeri pas kësaj humbjeje. Meqë ndërtesat kishin qënë të siguruara, ai mori para dhe i rindërtoi stallat. Kur kryeplaku i kishës vajti prapë tek ai pas disa kohësh, ai e përqafoi dhe i tha: „Jam shumë mirënjohës. U çlirova.“ Magjia ishte prishur dhe fermeri e kishte kuptuar se, është më mirë të humbasësh gjithçka, sesa të qëndrosh i lidhur në një traktat me Djallin. Po kush i shkatërroi ndërtesat, Djalli apo Perëndia? Tek kapitulli i parë i Jovit thuhet se Satanait iu dha leje të dërgojë „zjarrin e Perëndisë“ nga qielli. Është e qartë se, Satanai, si princi i ëngjëjve që ka shkarë (Juda 6), ka aftësi të përkohëshme, ose lejohet nga Perëndia të arrijë deri tek levat hyjnore që kontrollojnë këtë botë. Është vërtet për t’u habitur historia dhe fati i njerëzve të kësaj ferme. Kushdo që nuk i respekton kufijtë strikte të ligjeve të Perëndisë dhe ngatërrohet në mëkatin e magjisë, do të paguajë duke vuajtur dëme të mëdha psiqike. Satanai mund të ofrojë një lloj mbrojtjeje, ose suksesi, që gabimisht mund të përshkruhet si „bekim“, po me çfarë kosto! Ka mundësi që, si u hoq letra, Satanai u hakmorr. Jovi 2:6, Korinthasve 12:8, Mattheu 1:28 na japin shumë material për të kuptuar. Megjithatë, bijtë e Perëndisë mund t’iu rezistojnë gjithë fuqive të errësirrës me besim e shpresë. Mjafton të veshin armaturën e Perëndisë, parzmoren e drejtësisë dhe përkrenaren e shpëtimit (Efesianëve 6).

 

20. Lëvizja e gjuhëve

Një titull i tillë, „lëvizja e gjuhëve“, do të nxisë lexuesit të shtrojnë dy pyetje. Ata që kanë eksperiencën e përdorimit të disa gjuhëve të huaja, do të shtrojnë pyetjen: „Ç’lidhje ka e folura e gjuhëve të huaja me një libër të tillë si Alfabeti i Djallit?“ Do t’i përgjigjemi menjëherë kësaj pyetjeje. Nën këtë titull është fjala vetëm për një formë imitimi të të folurës së gjuhëve të huaja dhe jo me dhuntinë e pastër, siç na përshkruhet në letrën e parë të Korinthasve 12:10.
Pyetja e dytë do t’u lindë atyre që nuk bëjnë pjesë në rrethet kristiane: „Ç’është lëvizja e gjuhëve?“. Edhe kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi shumë shkurt, fillimisht sa për të bërë një hyrje. Sot kudo në botë gjen kisha, ose individë, që flasin, ose këndojnë gjuhë të pakuptuara në një formë ekstaze. Ky fenomen quhet „E folura e gjuhëve“ dhe bëhen përpjekje për ta argumentuar ose justifikuar këtë me disa pasazhe në Bibël.
Pse na duhet ta diskutojmë këtë lëvizje të të folurit të gjuhëve në një libër mbi supersticionet? Këtë nuk e bëjmë me qëllime keqëdashëse, ose me një frymë kritike negative. Qëllimi ynë është të mbrohen besimtarët nga fluksi i fuqive demoniake e ekstremiste.
Është e nevojshme të bëhet ky paralajmërim? Po! Në shekullin tonë ka pasur shumë lëvizje të tilla. Në fillim të shekullit filloi një lëvizje e tillë me të folur gjuhësh në rrethet spiritiste në Los Angeles. Konseguencat negative të kësaj lëvizjeje janë shumë të njohura dhe është shkruar shumë për to.
Më 1960, në Los Angeles, filloi një tjetër lëvizje, e cila tani ka lëshuar rrënjë kudo në botë, duke shkaktuar shqetësime të shumta në kishat kristiane. Në Shtetet e Bashkuara u shkaktua kaq shqetësim lidhur me këtë fenomen, saqë qeveria krijoi një komision të përbërë nga një psikiatër, një prift luteran dhe një psikolog për ta studiuar fenomenin.
Le ta shikojmë problemin në rrënjët e tij, ashtu siç e gjejmë të paraqitur në Dhjatën e Re. Fenomeni i të folurit të gjuhëve  përmendet tek Marku 16:17, Veprat e Apostujve 2:4, 10:46, 19:6, Letra e parë e Korinthasve 12-14.
Në fillim dua të them se i besoj plotësisht këto pasazhe të Biblës dhe besoj plotësisht dhuntinë e Frymës së Shenjtë lidhur me të folurin e gjuhëve. Nuk dua të heq asgjë nga ato që thuhen në Bibël.
Pyetja që shtrohet është, nëse lëvizjet e të folurit të gjuhëve sot kanë të bëjnë me dhuntitë shpirtërore që paraqiten në Dhjatën e Re. Shumë, për të mos thënë pjesa më e madhe e besimtarëve, do të thoshin se jo. Pse? Së pari ka pasur shumë epoka apokaliptike në historinë e shpëtimit të njeriut. Eksodi i izraelitëve nga Egjypti dhe periudha e fatkeqësive që pasuan, përfaqëson një epokë. Manna dhe zogjtë që iu jepeshin izraelitëve në shkretëtirë, paralajmëruan një epokë të dytë, që përfundoi me hyrjen e Izraelitëve në tokën e premtuar. Dhe kështu ka vazhduar gjatë historisë, deri në ditët tona. Dhuntia spirituale e gjuhëve i takon kohës deri në formimin e Dhjatës së Re.
Kur u caktua përbërja e Dhjatës së Re në Jamni dhe Joppë, përfundoi edhe një kohë e caktuar apokaliptike. Sot jetojmë në epokën e Fjalës së Perëndisë. Fryma e Shenjtë zbulon veten e vet në Fjalën e Perëndisë, në Kishën e Krishtit dhe në rrugën personale të secilit bir të Perëndisë. Pjesa më e madhe e besimtarëve të pjekur, largohen nga lëvizja e të folurit të gjuhëve, veçanërisht duke parë edhe rrugët se si zhvillohet ajo.
Gjatë udhëtimeve të mia në mbi 100 vende, kam parë forma të çuditshme të të folurit të gjuhëve. Po përmend disa shembuj që të ilustroj atë që dua të them.

I/68. Në San Diego, Kaliforni, erdhi një grua për një bisedë këshilluese. Ajo më tregoi se kishte qënë në takimet e një besimtari Pendikostian. Ai, duke iu drejtuar të pranishmëve, kishte thënë: „Vetëm ata që flasin gjuhë, kanë marë pagëzimin e Frymës së Shenjtë“. Pastaj ai kishte thënë se, ata që kishin interes të merrnin Frymën e Shenjtë, mund të qëndronin pas takimit. Gruaja kishte qënë ndër ata që kishin qëndruar. Kur predikatori Pendikostian kishte vënë duart mbi kryet e saj, asaj i kishte rënë të fikët. Kur erdhi në vete, kishte një frikë të tmerrshme. Disa nga ata që ishin aty pranë, i thanë se ajo kishte folur në gjuhë të ndryshme në mënyrë të mrekullueshme. Po asaj nuk i duhej ky „Pagëzim i Frymës“. Pas kësaj, ajo humbi sigurinë e shpëtimit dhe paqen me Perëndinë. Prandaj edhe kishte ardhur të këshillohej. Me hirin e Perëndisë, besimi i saj u shëndosh përsëri, po ajo është e vendosur të mos vejë kurrë më në takime të tilla predikuesish pendikostianë.
Në rast se një person, nëpërmjet këtij „pagëzimi të Frymës“ që lëvdohet kaq shumë, humbet sigurinë e besimit, atëhere kjo është një eksperiencë e Ferrit dhe jo e Frymës së Shenjtë. Nga ana tjetër, kur Pendikostianët theksojnë se e folura e gjuhëve është prova e vetme e pagëzimit në Frymën e Shenjtë, kalojnë në herezi. Nuk është e vërtetë. E folura e gjihëve, siç përmendet nga Pavli tek  letra e parë e Korinthasve 12, është një nga dhuntitë më pak të rëndësishme dhe jo më e rëndësishmja.

I/69. Kam folur dy herë në një konferencë misionare në Japoni. Një herë, në një konferencë të madhe në Karuizawa, një predikues amerikan shkaktoi një debat të madh. Një ditë para konferencës, ai erdhi e tha se Fryma e Shenjtë i kishte thënë të vente e të fliste atje. Presidenti i konferencës i tha: „Po të ishte kështu si thoni ju, Fryma e Shënjtë do të më kishte njoftuar edhe mua për këtë“. Pas një debati të madh, predikuesi dhe disa besimtarë të tjerë Pendikostianë organizuan një mbrëmje paralele. Disa pjesëtarë të konferencës u bënë kuriozë dhe deshën të venin të shikonin se ç’bëhej, po morën një mësim të tillë, që s’deshën të venë kurrë më. Ky person i çuditshëm u ngrit në këmbë dhe filloi të këndojë dhe të lutet në gjuhë pa asnjë kuptim apo sqarim. Askush s’merrte vesh se çfar po bëhej. Më pas, një nga misionarët e pyeti predikuesin: „Si e merrni dhuntinë e të folurit të gjuhëve?“ Predikuesi u përgjigj: „Po të bësh ndoshta 500, apo 600 herë një lutje të tillë: „Zot më ndihmo“, do të fillosh të flasësh gjuhë“: Ky ishte instruksioni i tij. Kjo quhet dhunti e Frymës së Shenjtë. Po kjo nuk ka të bëjë me Frymën e Shenjtë, po është një trenim i subkoshientit, shumë më i ngjashëm me të folurën, apo të shkruarën automate që gjejmë në rrethet spiritiste.
Kam parë raste kaq të tmerrshme kudo në botë, saqë them se është vërtet e domosdoshme të paralajmërohen njerëzit për këto lëvizje. Nuk kemi shumë vend këtu të vazhdojmë me këtë temë, po ata që dëshirojnë të lexojnë më shumë lidhur me këtë çështje, mund të shikojnë një broshurën time me titull Die Zungenbewegung.

 

21. Magjepsja

Magjepsja, përbetimi, e të tjera të këtij lloji janë metoda të njojtura okulte që përdoren në popull për të kuruar sëmundjet. Dhe nuk është ashtu si thonë racionalistët se, këto janë praktika të padëmshme, të cilat studiues krejt të padyshimtë të folklorit, përpiqen t’i ruajnë. Magjia është magji edhe kur bëhet në emrin e Triadhës së Shenjtë. Magjia shfrytëzon forca demoniake dhe është blasfemuese. Nuk është nevoja këtu të shikojmë natyrën e magjisë në imtësi, sepse kjo çështje është trajtuar në librin Krishti apo Satanai. Po tregojmë vetëm pasojat e rrezikshme të magjisë nëpërmjet disa shëmbujve.

I/70. Një grua merrej me formula magjike. Për djalin e saj kishte përdorur që në fëmijëri formula të tilla për ta ruajtur nga sëmundjet. Kur djali vajti tetë vjeç, filloi të shfaqë shenja shumë negative të karakterit. Torturonte kafshët për vdekje, ose i varroste të gjalla. Në moshën trembëdhjetë vjeç ishte i njohur si pianec. Sot pi mbi 10 litra alkohol në ditë. Jeta e tij seksuale nuk njeh kufi dhe ka marrëdhënie edhe me kafshët. Prifti i fshatit thotë se të gjitha këto e kanë burimin tek praktikat magjike të nënës së tij.

I/71. Një praktikant formulash magjike nga Emmental, Zvicer, përfundoi me një mani persekucioni. Në janar, me temperaturë 20 gradë nën 0, vraponte zbathur e me këmishë nëpër fshat. Kur e mbyllnin në shtëpi anëtarët e familjes, kërcente nga dritarja.

I/72. Një fermer lëvdohej se nuk kishte nevojë të siguronte kuajt e tij, se rregullisht përdorte për ruajtjen e tyre formula magjike. Një ditë, i biri i tij ishte rrugës me një karrocë me katër kuaj kur e goditi një tren. U vra edhe ai, edhe kuajt. Edhe dy djemtë e tjerë të fermerit janë të paaftë për punë dhe me karakter të keq. Vetë fermeri vdiq në një mënyrë të tmerrshme.
73. Në një rreth, ra një sëmundje te lopët. Një magjistar iu shpërndau fermerëve disa formula magjike të shkruara në letër. Në stallat e atyre që i ruajtën letrat, nuk ra sëmundja. Sot ky fshat është i njohur për mosbesimin e banorëve tek Perëndia. Ka si të thuash një mallkim. E dëgjova historinë nga prifti i fshatit.
74. Një 42 vjeçar më tregoi gjatë një bisede që patëm, këtë histori. Stërgjyshërit e tij shëronin kafshët e sëmura me formula magjike dhe ishin edhe në gjendje të parandalonin epidemitë. Ai vetë i kishte shëruar fëmijët e tij, kur kishin qënë të sëmurë, duke përdorur emrin e Triadhës dhe duke groposur një sallam lope afër shtëpisë. Dukej se kjo mënyrë funksiononte dhe fëmijët ishin shëruar gjithmonë. Megjithatë, pasardhësit e kësaj familjeje vuanin nga pasoja të tmerrshme. Fëmijët dhe nipërit kishin ngarkesë okulte dhe disa prej tyre, ndonëse donin të besonin tek Jezu Krishti, nuk kishin arritur dot. Disa kishin aftësi medium si klervuajansë dhe kryptesthezi. Të tjerë paraqitën  perversitete seksuale dhe katër nga nipërit morën  rrugë shumë të keqe morale. Nga një anë donin të martoheshin, po nuk ishin në gjendje. Veç kësaj, në shtëpi ishin shfaqur fantazma. Ai që më tregonte mua historinë, vuante edhe ai nën këtë mallkim të paaftësisë për t’u martuar. Kishte qënë i fejuar, po e kishte prishur fejesën.

I/75. Një grua të sëmurë e çuan të afërmit e saj tek një shërues. Burri pëshpëriti diçka që të afërmit nuk e kuptuan. Të nesërmen, nga veshët dhe poret e fytyrës gruaja nxori qelb e ujë dhe pas kësaj, u ngrit dhe ishte në gjendje të ecte. Të gjithë fëmijët e saj vuajnë nën peshën e okultizmit. Një djalë dhe dy nipër janë epileptikë dhe ndonëse kanë shprehur dëshirën të besojnë tek Krishti, nuk janë në gjendje.
I/76. Një prift më tregonte se, në rini e kishin çuar tek një magjistar që hiqte lythet. Magjistari ia hoqi lythet me ca ceremonira të çuditshme. I ishin zhdukur brenda ditës. Pas kësaj, prifti kishte fituar aftësira medium. Më vonë, tek studionte që të bëhej prift, kishte dëgjuar se magjistari kishte vdekur. Infermierja që kishte qënë pranë tij kishte thënë se kishte qënë një vdekje e tmerrshme. Kishte gulçuar, mallkuar e qarë për ditë të tëra. Dhoma qelbej nga era, madje edhe infermieret nuk duronin dot të rinin në të. Pastaj menjëherë, kur një nga infermieret kishte hyrë në dhomë, e kishte gjetur të vdekur. Ishte i shtrirë me kafkë të çarë dhe i nxirë i tëri.
Magjepsja e shtyp shpirtin e njeriut. Megjithatë, nëpërmjet Krishtit gjendet rruga e shpëtimit.“ Në rast se Biri do të të çlirojë, do të çlirohesh me të vërtetë.“ Këtë e dëshmon edhe shëmbulli i mëposhtëm.

I/77. Një grua 33 vjeçare erdhi një herë të këshillohet. Kishte 5 vjet që vuante nga një ekzemë. Specialistët e lëkurës nuk gjenin dot shkakun e sëmundjes së saj. E pyeta nëse familja e saj kishte pasur kontakte me okultizmin. Ajo më tha se po dhe se i gjyshi shëronte kafshët dhe njerëzit në emrin e Triadhës. Edhe gjyshja e saj magjepste. Dy nga motrat e saj bënin jetë të shthurur, kurse vetë gruaja kishte vizione dhe ëndrra profetike. Një herë ajo kishte parë kunatin në endërr dhe ai kishte thënë se do të vinte në shtëpi të nesërmen. Dhe me të vërtetë, ndonëse ai ishte në Algjeri, ishte kthyer të nesërmen. Në një rast tjetër kishte parë ëndërr sikur drejt saj kishin ardhur disa duar të zeza dhe sikur ca minj të zinj kishin filluar t’i hanin këmbët. Të nesërmen kishte ardhur e motra dhe kishte filluar pa arësye, një sherr të madh me të. Pastaj i filloi ekzema në këmbë, që dukej të ishte e pashërueshme. Gruaja kërkonte që dikush ta drejtonte te Krishti. Ajo rrëfeu mëkatet e saj dhe nëpërmjet besimit, pranoi faljen e Krishtit. U luta me të. Më tregoi të nesërmen se i kishin pushuar dhimbjet e forta në këmbë si qemë lutur sëbashku.

 

22. Magjia

Magjia nuk përbën  vetëm një nga kapitujt më të errët të Mesjetës, po edhe të kohës së sotme. Këtë e shikon qartë duke lexuar librin e Kruse-it Hexen unter uns (Shtrigat midis nesh). Shumë njerëz të pafajshëm kanë vuajtur shumë nga këto praktika. Ja disa shembuj të shkurtër.
78. Më 1934 një grua në Glarus e dogjën për vdekje, sepse thoshin që magjepste kuajt.

I/79. Më 1951, dy burra nga Lüneburger Heide i vunë zjarrin shtëpisë së një gruaje, për të cilën thuhej se ishte magjistare. Gruaja vetë shpëtoi, po dy të afërmit e saj u dogjën.
80. Më 1951, një djalë 19 vjeçar në Braunschweig vrau të jatin, sepse mendonte se ai e kishte magjepsur. Më vonë ai vetë vari veten.
Duhet shumë përvojë dhe, po ashtu, edhe dhuntia e dallimit të frymëve, që të mund të dallosh intrigat e vërteta të magjisë së zezë nga forma që janë vetëm në dukje të tilla.

 

23. Magjia e vdekjes

Këtu gjendemi në fushën më të errët të magjisë. Në shumë vende kanë zakon t’ia kalojnë sëmundjen e të gjallëve, të vdekurve. Një mënyrë për këtë është që personi të shkruajë emrin e sëmundjes në një letër, bashkë me një formulë magjike, dhe ta fusë atë në varr, ose në qivurin e një personi të vdekur. Përdoret shpesh edhe magjia simbolike. Personi i sëmurë mund të vërë në qivurin e një të vdekuri një copë nga rrobat e tij, ose ndonjë objekt tjetër, në mënyrë që ta heqë qafe sëmundjen. Në Librin Hexen unter uns, Kruse na thotë këtë histori:
„Në qytetin Mehldorf in Holstein, përpara se ta mbyllnin qivurin, më treguan pesë monedha, dy copa të vogëla nga të linjtat e një gruaje, pak push nga një kapele burri dhe një gisht nga një dorezë burrash. Si m’i treguan, këto objekte u vendosën prapë në qivur. Dukej se objektet u përkisnin njerëzve në gjendje të mirë“. Shpesh personi që është për të vdekur do të marrë sëmundjen e ndonjë të afërmi me vete. Ja një shembull:

I/81. Një grua e shtruar në spital ishte shumë e sëmurë. Ajo i tha infermieres: „I thoni dot vajzës sime të më sjellë një jelek të saj? Ka vite që është e sëmurë dhe dua t’ia marr sëmundjen me vete tani që të vdes. Infermierja nuk u çudit aspak nga kjo kërkesë, se kjo magji e vdekjes ishte shumë e praktikuar në atë zonë. Duhet theksuar se, objekti i personit nuk është vendimtar në këtë procedurë magjike. Vëndi i nderit i takon formulës magjike që e shoqëron.

 

24. Magjia e zezë dhe e bardhë

Magjia e bardhë ose e zezë ka vulën e Djallit dhe ekziston prej mijëra vjetësh. Magjia në origjinën dhe pasojat, funksionon në një nivel të ndryshëm nga ai që konceptojnë ligjet shkencore. Ajo i takon sferës medium. Megjithatë, shpesh, duke u fshehur pas një maske të padëmshme, nuk kuptohet natyra e saj demoniake. Këtu përshtaten shumë mirë fjalët në Letrën e dytë Korinthasve 11:14: „Satanai e paraqet veten si ëngjëll i dritës.“ Shpesh njerëzit thonë: „Po, magjia e zezë është vepër e Djallit, po magjia e bardhë mbështetet mbi forca pozitive.“ Ky mendim i gabuar është kaq i përhapur, saqë në një libër për mjekët që punojnë në zona misionare thuhej se Afrikanët përdorin magjinë e zezë dhe prandaj u këshillohej misionarëve të përdornin magjinë e bardhë si kundrapeshë. Ky është një gjykim shumë i gabuar i magjisë së bardhë. Cila është gjendja e punës sonë misionare sot, në rast se qarkullojnë opinione të tilla? Faktet i kundërshtojnë këto opinione, ashtu si edhe vetë magjinë e bardhë. Në librin tim Krishti apo Satanai e kam trajtuar gjërësisht temën e magjisë, prandaj nuk është nevoja të thellohem këtu. Megjithatë do të përmendim sferat më të shpeshta ku e ndeshim. Këto janë: shërimi ose shkaktimi i sëmundjeve; prodhimi i ndjenjave të dashurisë ose urrejtjes; magjia e persekutimit dhe e mbrojtjes; magjepsja dhe prishja e gjendjes së magjepsur; magjia e vdekjes. Disa shembuj do të na ndihmojnë të paraqisim këtë aktivitet demoniak.

I/82. Një grua e sëmurë u ekzaminua nga dy specialistë, të cilët nuk i dhanë shpresë shpëtimi. Familja e mori vesh se do të vdiste së shpejti. I shoqi thirri një magjistar të rrezikshëm, Hugentobler nga Peterzell për ndihmë. Menjëherë pas kësaj gruaja u bë më mirë. Megjithatë, më vonë bëri tri herë tentativë vetëvrasjeje, prandaj vajti edhe tek një prift kristian të këshillohet. Një grup besimtarësh filluan të luten rregullisht për të dhe me hirin e Zotit ajo u bë fare mirë.

I/83. Një burrë vajti tek një nga magjistarët më famëkeq të Zvicerës. I sëmuri e pyeti se ku i gjente këto aftësi shëruese dhe si i shëronte njerëzit. Magjistari iu përgjigj se për të, kjo ishte një veprimtari shkatërrimtare, po që ishte i detyruar ta bënte sa kohë ishte gjallë.

I/84. Një 62-vjeçar vajti një herë tek dy magjistarët Hugentobler dhe Schneider. Që atëhere ka humbje të kujtesës dhe nuk është në gjendje të përqëndrohet dhe të punojë. Magjistarët e ndihmuan nga ana organike, po tani ka shqetësime psiqike dhe nervore.

I/85. Një djalë ishte shëruar nga një magjistar kur ishte i vogël. Organikisht u shërua, po më pas kishte shumë probleme në jetën e tij seksuale dhe tani ka humbur kontrollin e vetes.

I/86. Një burrë i martuar i vinte rrotull një vajze beqare. Ajo nuk donte të kishte të bënte me të dhe i thoshte se, meqë ai ishte i martuar, lidhja e tyre ishte e pamundur. Ai e kërcënoi duke i thënë: „Edhe pse ti nuk do, unë do ta marr atë që dua.“ Që nga ajo kohë, vajzës filloi t’i duket se burri e shqetësonte natën seksualisht, ndonëse dera dhe dritaret e dhomës ku flinte ishin të mbyllura mirë. Ajo ishte si e paralizuar dhe nuk ishte në gjendje të mbronte veten. E kuptoi se diçka nuk ishte në rregull, prandaj edhe kërkoi të këshillohet duke folur hapur për hallin e saj.

I/87. Një vajzë 19-vjeçare u tremb një natë në gjumë. Edhe pse në dhomën e saj dritaret dhe dera ishin të mbyllura, asaj i bëhej sikur e ngacmonte një djalë i ri. Menjëherë e kuptoi se ishte diçka e çuditshme, po nuk ishte në gjendje të thërriste për ndihmë dhe ndjehej si e paralizuar. Të nesërmen, në shtëpinë e pushimit ku punonte, takoi një djalë të ri dhe menjëherë e njohu se ai kishte qënë që e kishte shqetësuar një natë më parë. Djali i ri iu drejtua në mënyrë fare direkte dhe i tha: „Unë fjeta me ty mbrëmë. Gjyshja më ka mësuar magjinë e zezë dhe magjinë e dashurisë, po kjo më rëndon shumë dhe dua të çlirohem prej saj.“ Ai i tha se mund të arrinte gjithçka dëshironte nëpërmjet magjisë.

I/88. Një grua vuante nga agresione seksuale që i bënte natën një figurë e çuditshme. Ishte një përvojë fizike. Po të lutej në emrin e Krishtit, kjo forcë e keqe e lëshonte. Edhe i jati kishte pasur shqetësime të tilla, kur kishte qënë i ri. Natën e gërvishtnin macet. Në mëngjes gdhihej me të gërvishtura në fytyrë e në grykë.
Tri rastet e fundit nuk janë thjesht raste halucinacionesh seksuale. Kur skizofrenët luten në emrin e Krishtit, nuk iu largohet ajo që i mundon. Në rastin e magjisë, emri i Krishtit sjell menjëherë ndihmë.

I/89. Një gruaje i vodhën një karrocë të re fëmijësh. Ajo vajti tek okultisti Hungerbühler. Brënda tri ditëve ia kthyen karrocën. Pas kësaj gruaja filloi të vuajë nga neuroza dhe kishte çdo vit depresione të forta përpara Pashkës dhe Krishtlindjeve.

I/90. Një prift në ishullin Gjerman Rügen, në detin Balltik, më tregonte se banorët atje kanë një lloj zakoni që e quajnë „bekimi i hajdutit.“ Ka disa njerëz që janë në gjendje t’i japin „bekimin e hajdutit“ rrjetave, ose kosheve të peshkimit. Në rast se natën ndonjë hajdut kërkon të vjedhë rrjetat e peshkut, pëson një si magjepsje, nuk është në gjendje të largohet, dhe të zotët e rrjetave e kapin në mëngjes.

I/91. Një grua në Zvicer vajti për një këshillim pastoral. Tregoi se kur kishte qënë fëmijë, vuante shumë natën. Po ashtu, në stallat e familjes kishin ndodhur gjithmonë fatkeqësira. Përpara Krishtlindjes dhe Pashkës, çdo vit, iu ngordhnin të gjitha lopët, derrat dhe zogjtë e pulës. I ati kishte vajtur tek një magjistar i dëgjuar, Schneider. Menjëherë Schneider-i përdori magjinë. Pas kësaj, gruaja e një fqinji që dyshohej se bënte magji të zezë, u çmend. Që nga ajo kohë nuk u ngordhi më asnjë kafshë.

I/92. Pas martesës një grua e re shfaqi shqetësime të forta psiqike, ndonëse më parë kishte qënë krejt e shëndoshë. Shqetësimet shpesh shoqëroheshin edhe me ethe. Vajti tek një klervuajant, Hungerbühler, i cili i tha se i kishin bërë magji dhe se një fqinj ia bënte këtë të keqe. Gruaja nuk e besoi dhe vajti tek një fallxhor letrash për të cilin thuhej se kishte aftësi të jashtëzakonshme. Fallxhori kishte qënë edhe në burg gjatë luftës, se kishte parashikuar tre vjet përpara ngjarjes se, Hitleri do të përmbysej. Pa ditur se ç’i kishte thënë i pari, fallxhori i tha: „Ke një fqinjë që e njeh mirë artin e magjisë. Ai punon me djallin dhe të torturon.“ Më pas gruaja u detyrua të shtrohet në spital për shqetësimet që kishte. Kishte ethe të vazhdueshme, ndonëse mjeku nuk gjente dot ndonjë shkak. Burri i gruas filloi të hetojë jetën dhe lëvizjet e fqinjëve. Zbuloi se një nga ata praktikonte ato që përmbahen në librin e 6-të dhe të 7-të të Moisiut. Një ditë, një fqinjë tjetër i tha burrit: „Kujdesu ruaj gruan, se fqinji yt në të majtë ka shkatërruar gruan e atij që jetonte para jush në këtë shtëpi. Ka zili se toka jote është e mirë, kurse ai përpiqet e përpiqet, po tokën e fermës e ka shkëmbore.“

I/93. Di një praktikant okult, i cili nuk është në gjendje t’i ndihmojë ata që luten kur venë tek ai. Po të konstatojë diçka të tillë, ai nxehet shumë e zë e bërtet duke thënë: „S’kam ç’bëj me ju. Shkoni në shtëpi.“ Madje një gruaje arriti t’i thotë: „Ik tutje moj lopë.“

 

25. Masonët e rinj

Materialet e mëposhtme më kanë ndihmuar për të gjykuar e kuptuar masonët e rinj: libri në dy volume i Alfred Wulf-it Geheimbünde in alter und neuerer Zeit (Lidhje të fshehta në kohën e vjetër e në kohën e re) dhe Das Geheimnis des Freimaurers (Misteri i masonëve të rinj) i F.C.Endre. Ekziston gjithashtu edhe një artikull informativ mbi masonët e rinj në fjalorin teologjik Religion in Geschichte und Gegenwart (Feja gjatë historisë dhe sot), ndonëse këtu vlerësimi është më tepër në favor të masonëve të rinj sesa kundra. Sidoqoftë, kryesore për mua kanë qënë bisedat me njerëzit. Për të qënë objektiv e i sinqertë mbi këtë çështje, duhet të them se, bisedat këshilluese, më kanë dhënë materiale që janë më tepër kundra sesa në favor të tyre. Masonët e rinj që janë të kënaqur me masonerinë e re, nuk kanë nevojë të kërkojnë njerëz me të cilët të këshillohen, po kjo nuk hedh poshtë atë që dua të them.
Mbi historinë dhe zhvillimin e masonëve, mund të themi sa më poshtë. Viti 1717 në Evropë quhet viti i lindjes së lozhës së parë të madhe. Atë vit u bashkuan në Londër katër llozha. Pas kësaj u formuan me shpejtësi llozha të tjera në Irlandë, Skoci, Madrid, Kalkuta, Paris. Llozhat gjermane u formuan së pari më 1738, kur Frederiku i Madh u bë anëtar në një prej tyre. Sipas llogaritjeve, sot në Evropën Perëndimore ka rreth 4 milion masonë të rinj.
Është e pamundur t’i përfshish të gjitha llozhat nën një krye të përbashkët, si nga ana organizative, ashtu edhe nga ana ideologjike. Disa prej tyre kanë frymë iluministe dhe janë armike të Kristianizmit. Ka të tjera që pranojnë edhe kristianë si anëtarë të tyre. Në varësi të formimit, themeleve dhe sferës së aktivitetit që ka secila, çdo llozhë paraqet edhe një ngjyrim e nuancë të caktuar. Di, fjala vjen, disa, ku zotëron një ndjenjë miqësie dhe adhurimi reciprok. Pa e kuptuar as vetë, u ngatërrova një herë në një llozhë të tillë në Australi. Ka llozha të tjera që kanë karakter social filanthrop. Në Los Angeles më tregonin për një llozhë që financon studimet e një studenti teologjie që do të bëhet prift.
Në Amerikë zbulova shumë llozha me një ngjyrim kristian. Shumë pastorë dhe presbiterë kishash, janë anëtarë të këtyre llozhave. Kam folur edhe në kisha të tilla, pa e kuptuar më parë se çfarë tendence kishin. Në një kishë, prapa altarit, ishin simbolet e masonerisë. Në po atë kishë, kishte edhe tabela të tilla si „Noli me tangere“ dhe „Roosvelt Association“. I thashë pastorit të kishës: „Po ta kisha ditur se jeni një kishë masone, nuk do të kisha ardhur këtu për të predikuar.“ Sinodi i Misurit i kishave luterane në Amerikë i ndalon predikuesit dhe presbiterët e saj të bëhen anëtarë llozhash.
Dikush mund të thotë se predikuesi i kishës që përmenda më lart e që ishte mason, ishte më tolerant se unë, se, pavarësisht nga rezervat e mia, më kishte ftuar të flisja në kishën e tij. Megjithatë, edhe mosdëshira ime, mbështetet nga vëzhgimet e shumë besimtarëve të vërtetë, që kanë konstatuar se kishat e lira masone, s’kanë asnjë formë jete spirituale. Një atmosferë e çuditshme zotëron në komunitetet e besimit, në të cilat predikuesi, ose kryepleq të kishës, janë masonë.
Në Evropë mund të gjesh forma të masonerisë që variojnë midis ateizmit të kulluar dhe prirjeve kristiane. Kam takuar një herë një figurë drejtuese të masonëve të rinj, i cili kishte qënë mësues në kohën e Raihut të tretë dhe nuk kishte pranuar të pushonte së përhapuri dijet e tij fetare, megjithë presionin që i ishte bërë nga partia nacionalsocialiste. Ishte gjithashtu kryeplak në një kishë në Vestfali për dia vjet me radhë. Sot ai jo vetëm frekuenton rregullisht kishën, po është edhe kryetar bashkie i qytetit të tij.
Pse atëhere kam vërejtje të ndryshme ndaj llozhave masonike? Ka disa arësye. Në librin e tij të sipërpërmendur, Endre shkruan: „Një person kryen një krim. Pastaj ia rrëfen këtë një prifti. Prifti, në vendin e Perëndisë, e çliron nga faji. Sa e thjeshtë! Sa atraktive për natyrën njerëzore! Sa e mrekullueshme të të fshihen fajet me një veprim të Zotit e të fillosh një jetë të re! E kemi ne, vetë, fuqinë për të falur fajet. Në vetë shpirtin tonë kemi mundësinë të fillojmë një jetë të re nga e para, të çliruar nga barrët e së kaluarës…Gjëra të shkruara, ose të  thëna nga njerëz, dikur më vonë vulosen si rivelacione të Perëndisë.“
Ç’mund të themi ne si besimtarë, si përgjigje ndaj thënieve të tilla? Në dritën e Shkrimit të Shenjtë kjo është një blasfemi. Mundemi pra, kur dikush na kërkon një mendim, të aprovojmë anëtarësinë e dikujt në një nga këto llozha?
Është një paralajmërim për ne fakti që, masonë, që janë konvertuar me të vërtetë në besimin tek Krishti, e kanë ndjerë veten të detyruar të largohen nga lëvizja masone. Kam njojtur një herë një burrë që ishte sekretar i një llozhe të madhe. Kur u bë kristian, ndërgjegjja i tha se duhej të jepte dorëheqjen nga posti dhe të largohej nga llozha. Një rast të tillë e ndesha edhe në Sidnei. Pas një takimi me disa besimtarë që merreshin me biznes, m’u afrua njëri dhe më tha se kishte qënë drejtues i një llozhe dhe, gjatë kësaj kohe, kishte gjetur besimin tek Krishti. U bë e qartë për të që në fillim se, si dishepull i Krishtit, nuk mund të vazhdonte të mbante postin e tij në llozhë. Dha dorëheqjen. Vendime të kësaj natyre hedhin shumë dritë mbi masonerinë vetë.
Një rrëfim që flet me forcë kundër masonerisë, e kam gjetur tek vajza e drejtuesit të një llozhe në Gjermani. Më dha të drejtën ta botoj materialin, pa përmendur as emrin e saj, as emrin e llozhës. I ati i vajzës ishte persekutuar në kohën a Naxistëve. Siç dihet, Hitleri e kishte ndaluar masonerinë. Duke dashur të mbronte dokumentat e fshehta të llozhës, që të mos binin në duar të Gestapos, drejtori i llozhës i mori në shtëpi të tij dhe i fshehu. I ndaloi edhe së bijës t’i lexonte. Menjëherë pas kësaj vdiq, kështu që librat e ndaluar ranë në dorë të së bijës. Ajo i lexoi dhe u tmerrua nga ato që përmbaheshin në to. Në një vend thuhej se ata anëtarë të lëvizjes që ishin larguar nga lëvizja, duhet të ekzekutoheshin nga vetë anëtarët e lëvizjes, bile jepeshin edhe direktiva se si të realizohej kjo.
Jam i ndërgjegjshëm se, duke botuar këto fakte, edhe unë vetë i ekspozohem një farë rreziku. Masonë të rinj më kanë kërcënuar herë pas herë se do të më çojnë në gjyq, nëse nuk do të tërheq mbrapsht disa nga thëniet e mia për ta. Dua të sqaroj se, e di se ka shumë llozha që nuk japin direktiva të tilla lidhur me ish anëtarët e tyre. Po ashtu, nuk jam në gjendje të provoj se informacioni që më është dhënë lidhur me përmbajtjen e librit të masonëve që përmenda, është korrekt. Po mund të betohem se, ajo sa kam shkruar këtu, është rrëfimi i vërtetë i vajzës së një masoni, e cila m’u konfidua në një seancë këshillimi pastoral. Ajo rron edhe sot e mund të përsërisë dëshminë e saj.
Një arësye tjetër që i kundërshtoj llozhat masone, është edhe përdorimi i shumë riteve okulte në praktikat e tyre. Duhet thënë gjithashtu se ka edhe llozha, që nuk kanë asgjë okulte në ritualin e tyre. Megjithatë shumë llozha merren me shumë zell me spiritizmin dhe rite magjike. Është një fakt i njohur se, disa praktika të të ashtuquajturve Kryqëzorët e Trëndafilit, janë pranuar në praktikat e shumë llozhave. Të mësipërmit kanë një formë spiritualizmi spiritist. Këtë e di edhe nga praktikat e mia këshilluese. Ndodh që kur Fjala e Perëndisë godet në ndërgjegjen e një masoni, vellua e misterit që fsheh lozhën hapet pak gjatë rrëfimit të tij.
Si shembull të fundit mund të përmend llozhën intelektuale në Zyrih. Nuk jam i sigurt nëse kjo llozhë lidhet me llozhën e madhe Alpine të Zvicerës. Ndoshta edhe jo. Sidoqoftë njihet akoma edhe sot si llozhë. Organizon shërbime të së djelës, gjatë së cilave këndohen himne, lexohet Bibla dhe bëhen lutje. Vetë predikimet pretendohet se i bën një frymë e quajtur Jozef, i cili flet nëpërmjet një gruas medium, Beatriçe. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një formë spiritualizmi me sfond spiritist.
Njerëz dashamirës më kanë këshilluar të jem më tolerant ndaj prirjeve të tilla. Ç’të them? Kur shikoj një nga fëmijët e mi që bën një gabim dhe afron një shishe arseniku në gojë, duhet menjëherë t’ia tërheq shishen nga dora. Në po atë mënyrë, nuk mund të rri e të mbaj sehir se si njerëzit vuajnë shpirtërisht, kur bien në kontakt me lëvizje të tilla të rrezikshme. A nuk është detyra ime si besimtar kristian t’i paralajmëroj njerëzit për rreziqe të tilla? Mos nuk jam tolerant? Vërtet kemi nevojë për frymën e Josifit që të na flasë nga vendi i të vdekurve? A nuk na ka dhënë Krishti gjithë sa kemi nevojë për këtë jetë dhe botën që do të vijë, për të tashmen dhe përjetësinë? Jezui thotë: „Ai që më ndjek pas nuk do të ecë në errësirë, po do të ketë dritën e jetës“ (Joani 8:12).

 

26. Mesmerizmi

Mesmerizmi dhe manjetizmi janë po aq të njohura sa edhe praktikat e tjera okulte. Në përgjithësi, mjekët dhe shkencëtarët e hedhin poshtë rëndësinë e tyre. Okultizmi, nga ana tjetër, thekson dobinë e tyre. Puna ime pastorale më ka treguar se  mesmerizmi është i lidhur me magjinë. Është një fuqi që i takon sferës medium të natyrës. Kam zbuluar se, kjo aftësi, gjendet në familjet ku paraardhësit merreshin me okultizëm dhe, në veçanti, me magjepsje. Po ashtu sikundër në Dhjatën e Re lexojmë mbi dhuntitë e Frymës së Shenjtë (1.Korinthasve 12:9-10), po ashtu ekzistojnë dhunti demoniake që janë, si të thuash, dhuratat e Djallit. Pasardhësit e magjistarëve paraqesin aftësi të tilla: ndjeshmëri tejshqisore, vështrim të përtejshëm, ndjeshmëri mbi normale, sugjestivitet, telepati, mesmerizëm, aftësinë për të përdorur një pendul, ose një shkop, aftësinë për të rënë në trans. Tek pasardhësit, praktikat magjike të paraardhësve mund të zvogëlohen, po mbeten disa dhunti bazë. Edhe kur këto dhunti duken si të neutralizuara, ato mbajnë gjithmonë era magji. Gjëja më a mirë për një person që ka aftësi të tilla, është të mos i verë ato në funksionim dhe të mos bjerë në tundimin në të cilin e shtyn krenaria. Njerëz me aftësi medium duhet t’i luten Krishtit që t’ua  marrë këto aftësi. Ja disa shembuj:

I/94. Një grua vajti tek Dr.Trampler në Mynih. Ai e kuroi me sukses nga lumbagoja. Gjatë terapisë, gruaja duhej të ngrinte gishtat lart që të shërbenin si antenë për forcat kozmike, sipas doktorit. Kur u kthye në shtëpi, ndonëse ishte shëruar, gruaja ndjente një pengesë në besimin e saj tek Zoti. Nuk lutej dot dhe i dukej sikur kishte një mur të pakapërcyeshëm midis saj dhe Perëndisë.

I/95. Një besimtar kristian, miku im, mësues me profesion, vajti një herë të kurohet nga një që merrej me mesmerizëm. Vetë ky i fundit njihej si besimtar, ndryshe miku im nuk do të kishte vajtur tek ai. Për të qënë i sigurtë, mësuesi e pyeti burrin: „Është e sigurtë se nuk përdorni forca demoniake?“ Ai iu përgjigj: „Po forcat demoniake janë të dobishme. Demonët mund të na shërbejnë“. Kur dëgjoi këto, miku im u largua menjëherë.

I/96. Një praktikant i mesmerizmit ishte në gjendje të kuronte shumë sëmundje. Edhe i ati, përpara, kishte qënë në gjendje të zbonte sëmundjet dhe të magjepste kafshët.

I/97. Një herë, kur e pyetën një doktor kristian mbi aftësinë e tij shëronjëse, ai u përgjigj: „Mesmerizmi natyral ka një rezervë të tillë që arrin për dy pacientë çdo ditë. Kush kuron më shumë, ose nuk arrin rezultate, ose merr fuqi nga Djalli.“

I/98. Një tjetër miku im, një predikator evangjelist, më tregonte eksperiencën e tij me një person që praktikonte mesmerizmin. Ai, për vite me radhë, kishte pasur suksese në shërime. Miku im kishte parë vetë se si kishte shëruar një vajzë që kishte qënë sakate që në lindje. Shëronjësi e kishte arritur këtë duke goditur sëmundjen me forca manjetike. Kur predikatori dhe i biri u sëmurën, predikatori vendosi t’i drejtohet këtij shëronjësi. Së pari, e pyeti shëronjësin nëse dhuntia e tij ishte nga Perëndia. Ai iu përgjigj se po. Kështu predikatori pranoi të kurohej ai dhe i biri. Shëronjësi nuk i preku direkt, po vetëm bënte shënja sikur godiste mbi shtyllën e tyre kurrizore në një distancë rreth 15 cm. Teksa ai bënte këto, predikatori lutej në heshtje: „Zot, nëse fuqia e këtij burri vjen nga ty, bekoi përpjekjet e tij, po nëse jo, atëhere mbrona të dyve.“ Pas trajtimit, nuk pati shënja përmirësimi. Pas disa ditësh ata vajtën prapë tek shëronjësi për një seancë tjetër, po ai iu tha: „Ju keni një frymë tjetër.“ Atëhere predikatori e kuptoi se me çfarë kishte të bënte dhe, që atëhere, nuk vajti më kurrë tek ai.
Pastori Modersohn, nën dritën e dijeve të tij të thella mbi metodat shëronjëse okulte, ka thënë: „90% e gjithë shëronjësve, atyre që merren me mesmerizëm dhe manjetizuesve, përdorin fuqi demoniake dhe okulte. Duhet të jesh i sigurtë se me kë ke të bësh, përpara se ta lësh veten të kurohesh nga njerëz të tillë. Nuk duhet të verbohemi nga paraqitja e tyre me ngjyra fetare e të besimit.“

 

27. Metodat Magjike të Shërimit

Metodat magjike të shërimit janë trajtuar tek pjesa Magjia dhe po ashtu tek Magjia e bardhë dhe e zezë. Këto metoda shërimi nuk i takojnë sferës së shkencës, sepse shtrihen përtej sferës së arësyes. Magjia, si e kemi parë, i takon sferës mediumistike të natyrës. Në këtë sferë veprojnë rregulla krejt të tjera. Shërimi magjik është shumë më i përhapur sesa mendohet normalisht. Një pastor në Gjermani më tregonte se, në kishën e tij, vetëm 10 familje nuk ishin marrë me magji të ndonjë forme. Në një konferencë pastorësh, një mjek tregoi se, në Lüneburger Heide ku kishte punuar, s’kishe familje ku të mos qe praktikuar shërimi me magji. Një tjetër pastor Zviceran, më tregonte se, në çdo shtëpi në fshatin e tij, përdoreshin libri i 6-të dhe i 7-të i Moisiut. Për këtë shiko edhe titujt Magjia dhe Magjia e bardhë dhe e zezë.

 

28. Neo-Racionalizmi

Libri Alarm um die Bibel i Dr.Bergmann, është një libër shumë i mirë që hedh dritë mbi rënjët e teologjisë moderne dhe mbron Biblën nga influenca shkatërrimtare e liberalizmit. Për ata që duan të shikojnë edhe më thellë në këtë çështje, do të rekomandoja edhe dy libra: Glauben an Jesus, (Besimi tek Krishti) i profesor Künneth dhe Um die Wahrheit der Heiligen Schrift (Mbi vërtetësinë e Shkrimit të Shenjtë) i Otto Rodenberg.
Duke folur nga eksperienca ime, mund të them se, nëpërmjet punës këshilluese, më janë hapur sytë e kam pare tragjeditë dhe nevojat e thella që lidhen me teologjine moderne dhe neo-racionalizmin sot. Jezui thote: „Do t’i njihni nga frutet e tyre“ (Mattheu 7:16).
Para ca kohësh, mora një letër nga një familje që jeton në Schwarzwald. Autori i letrës, sëbashku me familjen, është evangjelist. Letra ishte mbi djalin e tij të madh. Djali kishte qënë ndër më të mirët e klasës për 7 vjet me radhë. Pastaj, gjatë një misioni, kishte gjetur besimin dhe, pas kësaj, lexonte rregullisht në Bibël e lutej çdo mëngjes. Pastaj, në atë zonë kishte ardhur një pastor. Ai ishte doktor në teologji dhe mori përsipër edukimin fetar të klasave më të larta të shkollës. Djali, i cili kishte filluar të dëshironte të studionte teologji, u konfrontua me teologjinë racionaliste të pastorit të ri. Materiali teologjik që merrte në shkollë, filloi të duket edhe në diskutimet që bëheshin në shtëpi. Një ditë i tha të atit: „Bibla nuk është fjala e Perëndisë, po vepër e njerëzve dhe përmban shumë gabime. Fakti historik i lindjes së Krishtit dhe i kryqëzimit të tij, nuk ka ndonje rëndësi, rëndësi ka të zbulohet kuptimi që fshihet pas këtyre.“ Djali merrte mësime nga ky mësues për dy vjet rrjesht dhe dalëngadalë filluan të shfaqen konseguencat shkatërruese të kësaj teologjie. Ai hoqi dorë nga mendimi për të studiuar teologji. E la të lexuarit e Biblës dhe të luturit. Sipas tij, nuk vinte ndonjë përgjigje nga lutjet dhe, madje, siç i kishin shpjeguar, lutja ishte vetëm një mjet për të qetësuar mendjen dhe jo një bisedë me personin e Perëndisë. Me të drejtë babai shtronte pyetjen: A duhet t’i ekspozojmë fëmijët tanë ndaj influencës së mësuesve të tillë, të cilët shkatërrojnë gjithçka u është mësuar atyre më parë nga vetë prindërit, ose evangjelistë të vërtetë? Ky prind është shumë i shqetësuar se tani edhe djali i tij i dytë është në po atë shkollë dhe merr mësim teologjie nga po ky mësues.
Duke iu përgjigjur letrës së tij, i thosha se, si baba, edhe unë vetë kam përgjegjësi përpara Perëndisë që t’i ruaj fëmijët e mi nga influenca shkatërruese e neo-racionalizmit. Si predikues i kishës zyrtare, është më mirë të mos i lejoj fëmijët e mi të ndjekin mësimin e fesë, sesa t’i ekspozoj ata ndaj helmit që vjell sot kritika destruktive e Biblës. Kur vajza ime u konfrontua në shkollë me një situatë të tillë, i thashë të mos shkonte më në këtë mësim. E para gjë që më tha vajza ishte: „Po ç’do të thonë njerëzit në rast se nuk vete në këtë mësim, kur babai im është pastor?“ Iu përgjigja: „Nuk kam frikë se ç ‚do të thonë njerëzit. Problemi është se si qëndron e vërteta e jo t’u nënshtrohemi opinionit të njerëzve.“
Do të më duhej shumë kohë të trajtoja të gjitha rastet me të cilat jam ndeshur, që lidhen me teologjinë moderne. Ndoshta mund t’ju tregoj diçka që kam dëgjuar në Australi. Isha në një konferencë pastorale, kur erdhën disa anëtarë të kishës luterane dhe më thanë: „Për 400 vjet Gjermania ka udhëhequr në fushën e teologjisë, po ka disa vjet që mendimet teologjike që vijnë që andej na fusin tmerrin.“ Të tilla komente kam dëgjuar në Azinë Lindore dhe në Afrikën e Jugut. Ku vemi, kur periodikë të kishës shkruajnë se Luteri dhe Jezui i besonin Djallit, pasi ishin të kufizuar nga idetë e kohës së tyre? Nëse kjo është e vërtetë, asnjë nga ato që thonë ata nuk mund të ketë autoritet. Kur e lexova  diçka të tillë unë vetë, e hodha tutje gazetën. Po një shenjë e tillë proteste, është si një pikë uji në një kovë. Po rëndësi ka që, ne vetë, të mos gjendemi fajtorë se u pajtuam me drejtime të tilla, ose u treguam tolerantë. Kushdo që përpiqet të mohojë ekzistencën e Djallit, i sjell atij një shërbim të vlefshëm. S’ka gjë më të mirë për të, sesa të tretet si një nocion i vagullt i Mesjetës, i cili nuk ka sot asnjë kuptim.
Tani një histori inkurajuese për të përfunduar. Gjatë një misioni në Gjermaninë veriore, një predikues më tregoi këtë histori nga vendi i tij. Në predikimin e tij, një pastor kishte mohuar se Krishti, që lindi si fëmijë, ishte biri i Perëndisë. Kryepleqtë e kishës u mblodhën pas predikimit dhe, pas një diskutimi të gjatë, vendosën të mos lejojnë që të predikohen teologji të tilla në kishën e tyre. Pastaj i bënë të njohur pastorit vendimin e tyre dhe i thanë se nuk do t’i lejohej të predikonte më në atë kishë. Edhe autoriteteve të kishës iu bë i njohur ky vendim dhe ato ranë dakort. Pastorin e transferuan në një detyrë tjeter. Sigurisht u bë skandal i madh, po duhen përgëzuar kryepleqtë për veprimin e tyre.
Neo-racionalizmi kërkon të thotë se vendin e nderit e merr arësyeja njerëzore. Po në Dhjatën e Re shikojmë pikërisht se si dija dhe mënçuria hiqen nga piedestali i nderit. Pavli shkruan: „A s’e bëri Perëndia marrëzi mënçurinë e kësaj bote?“ (1.Korinthasve 1:20) dhe: „Mënçuria e kësaj bote është marrëzi në sy të Perëndisë“ (1.Korinthasve 3:19). Ja cila është përgjigjia e Biblës ndaj teologjisë racionaliste: „Tek Jezu Krishti fshihen gjithë thesaret e mënçurisë dhe diturisë“ (Kolosianëve 2:3).

 

29. Parashikimi i fatit

Kam trajtuar problemin e parashikimit të fatit në librin tim Krishti apo Satanai, prandaj nuk është e nevojshme këtu të futemi në hollësira. Fushat më të rëndësishme të parashikimit të fatit janë astrologjia, falli me letra, falli i dorës, përdorimi i shkopit ose pendulit, parashikimi me pasqyrë, psikometria. Duhet dalluar midis tipit intuitiv dhe sugjestiv të parashikimit të fatit. Parashikimi i fatit ka dy anë, influencimin dhe plotësimin. 95 % e parashikimeve të fatit, mbase edhe më shumë, janë mashtrim për të fituar para. Për shkak të karakterit sugjestiv, edhe falli mashtrues mund të jetë shumë i rrezikshëm. 5 % e parashikimeve të fatit varen nga fuqi tejshqisore dhe ekziston një debat i madh midis teologëve dhe parapsikologëve lidhur me karakterin etik të këtyre praktikave. Bibla vetë mban një qëndrim shumë të qartë mbi këtë çështje. Profecia frymëzohet nga Fryma e Shenjtë dhe vjen nga Perëndia. Parashikimi i fatit  frymëzohet nga fryma e Satanait dhe është i Djallit. Pasojat e parashikimit të fatit, flasin po ashtu në një gjuhë shumë të qartë. Sipas Shkrimit të Shenjtë, parashikimi i fatit është blasfemi. Dhe ja disa shëmbuj që mund të mbështeteshin edhe nga shumë shëmbuj të tjerë të ngjashëm.

I/99. Një grua 42 vjeçare ishte konsultuar shpesh me astrologë dhe kishte kërkuar që t’i bëheshin me dhjetra horoskope. Së fundi ra në depresione të thella dhe u përpoq të bëjë dy herë vetëvrasje duke pirë ilaçe gjumi. Kishte edhe shpërthime të forta nervash. Gjatë bisedave këshilluese, rrëfeu për jetën e saj të kaluar, po megjithatë, nuk ishte në gjendje të gjente besimin. Iu desh të luftonte për muaj me radhë, që të gjente paqen dhe sigurinë e besimit.

I/100. Një misionar i njohur kristian lexoi një herë rastësisht në një hotel një horoskop. Ai nuk kishte ndonjë interes për astrologjinë dhe lexoi horoskopin vetëm se pa që i referohej ditës së tij të lindjes. Ajo që i zuri syri, ishte kjo fjali: „Ata që i japin sot makinës, duhet të kenë shumë kujdes“. Kur u largua nga hoteli, vuri re se po i jepte makinës me një kujdes, për të, të jashtëzakonshëm. Më pas, duke biseduar me dikë po atë ditë, misionari vuri në dukje se duhej të ishte influencuar nga astrologjia.

I/101. Një grua që kishte vajtur shpesh t’i hidhnin fall me letra në raste të ndryshme, vajti tek një astrolog dhe i kërkoi një horoskop. Bleu gjithashtu edhe letra mbrojtëse dhe parashikime të shkruara të fatit. Pas kësaj, filloi të ketë idera për vetëvrasje dhe nuk pranonte të dëgjonte më për Perëndinë. Një mjek nervash që e pa, tha se gruaja vuante nga histeria.

I/102. Një grua e re donte të mësonte të parashikonte fatin. E mësoi e motra, e cila kishte kohë që merrej me okultizëm. Një ditë, në kishën e tyre u bë një takim. Të dy motrat vajtën në këtë takim. Motra e dytë besoi dhe u bë kristiane. Menjëherë pas kësaj vuante natën nga skena përndjekjeje. Forca të padukshme e rrihnin derisa i dilte gjak. Pas kësaj, erdhi tek unë të këshillohej.

I/102a. Një vajzë merrej me parashikimin e fatit prej disa vjetësh. Pas ca kohe, iu bë një ekzemë e fortë në të dy duart. Donte të bëhej besimtare kristiane, po nuk mundej.
A nuk është shprehje e mëshirës së Perëndisë, fakti që një perde na e fsheh atë që na pret në jetë? Po ta dinim atë që na pret, nuk do të ishim në gjendje të merrnim vendime, do të na paralizohej iniciativa dhe nuk do të kishim gëzim për të jetuar. Heshtja e Perëndisë përmban shumë më tepër dashuri dhe mirëdashje sesa përpjekjet e fallxhorëve për të zbuluar të ardhmen, ndonëse duket sikur ata e bëjnë këtë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve. Duke mos përmendur këtu se, ky i ashtuquajtur „zbulim i së ardhmes“, është shumë i dyshimtë dhe e rëndon shumë njeriun.

 

30. Parashikimi me hënën

Falli me hënën lidhet me shumë bestytni e zakone pagane. Fjala vjen, në disa vende nuk martohen, nëse hëna është në fazën e zvogëlimit. Në vende të tjera bujqit i planifikojnë të mbjellat në varësi të pozicionit të hënës. Nata e hënës zgjidhet si kohë e favorshme për të bërë magji. Ka shëronjës që përdorin metodat e tyre homiopatike po në natë me hënë të plotë. Nuk e them këtë për të zvogëluar rëndësinë e homiopatisë, po duhet thënë se, gjithçka që praktikohet në varësi nga hëna e plotë, ka lidhje me magjinë. Në ato fshatra ku besojnë shtrigat, dalin për të bërë gjahun e shtrigave kur fillon e zvogëlohet hëna.
103. Nja herë, tek një grua, vajti një praktikant i pendulit. Ai i shiti asaj pak çaj dhe i tha të pinte një filxhan në ditë, në kohën që hëna fillonte e zvogëlohej. Ajo bëri si i tha ai dhe shqetësimet e saj shëndetësore u zhdukën, po ndoshta, në këtë rast, më tepër si pasojë e autosugjestionimit sesa e magjisë. Pas kësaj gruaja filloi të ketë depresione, gjë që nuk e kish pasur më parë.
104. Një grua e kishin magjepsur kur kishte qënë e re, që ta shëronin nga një sëmundje. Pas kësaj, gruaja kishte fituar aftësi medium, telepati, klervuajansë. Po ashtu, jeta e saj fetare u vështirësua shumë.

 

31. Përkushtimi me nënshkrim gjaku

Këto janë disa nga praktikat më të tmerrshme që lidhen me supersticionin. Ja disa shembuj:

I/105. Një grua ia përkushtoi veten djallit duke nënshkruar me gjakun e saj. Ajo i takonte një grupi spiritist me rreth 15 veta, të cilët vazhdimisht i bënin thirrje Djallit që të shfaqej. Sa herë e bënin këtë, shfaqej një figurë e tmerrshme dhe pastaj anëtarët e grupit bënin orgji. Gruaja ishte medium i grupit dhe kudo që të ishte, drejtuesi i grupit hynte në kontakt me të nëpërmjet hipnozës. Një ditë, gruaja erdhi në një mbledhje evangjeliste. Fjala e Perëndisë e vuri përpara përgjegjësisë dhe rrëfeu mëkatet e jetës së saj. Pas kësaj kishte tundime të tmerrshme. Më tregoi se natën, i urdhërohej rregullisht që të bënte vetëvrasje. E shtyrë nga gjendja e vazhdueshme e ankthit në të cilën ndodhej, kërkoi ndihmë. Një ditë, ajo tregoi se djalli kishte vënë mbi gjoksin e saj një vulë pronësie, të cilën ia kishte treguar edhe së motrës. Ishte një patkua kali me gërmën S në mes. U mbodh një grup besimtarësh dhe filluan të luten për gruan e shkretë. U mor edhe mendimi i disa psikiatërve  kristianë. Ishin të gjithë të mendimit se ishte një rast i pushtimit nga demoni dhe jo sëmundjeje të mendjes.
I/106. Një grua nënshkroi dy herë përkushtimin e saj Djallit. Kur mbeti shtatëzënë vitin e parë të martesës, edhe fëmijën e palindur ia përkushtoi Djallit. Fëmija, kur lindi, shfaqi shumë shpejt shenja seniliteti. Sot, ndonëse fëmija është vetëm 8 vjeç, i kanë rënë flokët dhe ka rrudha në fytyrë si një grua 50 vjeçare. Nëna vetë ka aftësi medium. Një herë, në një gjendje transi, rrëfeu se brënda saj, janë katër djaj. Ka kriza në të cilat bëhet e fuqishme si një ari. Një herë, një i njojturi im prift u ndodh i pranishëm kur e zuri kriza dhe ajo e mbërtheu fort. Megjithatë, kur thirri: „Mua më mbron gjaku i Krishtit“, gruaja, e frikësuar, e lëshoi.

I/107. Vajza e një fallxhori letrash ia kishte përkushtuar veten e saj Djallit disa herë në rini. Gjatë një misionimi, shpirti i saj u zgjua prej Fjalës së Perëndisë. Ndoqi këshillën e misionarëve dhe rrëfeu mëkatet e saj. Megjithatë nuk arriti të bëhej tamam besimtare. Brenda saj filloi një konflikt i madh midis fuqive të errësirës dhe Fjalës së Perëndisë. Një ditë ajo lexoi tek Dhefteronomi kapitullin 18. U tërbua kaq shumë, sa e nxiu me zhgaravina tërë faqen. Kapitulli vetë flet për magjepsje, parashikim të fatit, magji, etj. Pas kësaj, ajo u mërzit shumë që e kishte shkatërruar Biblën dhe tregoi se nuk kishte qënë dëshira e saj, po një forcë e çuditshme e kishte shtyrë. Një grup besimtarësh u mblodhën të luten për të, po akoma sot gruaja nuk është çliruar.

I/108. Një burrë diku në lëndinat alpine kishte shumë sukses si shëronjës me mjete të natyrës. Shëronte raste që mjeku i kishte përcaktuar si pa shpresë. Shëronte të verbërit, sakatë dhe shurdhër. Një ditë, duke reflektuar, ai kuptoi se çfarë mish- mashi ishte jeta e tij. Si u shpreh ai vetë: „Mund të ndihmoj të gjithë të tjerët, po për mua nuk ka asnjë ndihmë, në jetë të jetëve.“ Kur kishte qënë i ri, ai ia kishte përkushtuar veten Djallit. Që pas kësaj, kishte fituar aftësitë e tij shëruese.
Në gjithë përvojën time kam takuar vetëm dy raste kur njerëz që i janë përkushtuar Djallit, janë çliruar prej tij me hirin e Perëndisë.

 

32. Psikoanaliza

Tema tjetër në listën tonë është psikoanaliza. Shumë mjekë e psikoterapistë nuk do të ishin fare dakort që kjo çështje të shtrohej për t’u diskutuar. Megjithatë, do t’u lutesha që të mos nxeheshin menjëherë, po të prisnin pak. Përpara se të filloj, dua të them se unë jam plotësisht dakort me përdorimin e psikoterapisë, kur ajo praktikohet nga kristianë besimtarë. Po jo çdo psikoterapist që pretendon se është besimtar, është me të vërtetë i tillë. Është për të ardhur keq, po në botën kristiane sot, shumë parime të Biblës janë errësuar. Me përkufizim, një besimtar i vërtetë kristian, është ai që, në sajë të hirit të Perëndisë, është lindur përsëri nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nëse edhe psikoterapisti ka kaluar një eksperiencë të tillë, atëhere jam edhe unë i gatshëm ta përkrah punën e tij, dhe ka shumë të tillë.
Do të ishte këtu me vend të përmendnim një shembull për t’iu kundërvënë gjithë konfuzionit që krijon bota okulte. Njoh një psikoterapiste që e shikon shumë thellë përgjegjësinë e saj përpara Perëndisë në punën që bën. Ajo nuk bën vetëm psikoanalizën e pacientëve të saj, po përpiqet t’i drejtojë ata tek besimi i Krishtit. Mund të dëshmoj personalisht se, shumë nga pacientët e saj, janë konvertuar në besim nëpërmjet punës së saj. Ajo ka sjellë bekim për shumë njerëz. Fatkeqësisht shembuj të tillë nuk janë shumë. Gjatë 30 vjetëve që merrem me biseda këshilluese me njerëzit, kam parë se puna që bëjnë shumë psikoterapistë dhe psikoanalistë, duhet parë e hetuar me kujdes. Një student zvicerian që sapo kishte marrë dipllomën, më tha një herë duke qeshur: „Psikoterapistët e zbërthejnë sahatin, po pastaj nuk e mbërthejnë dot prapë.“ Po kjo për mua nuk është kryesorja. Psikoanaliza që bën një person jo besimtar është, në fakt, një proces këshillues pa Perëndinë. Psikoanaliza është, si të thuash, një paralele profane e rrëfimit të mëkatit. Po rrëfimi, sipas Biblës, ka shumë avantazhe më tepër se psikoanaliza. Konfesioni, rrëfimi, është një veprim i ndërgjegjes së lirë, kurse psikoanaliza është të zhytesh me orë të tëra në subkoshiencën e personit. Rrëfimi e sjell personin ballë për ballë me Perëndinë.
Psikoanaliza i redukton shpesh problemet thelbësore të besimit në nivelin e faktorëve rrethanorë dhe edukues. Në fakt psikoanaliza përpiqet të shpërbëjë thelbin e jetës spirituale të njeriut dhe ta reduktojë atë në një numër kompleksesh psikologjike. Herë pas here edhe vetë shkenca mjekësore aludon për rreziqet e psikoanalizës. Këtë e shikojmë veçanërisht në librin e Dr.Speer, Der Arzt als Persönlichkeit (Mjeku si personalitet). Nuk duhet harruar asnjëherë të shtrohet pyetja nëse psikoanalisti është, ose jo besimtar. Në rast se po, atëhere ai do të ketë respekt për problemet dhe çështjet e pacientit që lidhen me besimin e tij tek Perëndia. Po ju jap disa shembuj të dalë nga vetë përvoja ime mbi disa trajtime psikoanalitike krejt të papranueshme.

I/109. Një diplomant u kurua në fillim nga një specialist për sëmundje të brendshme dhe pastaj nga një psikoterapist. Ai vuante nga disa shqetësime nervore e psiqike. Pacienti u deziluzionua shumë me terapinë e psikoanalistit. Ai më tregonte se psikoterapisti vetëm përpiqej të zbulonte gabimet e tij, dobësitë e karakterit dhe represionet, pa marrë seriozisht problemin e fajit tek individi. Psikoterapisti analizoi me kujdes ëndrrat konfuze të pacientit, pa përfillur reagimin e tij ndaj mëkatit. Diplomanti më tregonte se psikoterapisti as ishte marrë fare me problemin e ekzistencës së Zotit. Përveç kësaj, asnjë nga mjekët me të cilët ishte konsultuar nuk i kishte dhënë rëndësi faktit se diplomanti ishte ngatërruar me okultizmin. Pacienti kishte qënë spiritist për shumë vite me radhë dhe ishte marrë me magji të bardhë e të zezë, si edhe me parashikime të fatit. Shqetësimet e tij nervore ishin shfaqur pasi ai kishte filluar të ngatërrohej me okultizmin. Doktorët pra, nuk kishin marrë parasysh dy faktorë jetikë në historinë e sëmundjes së pacientit. Së pari, ndjenjën e tij të fajit ndaj Perëndisë dhe së dyti, përvojën e tij të kaluar si okultist.

I/110. Një grua 54 vjeçe erdhi tek unë për t’u këshilluar. Ajo kishte qënë tek një psikoterapist për kurim, po pas  terapisë, kishte pasur simptoma paralize dhe spërdredhje nervore të duarve. Përveç kësaj, për sa i përket besimit, gruaja kishte rënë në një konfuzion të madh. Pata përshtypjen se edhe terapia vetë, kishte qënë e paplotë, se ndryshe, ndoshta do të kishte qënë e mundur të shmangeshin simptomat e reja të paralizës që ishin shfaqur.

I/111. Një psikiatër, besimtar kristian dhe i njohuri im, kishte lejuar që ta përdornin si kavje për eksperimente gjatë një procesi analize. Ai merrte pjesë në një proces psikoanalize të drejtuar nga një profesor i një seminari psikosomatik. Më tregoi për eksperiencën e tij në këtë proces duke më përshkruar shumë qartë ndjenjat e tij. Procesi i analizës i kishte shkaktuar kaq shqetësime, saqë pothuaj kishte humbur besimin e tij kristian. Kishte lexuar për orë me radhë Fjalën e Perëndisë dhe ishte lutur  ditë e natë që të mos humbiste krejt besimin. Sot ai shprehet se nuk është dakort që persona që nuk janë besimtarë të përdorin psikoanalizën. Po theksojmë edhe një herë se, kur themi besimtarë, ose jo besimtarë, kriteri nuk është, venë në kishë, ose jo. Besimtar nuk është ai që është pagëzuar, ose konfirmuar, apo ai që vete në kishë regullisht, ose herë pas here. Jo, besimtar kristian është ai që, sipas Ungjillit të Johanit 3:3-5, ka përjetuar një rigjenerim themelor në sajë të veprimit të Frymës së Perëndisë. Vetëm ky fakt përcakton, nëse personi është, ose jo besimtar. Ndonëse shumë mjekë mund të pretendojnë se janë kristianë, bindjet e tyre, qëndrimi i tyre ndaj jetës, kanë shumë pak gjëra të përbashkëta me ato që thotë Dhjata e Re.

I/112. Një grua e re vajti tek shefi i një klinike psikiatrike në Gjermani. Këshilla profesionale që iu dha ishte të mos vente në kishë dhe të mos lexonte Biblën për disa vjet. Iu rekomandua të mos merrej fare me çështje fetare e të besimit. Ai ishte i bindur se Djalli nuk ekzistonte. Po ky mjek i paralajmëronte njerëzit që të mos vinin në takimet misionare që mbaja unë në po atë qytet. I ndalonte infermieret që të vinin në këto takime dhe ua merrte librat e mia pacientëve. Gjatë punës sime këshilluese mësova se ai vetë ishte marrë me gjëra okulte dhe kjo shpjegon edhe kundërshtimin e tij ndaj çdo gjëje kristiane.

I/113. Një studente, e cila bëri një psikoterapi gjatë specializimit të saj psikologjiko-mjekësor, pësoi një krizë të fortë nervore. Për muaj me radhë nuk gjente qetësi. Nuk kishte gjumë dhe kishte  një shqetësim të madh të brendshëm. Psikoanalisti i tha se kjo vinte nga që ajo kishte një kompleks të fortë me nënën e saj dhe, si pasojë e këtij konstatimi, ajo i preu të gjitha marrëdhëniet me të ëmën, duke u larguar nga shtëpia. Po ashtu, mësuesi i tha se besimi i saj ishte një lloj kompleksi tjetër që kishte ajo ndaj kishës, kështu që edhe besimin, studentja e hodhi tutje. Kur mbaroi psikoanaliza, vajza kishte arritur në konkluzionin se shumica e njerëzve drejtohen nga një seri kompleksesh. Po gjatë këtij procesi psikoanalize, ajo vetë ishte mbyllur në vete dhe ishte shkatërruar. Nga e ëma dhe një profesor i saj i mjekësisë, mësova se ajo nuk gjen qetësi të brendshme dhe ka dy vjet që i mungon stabiliteti mendor.

I/114. Një i njohuri im, kryetar i përfaqësisë fetare të një rrethi në Zvicër, më kërkoi të veja të vizitoja një kolegun e tij që ishte në spital për shkak të disa shqetësimeve psiqike. Kolegu i tij që shërbente në kishën evangjeliste, më rrëfeu hapur mëkatet e tij. Më vonë, m`u ankua se psikoterapisti, i cili e kishte kuruar, nuk i kishte marrë seriozisht ndjenjat e tij të fajit, po kishte qënë  i mendimit se ato ishin produkt i edukatës kristiane që kishte marrë pacienti. Sipas tij, nuk ekzistonte i ashtuquajturi faj. Më vonë, pata rast të bisedoj me këtë psikoterapist dhe m’u konfirmuan ato që më kishte thënë edhe kolegu i shokut tim lidhur me të. Psikoanalisti pranonte vetëm faktet konkrete lidhur me njeriun dhe universin, ndërsa besimi tek Perëndia, ndjenja e fajit e të tjera, ishin fiktive, thjeshtë një fantazi fetare. Si mundet një psikoterapist me mendime të tilla të ndihmonte një besimtar? Ajo që ofronte ai nuk ishte ndihmë, ishte vdekje shpirtërore. E këshillova të njohurin tim të interesohej ta hiqte kolegun e tij nga ai spital.

I/115. Një grua erdhi të këshillohet me mua në një qëndër kurimi në Gjermani. Psikoterapisti që e kuronte i kishte thënë të mos vinte tek unë, po megjithatë, ajo erdhi. Gruaja kishte frekuentuar mbledhjet që kisha mbajtur në atë vend dhe m’u rrëfye hapur për mëkatet e saj. E pyeta nëse ia kishte rrëfyer këto edhe psikoanalistit. Ajo më tha se jo, dhe shtoi se kjo do të kishte qënë e pamundur. Ajo kishte qënë tek ai 40 herë dhe kishte paguar rreth 2 lira stërlina orën, ndërsa tani, brenda një gjysëm ore, kishte gjetur faljen e mëkateve të saj nëpërmjet Krishtit dhe kjo s’i kishte kushtuar asnjë qindarkë. Mjekët që nuk janë besimtarë të vërtetë do të bënin mirë të mos merreshin me psikoanalizën. I vetmi sukses i tyre do të jetë ta drejtojnë pacientin në një konfuzion të rrezikshëm spiritual. Po e përsëris edhe një herë, në Dhjatën e Re, termi „Nxënës i Krishtit“ dhe „Besimtar“, nuk  i referohet një personi që është pagëzuar, ose vete rastësisht në kishë. Edhe nëse babai i dikujt shërben në kishë, ose është evangjelist i dëgjuar, ose gjyshja ishte shumë besimtare, kjo nuk do të thotë se ai person vetë i vete pas Krishtit. Jo, njeriu duhet të rilindë shpirtërisht se, pa këtë rilindje, askush nuk mund të jetë besimtar.

 

33. Psikografia

Psikografi është një aparat që përdoret në rrethet spiritiste si instrument për të marrë mesazhe të shkruara nga shpirtrat e të vdekurve. Ashtu siç thotë edhe Isaia: „Nuk duhet që njerëzit të pyesin Perëndinë? Është nevoja të pyesin të vdekurit që të mësojnë për të gjallët?“ (Isaia 8:19).
Që nga koha e botimit të tretë të këtij libri, është përhapur një epidemi e vërtetë lidhur me këtë aparat që e quajnë edhe planchette, ose ouija board. Një periodik shkruante se, në 1967, në Amerikë, u shitën rreth 4 milion aparate të tilla. Ouija board është një sipërfaqe rrethore që ka gërmat e alfabetit gjatë perimetrit të vet, ndërsa në qendër një rreth të formuar nga numrat  0 deri tek 9-ta. Kjo sipërfaqe përdoret sëbashku me një pendul, ose pasqyrë, në mënyrë që të merret informacioni nëpërmjet kontaktit me të vdekurit. Mos ka harruar Zoti të ndihmojë njerëzit? Prandaj u janë kthyer njerëzit demonëve për ndihmë? Nuk është as ashtu si kërkojnë të na thonë disa, se kjo e gjitha është një lojë e subkoshientit. Po t’u hedhim një vështrim pasojave, do të konstatojmë se nuk është aspak kështu.

 

34. Psikometria

Psikometria është një tjetër formë e parashikimit të fatit dhe është trajtuar më gjatë në librin Krishti apo Satanai. Psikometria konsiston në atë që, një person mban një objekt në dorë dhe jep të dhëna lidhur me pronarin e këtyre artikujve. Ja disa shembuj.

I/116. Hollandezi klervuajant i mirënjohur Croiset mbante leksione në Kaiserslautern, Gjermani, mbi klervuajancën eksperimentale. Të pranishëm ishin edhe profesor Bender nga Freiburg dhe profesori Tenhaeff nga Utrecht. Ai u kërkoi të pranishëmve t’i jepnin disa objekte. Pastaj Croiset tha gjëra të ndryshme lidhur me objektet dhe pronarët e këtyre objekteve dhe, ato që tha, u verifikuan si të vërteta.
I/117. Një pastor më tregonte këtë histori: Gjatë luftës, tre vjet me radhë, nuk dihej se ku ishte i ati. Familja nuk dinte në ishte gjallë, apo kishte vdekur. Një ditë, u bëri vizitë një student. Ai dëgjoi se nuk kishin asnjë lajm për të atin dhe u kërkoi t’i jepnin një objekt që kish qënë i tij. Njerëzit e shtëpisë i dhanë kartolinën e fundit që kishin marrë prej tij. Studenti u përqëndrua mbi kartolinën dhe pastaj tha: „Jeton. Është rob lufte diku në Siberinë veriore.“ Madje u tregoi edhe vendin në hartë. Më vonë, kur i ati ishte kthyer në shtëpi, njerëzit e familjes kishin zbuluar se, me të vërtetë, kishte qënë rob në po atë vend ku u kishte thënë studenti.

 

35. Screening

Në disa  zona të Europës, ideja e ekranizimit të një shtëpie dhe gjithë territorit të pronave, po përhapet jashtëzakonisht. Përdorues të pendulit na thonë se ekzistojnë reze që lidhen me tokën, të cilat dëmtojnë shëndetin. Ata shtojnë se, këto reze, mund të bllokohen jashtë territorit të vendndodhjes së një shtëpie, ose prone, nëpërmjet disa kutive të vogla. Personalisht kam parë disa nga këto kuti, të cilat zakonisht përmbajnë një copë të vogël tel bakri, ose një pllakë të vogël bakri. Kushtojnë fare lirë për t’u bërë, disa qindarka, dhe pastaj i shesin me mijëra lekë. Është e qartë se me se kemi të bëjmë në këtë rast. Ekzistenca e këtyre të ashtuquajturave reze nuk është provuar. Ato nuk kanë të bëjnë, as me fushën gravitacionale elektrike të tokës, as me radioaktivitetin e tokës. Që në shekullin e 19-të, Helmholtz e mohonte ekzistencën e tyre. Sot fizikantë dhe gjeologë të dëgjuar, si fjala vjen profesor Pump, profesor Kirchenheimer, profesor Paskual Jordan në Gjermani, mohojnë ekzistencën e tyre. Mbeten megjithatë dy mundësi. Ka  disa kafshë dhe disa njerëz që janë të ndjeshëm ndaj fushës manjetike të tokës. Po në rast se ekranizimi ka të bëjë me këtë ndjeshmëri, atëhere matja e pasojave do të bëhej me aparate shkencore dhe jo me një kutiçkë, apo me një pendul. Mundësia e dytë është të presupozosh se bota ka një fushë mediumistike, të cilën mund ta perceptosh në mënyrë klervuajante nëpërmjet aftësive medium të praktikantëve të pendulit dhe fuqive të tjera medium. Ky presupozim, që nuk është krejt pa bazë, duhet provuar dhe mbetet i fshehur nën një vello të errët dhe mistike. Sidoqoftë, ka pasoja, po të kërkosh të merresh me aparate të tilla, të ashtuquajtura ekranizuese dhe radioesthezi. Nëse njeriu kërcënohet, përse të mos i drejtohet Perëndisë? „Kush banon në strehën e Më të Lartit, pushon në hijen e të plotfuqishmit, do t’i thotë Zotit: „Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im të cilit i besoj“ (Psalm 91).

 

36. Simbolizmi numerik

Simbolizmi numerik është një labirinth i komplikuar dhe njerëzit me natyë supersticioze e kanë shumë të vështirë të çlirohen prej tij. Numri më i njohur është numri 13, si një numër që sjell fatkeqësi. Ka shumë hotele që nuk kanë dhoma me numrin 13. Kur isha student në Heidelberg, kisha një dhomë në konvikt me numrin 12a. Në të majtën dhe të djathtën time ishin dhomat 12 dhe 14; dhe kjo në një ambjent universitar! Le të shikojmë historinë e një pastori luteran, me të cilin kam patur disa takime të veçanta.

I/118. Pastorin e kishin thirrur në një pagëzim, një miku i tij që ishte mjek. Pas ceremonisë së pagëzimit, pastorin e çuan në dhomën e ngrënies së familjes. Ai shfaqi shumë shqetësim, kur pa se sa vende kishin shtruar në trapez. I tha mikut të tij, doktorit: „Nuk mund të ulem. Trapezi është shtruar për 13 veta dhe kjo nuk ka për të dalë për mirë.“ Doktori u habit dhe i tha: „Si e thua ti këtë që je pastor? Njerëz si ti nuk kanë supersticione.“ Ndoqi një bisedë plot humor, po pastori qëndronte seriozisht në të tijën. Së fundi vendosën që fëmijëve t’u shtronin në dhomën tjetër, që të mos ishin 13 vende në tavolinë. Pas tre muajve, fëmija më i vogël i pastorit u sëmur dhe vdiq. Mjeku vajti në varrim. Rrugës duke u kthyer nga varrimi, ra fjala për ceremoninë e pagëzimit. Doktori u përpoq përsëri t’u rezistonte ideve supersticioze të pastorit. Po atë natë vetë fëmija i pastorit u sëmur dhe vdiq të nesërmen. Kur u varros fëmija, pastori i tha mjekut: „Po tani e beson që 13 është numër i keq?“

Ç’mund të thuash këtu për mesazhin kristian që predikonte pastori, kur shikon supersticionet e tij?
Gjithë jeta e përditshme është e mbushur me numra që marrin një simbolikë të veçantë. Fjala vjen, konsiderohet gabim të blesh bileta llotarie më datën 13 të muajit. Nuk është mirë të mbjellësh një numër çift farash. Një numër tek zogjsh ka perspektivë më të mirë rritjeje, sesa një numër çift. Një anije nuk duhet të niset për lundrim në datën 13 të muajit. Mendohet se sjell fatkeqësi, po të jesh i treti që ndez cigaren nga një çakmak i përbashkët. Tre kryqe të vizatuara mbi një derë, ose dritare, thuhet se sjellin fat. Eshtë mirë t’i largojmë sytë nga këto ide supersticioze e t’i kërkojmë Zotit të na mësojë që t’i „numërojmë ditët tona në mënyrë të atillë që të fitojmë një zemër të mënçur“ (Psalmi 90:12).

 

37. Spiritizmi

Sot spiritizmi është një lëvizje e përbotshme. Profesori Blanke në Zyrih ka llogaritur se rreth 70 milionë veta merren sot me spiritizëm, të cilët vijnë nga drejtime të ndryshme fetare. Këtë temë e kam trajtuar edhe në librin Krishti apo Satanai, prandaj nuk dua të bëj përsëritje. Spiritizmin e ndeshim në formën e vizioneve spiritiste, ngritjen e tavolinës, lëvizjen e pasqyrës, shkrimin automat, të folurën trans, shfaqjen e të vdekurve, ose materializimin, eskursionet e shpirtit, telekinezën (lëvizja e objekteve pa ndonjë mjet fizik), shfaqjen dhe zhdukjen e objekteve në dhoma të mbyllura, po ashtu edhe përndjekjen dhe mbrojtjen magjike. Shfaqja e fantazmave, po ashtu, mund të përfshihet në këtë listë. Me rëndësi në këtë sferë janë edhe kultet fetare spiritiste. Le të shikojmë disa shembuj:

I/119. Një grua 57-vjeçare jetonte në një shtëpi ku bëheshin mbledhje spiritiste. Natën, në intervalin midis orës 12 deri 1, në shtëpi bëhej një zhurmë e tmerrshme. Ngriheshin mobiljet dhe lëviznin objekte nëpër shtëpi. Një natë, u thyen 40 shishe me lëng frutash e zarzavatesh në qilar, ndonëse ndodheshin në një dhomë të mbyllur. Së fundi gruaja vajti në një shtëpi tjetër. Zhurmat pushuan, po natën i dukej sikur e kapte njeri nga fyti dhe i zinte frymën. Sa herë që përmendëte emrin e Jezu Krishtit, çlirohej.

I/120. Një besimtare kristiane e angazhuar në probleme sociale ishte në shtëpi me pushime. Natën dëgjonte të trokitura. E frikësuar, filloi të lutet. Atëhere iu bë sikur iu zu fryma. U interesua dhe pyeti se kush kishte banuar në shtëpi dhe mësoi se disa anëtarë të S.S-ve kishin mbajtur mbledhje spiritiste në atë shtëpi në kohën e luftës. Gruaja u këshillua me një besimtar. Ai u lut që fryma e keqe të largohej nga shtëpia. Pas kësaj, gruaja e tij filloi të kete depresione që vazhduan për 10 javë rrjesht.

I/121. Një grua më tregonte se fqinji i saj ishte spiritist me aftësi klervuajante. Një herë, ai i kishte vajtur në shtëpi dhe i kishte thënë: „Fëmija yt është në rrezik të madh. Ki kujdes.“ Pas dy javësh fëmijën e shtypi makina. Edhe spiritisti vetë kishte pasur një vdekje të tëmerrshme.

I/122. Një grua besimtare një herë vajti te një spiritist që ta ndihmonte të shërohej me magji. Pas kësaj, ajo humbi sigurinë e shpëtimit në besim. Filloi të ketë depresione dhe e mundonin ide vetëvrasjeje. Përveç kësaj, filloi të pijë cigare e pije alkoholike pa masë dhe të bëjë një jetë të shthurur seksuale.

I/123. Një grua vente për disa vite me radhë në disa mbledhje spiritiste. Së fundi arriti të hyjë vetë në kontakt me frymët, pa ndihmën e mediumit. Gjatë ditës ajo ishte në gjendje të fliste me to sikur të ishin të afërmit e saj. Fëmijët e kësaj gruaje kanë të gjithë depresione dhe ide vetëvrasjeje.

I/124. Një spiritist më tregonte se, për 30 vjet me radhë, kishte pasur një frymë të përtejme që e drejtonte. Kjo frymë i thoshte se çfarë duhet të bënte dhe ai gjithmonë i bindej. Një herë, fryma e urdhëroi të vente të takonte një çift, të cilët kishin edhe ata kontakte me frymë të përtejme, po nuk ishin akoma në gjendje të komunikonin plotësisht me botën e frymëve. Fryma e përtejme i dha spiritistit adresën korrekte të çiftit. Çifti i tregoi spiritistit se ata kishin filluar të merreshin me ngritjen e tavolinës, po nuk e kishin përvetësuar këtë teknikë. Spiritisti u tregoi se si të komunikonin me frymët. Fryma drejtuese i tha spiritistit po ashtu se në përjetësi, pas vdekjes, do të kishte një detyrë të rëndësishme. Si besnik që kishte qënë gjatë viteve, do të merrte një post të lartë ndër frymët e botës tjetër. Spiritisti kishte besim të plotë tek ato që i ishin thënë e premtuar. Në përfundim të bisedës sonë, më tha: „Një ditë do të më njihni në përjetësi“. Kur i fola për rreziqet e këtij komunikimi me frymët, ai më tha se isha verbuar.

I/125. Një djali 11 vjeçar nuk i mbahej urina. Prindërit u përpoqën me të gjitha mënyrat ta ndihmonin që të shërohej nga kjo sëmundje, po pa sukses. Së fundi, e ëma e djalit vajti tek një spiritist që praktikonte magji të zezë. Spiritisti bëri magji mbi një rrobë të djalit. Pastaj djali duhej ta vishte këtë rrobë dhe vërtet, pas kësaj, u bë mirë. Më vonë, kur u rrit, në moshën e rinisë, u përpoq të bëjë vetëvrasje. Një natë, e motra e tij që ishte besimtare, shumë e shqetësuar për të vëllanë, filloi të lutet natën për të. Kur, në një çast, ajo dëgjoi e tmerruar një të bërtitur. I vëllai erdhi i tronditur në dhomën e saj dhe i tregoi se ishte përpjekur të vriste veten. Ai i tha se, papritur, i kishte dalë përpara fytyra e saj, në çastin kur vinte lakun në fyt. Është një fakt i njohur se, eksperimentet me magji dhe spiritizëm, shpesh të çojnë në depresione dhe mendime vetëvrasjeje.
Duhet të përmendim këtu veçanërisht edhe spiritizmin që praktikohet në Brazil. Brazili është një bazë e fortë e spiritizmit. Atje gjen të gjitha format e spiritizmit duke filluar nga  spiritizmi i quajtur Kardek, që ka një orientim social, deri te format kriminale në kultin Makumba.
Nuk mund të mos lëvdosh aktivitetin bamirës të disa grupeve që i takojnë lëvizjes Kardek. Ata kanë ndërtuar shkolla, spitale, shtëpi fëmijësh, shtëpi banimi, salla konferencash dhe shumë objekte të tjera. Në Kuritiba vizitova „Albargo noturno“. Gruaja që ishte përgjegjëse atje, një person shumë i këndshëm, na dha gjithë informacionin që kërkonim dhe na tha gjithë krenari: „Vetëm në Brazil kemi 30 milionë anëtarë. Në 20 vjet ky numër do të jetë rritur duke arritur ndoshta gjysmën e popullsisë“. Është fakt se spiritizmi ka një rritje të dukshme.
Është interesante të dëgjosh edhe shpjegimet mbi besimin e tyre. Gruaja që sapo përmenda na shpjegoi: „Njerëzit riinkarnohen pas një intervali të gjatë kohe. Sipas veprave tona në këtë jetë, të mira, ose të këqia, na pret ngjitja, ose zbritja në jetën që vjen.“ Një princip të tillë kanë edhe fe të ndryshme të lindjes. Në përgjithësi është rruga e shpëtimit nëpërmjet veprave, po nuk ka asgjë të përbashkët me atë që thotë Bibla.
Lidhur me format kriminale të spiritizmit, do të flasim kur të përmendim kultin Umbanda dhe Makumba.
Nuk mund ta përfundojmë këtë pikë pa përmendur edhe format fetare të spiritizmit që gjejmë në Britaninë e madhe dhe në Amerikë. Duke vizituar Britaninë, kam parë se ka shumë kisha spiritualiste në gjithë vendin. Kur këto kisha bëjnë shërbimin e tyre, predikimin nuk e mban një pastor, po një medium, i cili flet nën influencën e frymëve të përtejme. Personi flet duke qënë në gjendje transi dhe shikon e flet me të vdekurit. Po Bibla na thotë se, praktika të tilla, janë të papranueshme e të pështira për Perëndinë (Levitikus 20:27) dhe Dhefteronomi 18:10-12).

 

38. Sugjestionimi mendor

Sugjestionimi mendor është një kapitull shumë i keq i magjisë. E kam trajtuar disi këtë problem në librin tim Seelsorge und Okkultismus (Këshillimi kristian dhe okultizmi), kështu që po përmend vetëm disa shembuj që demonstrojnë pasojat e rënda të trajtimit me sugjestionim mendor.

I/126. Një burrë që vuante nga tuberkulozi në mushkëri, vajti te një specialist. Radiografia tregoi një kavitet në mushkëri në madhësinë e një veze pule. Pacientin e çuan menjëherë në një spital në Davos, Zvicer. Doktori i tha së shoqes se ishte një rast pa shpresë. Nëna e pacientit vendosi të shkonte tek një praktikant i okultizmit në Maria Einsiedel, me emër Grätzer. Për një pagesë të konsiderueshme, Grätzer-i ra dakort ta trajtonte pacientin me ndihmën e sugjestionimit mendor. Në kundërshtim me prognozën e mjekut dhe të vetë pacientit, trajtimi ishte shumë i suksesshëm. Megjithatë, që pas kësaj, qëndrimi fetar i pacientit, ashtu si edhe karakteri i tij, ndryshuan shumë. Pushoi së vajturi në kishë dhe preu lidhjet me gjithçka që kishte përmbajtje fetare. Filloi të rendë pas një jete qejfesh me vese dhe liri seksuale. Madje kishte edhe ide vetëvrasëse. Shqetësimet psiqike dhe nervore e detyruan të kërkojë ndihmë. Po sa herë që i thuhej të lutej, nuk kishte as përqëndrim, as kujtesë. E ndjente veten sikur ishte diku larg. Ndjenja e të qënit diku larg, e cila shkaktohet shpesh si pasojë e lutjes, është një simptomë e njohur e magjepsjes.

I/127. Në disa zona të Zvicerës, shumë mjekë i dërgojnë raste të vështira tek njerëz që praktikojnë sugjestionimin mendor. Një pastor, i cili vete shpesh tek të sëmurët në spitalin Shën G. tregon se, pacientë që janë trajtuar me sugjestionim mendor, nuk duan të dëgjojnë fjalën e Perëndisë. Jo vetëm janë të pandjeshëm ndaj fjalës së Zotit, po edhe kundërshtarë të saj.

I/128. Një djalë 19 vjeçar kishte ekzemë. Vajti tek një shëronjës që përdorte sugjestionimin mendor dhe magjinë e zezë. Si u trajtua me sugjestionim mendor, ekzema iu zhduk menjëherë. Po qëndrimi i tij i brendshëm, pas kësaj, ndryshoi krejt. Më parë ai lexonte Biblën dhe lutej regullisht, po pas kësaj, u bë depresiv dhe i humbi çdo dëshirë për të lexuar dhe për t’u lutur.
Sugjestionimi mendor është paralelja demoniake e ndërmjetësimit me lutje që bën besimtari kristian. Kushdo që është i lidhur me Krishtin dhe ka vetë përvojën se, si Krishti iu përgjigjet lutjeve, mund ta kuptojë lojën e Satanait.

 

39. Supersticioni

Supersticioni është një mënyrë të menduari e të vepruari shkëputur nga Perëndia dhe përmban vendime dhe veprime krejt absurde. Këtë mund ta ilustrojmë duke parë një shembull në librin e Johann Kruse-s Hexen unter uns (Shtrigat midis nesh).

I/129. Një grua u shtrua në spital në Haltern, Gjermani, tre javë pasi qe martuar. Kishte disa plagë shumë të rënda, të cilat e çuan deri në vdekje. Përpara se të vdiste, arriti t’u thotë personelit të spitalit se plagët ishin rezultat i drurit që kishte ngrënë nga i shoqi dhe familja e tij. Një fallxhore nga Gelsenkirchen kishte thënë se ajo ishte magjistare. Si qe martuar gruaja, kishte rënë një epidemi ndër dhëntë e familjes së të shoqit; prandaj kishin thirrur  edhe fallxhoren. Sipas këshillës së kësaj të fundit, gruan fatkeqe e kishin mbyllur në një dhomë të errët dhe e kishin torturuar për vdekje duke e rrahur e duke mos i dhënë për të ngrënë. Shumë të bindur për vërtetësinë e fjalëve të fallxhores, familja e të shoqit i kishte zbatuar porositë e saj deri në fund. Më vonë i arrestuan, edhe ata, edhe fallxhoren.

I/130. Këtë histori e kam dëgjuar nga një pastor. Kishte vajtur një herë një person tek ai dhe i kishte kërkuar nëse mund t’ia pagëzonte të birin të djelën e ardhme. Kur iu tha se të djelën që vinte ishin edhe dy fëmijë të tjerë për t’u pagëzuar, burri kërkoi ta pagëzonte të birin në një datë të mëvonshme, se mendonte që është ters po të pagëzohej fëmija i tij i treti në radhë. Pastori u përpoq t’i shpjegonte se nuk ishte kështu, po pa dobi, dhe kështu u la që pagëzimi të bëhej një ditë tjetër.
Ka shumë ide supersticioze, veçanërisht lidhur me ditë martese e pagëzimi. Thuhet për shëmbull se, kur lind një fëmijë, së pari duhet e ëma të vejë me të në kishë dhe rrugës nuk duhet të flasë me njeri. Thonë, po ashtu, se është ters të dalësh me karrocë me fëmijën përpara se ky i fundit të jetë pagëzuar. Mendohet se sjell fat, po të kapësh buqetën me lule të nuses, ose po të kapërcesh me nusen pragun e derës. Po në rast se i besojmë me gjithë zemër Zotit dhe në gjithë rrugët e jetës sonë rrëfejmë se i takojmë atij, në jetën tonë nuk do të ketë vend për ide dhe zakone supersticioze.

 

40. Shenjat profetizuese

Ka shumë shenja që mendohet se janë të rëndësishme për jetën tonë, të cilat përcaktojnë e influencojnë ato çka bëjmë. Po fillojmë me disa shembuj.
I/131. Një kryeplak i kishës rreth 80 vjeç, më tregonte këtë histori. E shoqja i kishte vdekur rreth 25 vjet më parë dhe, për vdekjen e saj, i kishin lajmëruar që më parë. Kur e pyeta se, si i kishin lajmëruar, më tha se një rrënjë ishte rritur jashtë sipërfaqes së tokës në oborrin e tyre dhe kjo ishte gjithnjë një shenjë se do të vdiste një person i familjes. Kur i thashë se ky ishte vetëm një supozim, ose hamendje, ai vazhdoi të insistojë në të tijën.

I/132. Një grua tha se një natë, tri orë të shtëpisë kishin pushuar së punuari dhe kjo donte të thoshte se dikush në familje do të vdiste. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë e tillë.
Ka disa shenja që mendohet se paralajmërojnë ngjarje të mira: patkoi i kalit, një lloj këpurdhe, derrkuci, trifili me katër fletë, lulja mos-më-harro, nusja e pashkës, një pëlhurë merimange në dhomën e gjumit, bredhi, merimanga e madhe, lloje të ndryshme lulesh, dy kometa në një natë etj. Ka edhe proverba të ndryshme që thonë se, po të gjesh një karficë, do të të vejë dita mbarë, ose rima të ndryshme që ia këndojnë nuses që t’i vejë mbarë.
Shenja që sjellin tersllëk janë p.sh. një njeri gungaç, një grua plakë që të pret rrugën në mëngjes, të kryqëzohen krahët, kur përshëndet njeri duke i dhënë dorën, të djegësh degë të gjelbëra në baçe, të humbasësh rrethin e martesës, dy lugë në një pjatë, të tundësh një djep bosh, të derdhësh kripë, të kryqëzosh thikën dhe pirunin mbi pjatë, njëshi spathi dhe katra karo, një kordon perlash. Po ashtu konsiderohet gjë e keqe, po të të dalë përpara një procesion varrimi në ditën e martesës, të hedhësh një objekt me majë, të derdhet uji i rrobave që ziejnë, të jetë edhe një pastor në anijen në të cilën udhëton, të hapësh një çadër brenda në shtëpi.
Disa shenja lidhen pastaj me ngjarje të caktuara si p.sh kur të ha hunda, do të thotë se do të marrësh një lajm të ri, një mace që pastron veshët, do të thotë se do të të vijë një mysafir, qeni që ha bar, paralajmëron shi, hasi dhe mbretëresha spathi paralajmëron vdekje, një thikë që bie me majë në dysheme, paralajmëron fatkeqësi, oshëtima në veshë, ose paralajmëron një haber të keq, ose tregon se dikush flet keq për ty, e shumë të tjera si këto.
Po ashtu edhe klithmat e zogjve të ndryshëm kanë kuptime të caktuara, p.sh e qara e qyqes paralajmëron vdekje, thirrja e kukumjaçkës paralajmëron plotësimin e një dëshire, thirrja e qukapikut të gjelbër lajmëron shi. Korbi në çati është shenjë e keqe etj.
Po ashtu, s’është mirë të tregosh një ëndërr përpara se të kesh ngrënë mëngjes. Vetë ëndrrat kanë shumë interpretime. Po të shikosh në ëndërr një përmbytje, kjo paralajmëron fatkeqësi; po të shikosh zogj pule, peshk, fëmijë, ose shi, kjo është shenjë e mirë. Po të shikosh qyqen në ëndërr, do të ndodhë një aksident, po të shikosh sikur je duke thyer akull, do të shkosh në një shtëpi tjetër etj. Në literaturën e shumtë okulte gjenden edhe librat egjyptianë të ëndrrave, të cilat interpretojnë të gjitha llojet e ëndrrave.
Po Bibla na thotë: „Në qoftë se del një profet midis jush, ose një që shikon ëndrra, dhe ju jep një shënjë, ose një mrekulli…mos i dëgjoni fjalët e atij profeti, ose të atij që shikon ëndrra.“ (Dhefteronomi 13:1-3) dhe tek Mattheu 12:39: „Ky brez i lig e adulter kërkon një shenjë.“ Vetë Jezui i paralajmëronte njerëzit e kohës së tij me këto fjalë: „Hipokritë, faqen e tokës dhe të qiellit dini ta shquani, po këtë kohë pse nuk e shquani?“ (Lluka 12:56). Kjo pyetje është e vlefshme edhe për kohën tonë.

 

41. Shkenca Kristiane

Për arësye të pasojave që sjell, Shkenca Kristiane radhitet në lëvizjen okulte. Themeluesja, Mary Baker Eddy, ishte në fillim spiritiste. Ajo mësonte se vdekja e sëmundja mund të mposhten me  fuqinë e mëndjes së vetë individit. Po akoma sot nuk ka prova për këtë. Të gjithë ata që kanë besuar në Shkencën Kristiane, duke përfshirë edhe vetë themeluesen, kanë vdekur. Gjatë përvojës sime këshilluese, më kanë tërhequr vëmendje të ashtuquajturit praktikantë. Nga pasojat që rrjedhin, detyrohesh të mendosh se në radhët e tyre ka njerëz që merren me okultizëm. Shumë veta më kanë treguar se, kur janë larguar nga kjo lëvizje, janë persekutuar nga praktikantët e saj.
Para disa vitesh u botua ditari i Mary Baker Eddy-t. Ajo shkruante se fuqitë mendore mund të përdoren jo vetëm për të shëruar, po edhe për të dëmtuar një person. Këtë ajo e quante „mal-practice“. Kjo është një provë e asaj që praktikantët e lëvizjes Shkenca Kristiane i persekutojnë ata që përpiqen të largohen nga lëvizja.

I/133. Një person që kishte qënë aktiv në Shkencën Kristiane e kuptoi gabimin e e tij dhe e lajmëroi lëvizjen se do të largohej prej saj. Mori një letër nga qëndra e lëvizjes në Boston, në të cilën i thuhej se do të bëhej pishman. Pas kësaj e mbërtheu papritur një sëmundje. I binte lëkura luspa-luspa si e gjarpërit. Kjo i ndodhi dy herë; të tretën vdiq.
Kam ndeshur shpesh raste të tilla në fushën e magjisë. Magjistarët mund të shkaktojnë sëmundje tek të tjerët po aq thjeshtë si edhe mund të të shërojnë nga sëmundjet.

I/134. Si ishte për shumë vjet anëtare e Shkencës Kristiane, një grua gjeti rrugën e besimit tek Krishti dhe u largua nga sekti. Ajo vuan që atëhere nga tundime të ndryshme dhe është e bindur se praktikantë të Shkencës Kristiane punojnë kundër saj.

I/135. Një fëmijë 6 vjeçar u sëmur. Gjyshërit ishin anëtarë të Shkencës Kristiane dhe i thanë nënës së fëmijës: „Sonte do të përqëndrojmë mendimin tonë mbi fëmijën. Do të bëhet mirë.“ Të nesërmen, e vjehrra vajti tek nusja dhe i tha: „Kam përshtypjen se djali është më mirë.“ Nëna u përgjigj: „Ai vdiq sot në ora 12 të natës.“
Herë pas here Shkenca Kristiane boton shkrime të zbukuruara me shprehje kaq të bukura kristiane, saqë shumë besimtarë të thjeshtë gënjehen. Në këtë kategori hyn edhe Christian Science Monitor, ose një shembull tjetër, libri i Agnes Sanford-it Heilendes Licht (Drita Shëruese), që ndonëse i shkruar në mënyrë të shkëlqyer, nuk është sipas Fjalës së Perëndisë.

 

42. Shkopi dhe Penduli

Në vitet e fundit, përdorimi i shkopit dhe pendulit është ngritur në nivelin e një shkence të quajtur radiestezi. Për këtë arësye, nuk është edhe kaq e lehtë ta analizosh këtë praktikë ashtu si degëzime të tjera të parashikimit të fatit, sepse është ngatërruar me hipoteza dhe presupozime të ndryshme. Këtu po kufizohem vetëm me disa shembuj se, mbi të ashtuquajturat baza shkencore të përdorimit të këtyre mjeteve, kam folur hollësisht në librat e mia Këshillimi pastoral dhe okultizmi dhe Krishti apo Satanai.

I/136. Një miku im pastor më tregonte këtë histori: „Mbaja mbledhje në një vend pranë Zyrihut. Konstatova se vinin jashtëzakonisht shumë njerëz të më takonin në kohën e parashikuar për biseda këshilluese. Për çudinë time, më shumë se gjysma e atyre që vinin, donin të bisedonin për çështje që kishin të bënin me okultizmin. Një nga ata që erdhën për t’u këshilluar, ishte një burrë që kishte përdorur pendulin dhe kishte edhe të tjera aftësi të jashtëzakonshme. Ai përdorte si referencë një libër të një Abbe Mermet, po kishte edhe një përvojë të gjërë personale. Me pendulin, ai ishte në gjendje të diagnostikonte sëmundje, të përcaktonte barërat mjekësore që duheshin për sëmundjen, madje gjente edhe vendin ku ishin mbytur njerëz në liqenin e Zyrihut. Po ashtu, mund të të jepte informacione të ndryshme për njerëz që kishin vdekur, ose ishin zhdukur. Duke biseduar me të, kuptova se nuk isha në gjendje t’i përgjigjesha me argumenta shkencore. Nuk isha i kualifikuar sa duhet për të diskutuar me të mbi çështjen. Ato që thoshte dukeshin të pranueshme. Po Zoti më vuri një pyetje në mendje që t’ia them. Kjo hodhi dritë mbi gjithë problemin. E pyeta a kishte pasur pasoja, si pasojë e këtyre  aftësive të jashtëzakonshme. Atëhere ai më tregoi për një rast kur kishte përdorur pendulin, që të gjente një byrzylyk që kishte humbur diku në male. Kishte shkarë e kishte rrëshqitur gjatë faqes së malit. Në çastin e fundit i kishte zënë këmba diku dhe. Një natë më pas, e kishte zgjuar një figurë e zezë që ishte ndeshur me të. I tmerruar kishte thirrur emrin e Jezuit dhe figura ishte zhdukur menjëherë.

I/137. Një besimtar në shërbim të Ungjillit, nga Zyrihu, më tregoi këtë histori. Një grua 50 vjeçare kishte qënë për shumë kohë e sëmurë. Një familje, të njohur të saj, e këshilluan t’i drejtohej një praktikanti të pendulit. Ky person kishte çajra të ndryshme dhe, pastaj, me ndihmën e një penduli, zgjodhi një dhe ia dha gruas ta merrte me vete. Gruas nuk i vajti në mendje se po ngatërrohej me magji, po më vonë, si dëgjoi një bisedë mbi këto gjëra, ajo u shqetësua dhe vajti tek ky besimtar për t’u këshilluar. Ishte e sigurtë se nuk kishte pasur ndonjë pasojë negative nga veprimi i saj. Personi që më tregonte historinë, megjithatë, u shqetësua për të dhe i tha të luten. Pas disa muajsh, gruaja erdhi përsëri tek ai dhe i tregoi se ç’kishte ndodhur tërë këtë kohë që nga takimi i tyre i parë. Asaj sikur i kishin rënë perde nga sytë dhe kishte kuptuar se ishte futur në një rreth magjie. Megjithatë, biseda këshilluese e kishte ndihmuar atë të çlirohej se, vetëm pas kësaj bisede, ajo kishte filluar të kuptonte se sa shumë ishte ngatërruar në këtë rreth. Po tani mjegulla që ishte dëndësuar rreth saj, po shpërndahej. Jeta e saj e besimit ishte ndryshuar plotësisht.

I/138. Një grua shtatzënë kërkoi nga një praktikant i pendulit që t’i gjente me anën e pendulit, nëse do të lindtëte djalë, apo vajzë. Gruaja e bëri këtë për të dy fëmijët dhe, sot që fëmijët janë rritur, vuajnë që të dy nga shqetësime të ndryshme si pasojë e kësaj praktike.

I/139. Në një kripore kishte shpërthyer një tubacion dhe iu kërkua një praktikanti të pendulit të gjente se ku kishte ndodhur shpërthimi. Praktikanti kërkoi t’i jepnin planin e kripores dhe, me ndihmën e pendulit, përcaktoi se ku ishte vendi i shpërthimit. U vërtetua se ishte ashtu siç tha ai. Më vonë, ai iu tha përgjegjësve të kripores se ata mund t’ia kishin evituar mundimin duke i dërguar thjeshtë planin e kripores, pa qënë nevoja që ta thërrisnin të vente deri atje.

I/140. Një nënpunës nga Zvicera përdorte për shumë vjet me radhë pendulin. Kolegët e tij shpesh e kishin paralajmëruar për pasojat që mund të sillte kjo. Një ditë ai u rëzua përpara një treni dhe humbi këmbët. Iu amputuan që të dyja dhe plagët nuk i mbylleshin. Pas ca kohësh iu hapën vrima në vendin ku ishin amputuar këmbët dhe nga vrimat dilnin me qindra larva krimbash. Në këtë gjendje i erdhi vdekja.

I/141. Një grua 56 vjeçare vente shpesh tek fallxhorët dhe, kur kishte qënë e vogël, mbi të kishin përdorur shpesh pendulin. Ka vite tani që vuan nga depresione dhe shpërthime nervash.

I/142. Mbi një djalë të ri përdorën pendulin për të luftuar një sëmundje. Pas kësaj, djali ndjeu një lehtësim, po paralelisht filloi të vuajë nga neuroza dhe bënte përbetime e blasfemonte. Si pasojë e kësaj gjendjeje, vajti të kërkojë ndihmë. Gjeti rrugën e besimit te Krishti dhe, pas kësaj, neurozat iu zhdukën.
Përdorimi i pendulit, ose i shkopit, në formë fizike, ose mentale ka bazë medium, edhe në rastet kur duket i padëmshëm, ose kur gjoja mbështetet mbi parime shkencore, apo fshihet pas një fasade kristiane. Po të qe e mundur të vërtetohej se përdorimi i pendulit ka një bazë shkencore, kjo do të qe bërë me kohë, se penduli përdoret prej mijëra vjetësh. Nuk mund të themi se fajtor për këtë është niveli i ulët shkencor i kohës së sotme! Praktika këshilluese pastorale tregon konseguencat negative që karakterizojnë gjithë praktikat magjike mediumistike. Për këtë arësye, edhe kjo shkenca e çuditshme e ashtuquajtur radiestezi, nuk është gjë tjetër, veçse një art okult. Ashtu siç thotë edhe Mattheu në Ungjillin e tij (7:20) „Nga frutet e tyre do t’i njihni.“

 

43. Telepatia

Duke lexuar këtë libër mund të arrihet lehtë në konkluzionin se të gjitha fuqitë medium janë të dëmshme. Po unë vetë nuk kisha ndërmend të bëja këtë pohim. Duket se ekziston edhe një zonë neutrale. Këtë e ndeshim në fenomenin e telepatisë.
Një formë neutrale e telepatisë ekziston midis dy njerëzve që duhen. Sa më e madhe dashuria, aq më e madhe është edhe harmonia dhe lidhja midis shpirtërave të tyre. Shpesh dy njerëz thonë e mendojnë të njëjtat gjëra, edhe pa folur më parë me njëri-tjetrin. Kjo është telepatia e dashurisë dhe është forma më e mirë e telepatisë.
Një formë neutrale telepatie e kam gjetur edhe midis popujve e fiseve primitive, me të cilët kam pasur kontakt. Fjala primitiv nuk është korrekte se shpesh këta popuj të ashtuquajtur primitivë kanë fuqi mendore më të zhvilluara se popujt e ashtuquajtur të civilizuar. Një miku im është nga fisi i Lapëve në gadishullin Skandinav. Një kryetar i fisit të tij kishte aftësi telepatike. Në sajë të këtyre aftësive, ai komunikonte, ose mund të thërriste të gjithë anëtarët e fisit. Sipas thirrjes, gjithësecili anëtar i fisit kuptonte nëse ishte fjala personalisht për të. Më vonë, kryetari i fisit gjeti besimin kristian. E pyeta nëse, pas kësaj, i kishte humbur aftësitë e tij telepatike. „Vetëm pjesërisht“, m’u përgjigj. „Tani mund të hyj në lidhje vetëm me anëtarë të familjes për t’iu komunikuar ndonjë gjë, po jo me anëtarë të tjerë të fisit.“ Kjo m’u duk shumë interesante, prandaj vazhdova ta pyes. „Mendon se këto aftësi janë mediumistike, apo demoniake?“ „Nuk besoj të jetë demoniake“, m’u përgjigj, „se në kohën që hyj në komunikim me njerëzit e familjes, mund të vazhdoj edhe të lutem. Po ndjej se ka diçka demoniake në lidhje me anëtarët e tjerë të fisit, se kur u bëra besimtar, e humba aftësinë të komunikoj me ta. Po mendoj se në familje, si mjet komunikimi midis njerëzve që duhen reciprokisht, s’mund të ketë karakter demoniak.“
Më bënë shumë përshtypje ato që tha se, dhe ai, shikonte një linjë ndarëse midis formave të telepatisë neutrale dhe demoniake.
Duhet thënë se, format e telepatisë neutrale, përfshijnë një hapësirë të vogël. Po ashtu, nuk ka provë të sigurt nëse aftësia e këtij kryetari fisi nga Skandinavia ishte një dhunti neutrale, apo një pasojë e fuqive të tij të mëparshme demoniake.
Duhet të kemi shumë kujdes në raste të tilla, se djalli përpiqet të shfrytëzojë çdo rast për të mashtruar besimtarët. Në punën time këshilluese kam ndeshur shumë forma okulte të telepatisë në praktikat spiritiste, si dhe në sferën e klervuajancës. Telepatia okulte është po aq e rrezikshme, sa çdo formë tjetër e praktikave okulte. Nga ana tjetër, do të ishte mëndjelehtësi e madhe të mohosh ekzistencën e aftësive telepatike.

 

45. Terapia e ngjyrave

Terapia e ngjyrave është një specialitet i Zelandës së Re. Mbështetet në një formë radiondjeshmërie, të cilën e kemi shpjeguar më me imtësi në pjesën mbi përdorimin e shkopit dhe pendulit. Duam përsëri t’iu themi racionalistëve se këtu, nuk kemi të bëjmë me një thes me gënjeshtra dhe fallsifikime. Vërtet që njerëzit shërohen, po çmimi është shumë i lartë.
Të gjitha format e shërimeve përmbajnë idenë e diagnozës dhe terapisë. Si përmbahen këto ide në terapinë e ngjyrave? Për diagnozën përdoret një shkop ose pendul, ose një pendul mekanik i quajtur skopus motor. Diagnoza mbështetet mbi fuqi mediumistike dhe jo mbi baza shkencore, si pretendojnë terapistët e ngjyrave. Po e vërtetojmë këtë me një shembull nga Zelanda e Re.

I/143. Një i sëmurë e pyeti një herë një terapist ngjyrash nëse mund të gjente sëmundjen  e personit, edhe kur ky i fundit nuk ishte i pranishëm. Ai u përgjigj se po, dhe se mjaftonte që personi i sëmurë ta merrte në telefon. Pastaj ai merrte një pendul në dorë dhe gjatë bisedës telefonike, nëpërmjet kontaktit që vendoset me zërin, përcaktonte se cila është sëmundja. Pastaj pacienti e pyeti: „Mund të përcaktosh sëmundjen e dikujt që ndodhet në një vend tjetër?“ „Po, mjafton që personi të më dërgojë ndonjë objekt si shami, flokë etj. Unë pastaj përdor pendulin mbi këtë objekt për të diagnostikuar sëmundjen.“ Këtë shëmbull ma treguan në Palmerston North.
Ky është, pa dyshim, një rast parashikimi mediumistik klervuajant dhe jo një diagnozë shkencore. Këtë e shikojmë qartë edhe në deklaratën e një terapisti ngjyrash me emër, i cili u shpreh: „Nuk kam nevojë për ndonjë objekt për të përcaktuar sëmundjen. Mjafton të përqëndroj mendjen mbi personin e sëmurë dhe gjej se nga se vuan.“ Sigurisht, jo të gjithë terapistët e ngjyrave kanë aftësi të tilla dhe mënyra më e përhapur është tundja e pendulit mbi trupin e personit të sëmurë, ose mbajtja e dorës së të sëmurit duke luajtur paralelisht pendulin mbi një kuti me pej me ngjyra. Ka edhe variante të tjera.
Tani dalim tek problemi i terapisë. Shumica e terapistëve të ngjyrave zgjedhin një pe me ngjyrë me anë të pendulit dhe pastaj pacienti duhet ta tundë perin mbi pjesën e sëmurë të trupit të tij. Kjo presupozon përhapjen e disa vibracioneve, të cilat sjellin shërimin. Po jo të gjithë terapistët përdorin penjtë me ngjyra. Disa prej tyre përdorin vetëm „fuqitë e tyre mendore“ si influencë mbi pacientin.
Sigurisht këto shërime realizohen nëpërmjet forcave sugjestive mediumistike. Këshilluesi kristian nuk është kaq i interesuar në natyrën mjekësore të procesit të shërimit, apo në numrin e shërimeve, sesa në pyetjen: „Cili është karakteri i këtyre fuqive shëruese medium dhe çfarë pasojash kanë ato mbi pacientin?“
Si kam ndeshur e vëzhguar forca mediumistike gjatë 35 vjetëve të punës sime këshilluese pastorale, mund të them se, ndonëse këto forca nuk mund të barazohen direkt me forcat demoniake, ato janë një derë e hapur për punën e djallit. Si kam thënë edhe më sipër, kam pasur rast të shoh çfarë shkaktojnë ato tek personat që futen në lidhje me to dhe pasojat negative që rrjedhin për besimin kristian dhe higjienën psiqike të njeriut. Prandaj edhe përpiqem të gjej fjalë edhe më të forta për t’i paraljmëruar njerëzit për terapinë e ngjyrave dhe praktika të tjera të ngjashme.
Në Zelandën e Re është krijuar shumë konfuzion prej vetë predikuesve të Ungjillit, të cilët në mënyrë pasive, ose aktive, janë marrë me terapinë e ngjyrave. Pse ngatërrohen besimtarët me forca të tilla, në vend që t’i drejtohen Zotit që t’i shërojë, ose që t’iu japë dhunti të Frymës së Shenjtë?
Në librin tim I like New Zealand, do të gjeni detaje të tjera mbi këtë temë dhe në librin tim Christian Counselling and Occultism, kam trajtuar në mënyrë më të plotë bekgroundin shkencor të radiondjeshmërisë, si dhe të përdorimit të shkopit e pendulit.

 

46. Transferenca

Transferenca okulte na çon në një sferë misterioze të magjisë. E gjejmë edhe në jetën spirituale të besimtarëve kristianë, në forma të ndryshme. Në pjesën mbi magjinë e vdekjes, kemi parë një lloj transference nga të gjallët tek të vdekurit. Shëmbulli i mëposhtëm na e ilustron këtë:

I/144. Një vajzë 20 vjeçare vdiq. Një grua në lagjen ku kishte banuar vajza, kishte një xhumbë të kuqe në fyt dhe vajti në varrimin e vajzës që t’ia jepte xhumbën me vete. U thanë disa fjalë magjike dhe ndodhi transferenca. Pas kësaj, gruas iu zhduk xhumba.
Shpesh më kanë rrëfyer njerëz të ndryshëm se kanë pësuar shok, kur kanë parë kufomën e një personi që ka kryer vetëvrasje. Ja dy shembuj:

I/145. Një i ri 16 vjeçar pa kufomën e dikujt që kishte bërë vetëvrasje, që po e nxirnin nga uji. Pas kësaj, ai kishte vazhdimisht ide vetëvrasjeje. Një zë i brendshëm i thoshte: „Var veten“. Pa arritur të 25 vjeçët, ky i ri pësoi një krizë të madhe nervore.

I/146. Një vajzë u gjet në bregun e një lumi ndërsa po nxirnin nga lumi kufomën e një fëmije 8-vjeçar që qe mbytur. Vajza pësoi një shok dhe për 15 vjet nuk e mori veten. Pas kësaj, gjithmonë kishte frikë kur afrohej pranë një vendi me ujë, ose një ure.
Të dy këto raste përshkruajnë një tip transference të një natyre sugjestive.
Gjatë bisedave këshilluese më kanë thënë shpesh se, aftësitë okulte, si përdorimi i pendulit, ose magjepsja, mund të transferohen nga okultisti tek një person tjetër. Një besimtar kristian nuk duhet kurrë ta lejojë veten të përdoret si kavje eksperimentesh për demonstrime okulte. Ja disa shembuj:

I/147. Një pastor kishte një praktikant të pendulit në këshillin e kishës së tij si presbiter. Ky i fundit mendonte se praktika e tij e pendulit kishte një bazë shkencore. Një herë, edhe vetë pastori u përpoq të përdorte pendulin për të zbuluar diçka, po nuk arriti. Atëhere, praktikanti i pendulit u përpoq ta ndihmojë duke i mbajtur krahun. Menjëherë, penduli i kërceu në dorë. Pas kësaj, edhe vetë pastori ishte në gjendje të përdorte pendulin. Po bashkë me këtë aftësi, tek ai u shfaqën edhe depresione dhe tronditje të besimit. Ai u lut shumë bashkë me të shoqen dhe iu bë e qartë se transferenca e aftësive të zbulimit me pendul ishte bërë shkak për depresionet. Ai rrëfeu mëkatin dhe u çlirua nga depresionet dhe,  po ashtu, humbi edhe aftësinë që kishte fituar për të përdorur pendulin.

I/148. Një predikues lejoi që një praktikant i pendulit t’i kalonte aftësitë e tij tek ai. Pas kësaj, ai ishte në gjendje të zbulonte burime uji duke përdorur një shkop.

I/149. Një grua, që ishte marrë gjithë jetën e saj me magji të zezë, nuk jepte dot shpirt. Si në rastin e shumë personave të tillë që janë marrë me magji, asaj iu desh së pari t’i transferonte fuqitë e saj shëruese si magjistare tek një person tjetër, që pastaj të ishte në gjendje të jepte shpirt. Meqë nuk kishte farefis, ia kaloi aftësitë e saj një fqinje. Po edhe fqinja, kur i erdhi radha të vdesë, nuk jepte dot shpirt. Dha shpirt vetëm kur një nga mbesat e saj i mori aftësitë e saj për të shëruar. Po pas kësaj, mbesa filloi të vuajë nga ngërçe dhe kjo vazhdoi për tetë muaj. Mjekët nuk e konstatonin dot se nga i vinte. Më së fundi pastaj ngërçet iu zhdukën.

I/150. Njoh një person që kishte aftësi të përdorte fusha manjetike, i cili, përpara sa të vdiste, ia kaloi këtë aftësi djalit të tij të madh.
Në fushën e magjisë së dashurisë bëhen shumë transferenca. Duhet të themi edhe një herë se, nuk është fjala këtu për persona të sëmurë mëndërisht që kanë halucinacione seksuale, po për njerëz të shëndoshë. Ka një diferencë të madhe midis të dy rasteve se, persona që janë ngatërruar me okultizëm në këtë fushë, mund të mbrohen dhe çlirohen nëpërmjet lutjes. Përveç kësaj, shqetësimet zhduken duke u larguar nga personi dhe rrethanat që e kanë shkaktuar këtë gjendje. Po një skizofren që vuan nga halucinacione seksuale dhe që ia atribuon ato sjelljes së një personi tjetër,  vazhdon t’i ketë halucinacionet edhe kur personi është me mijëra kilometra larg. Ja një shembull.

I/151. Një vajzë me një jetë të pastër morale, filloi të ndjekë mësime të shkollës së mbrëmjes. Mësuesi i saj ishte spiritist. Vajza ishte shumë simpatike. Gjatë orëve të mësimit, vajza vuri re se mësuesi përpiqej ta afronte. Ajo filloi të ndjejë gjëra që nuk i kishte ndjerë më parë. I dukej shpesh sikur kryente akt seksual me të nga distanca. Përveç kësaj, filloi të ketë ëndrra profetike dhe përvoja telepatike. Kur vajti për pushime, vazhdoi të ketë këtë gjendje të çuditshme, po ndjente se influenca e mësuesit mbi të ishte më e vogël, sa më larg tij që të ndodhej. Eksperienca e marrëdhënieve seksuale që provonte vajza ndodhte vetëm brënda një distance prej afro 16km.

I/152. Gjatë një bisede këshilluese, doli në dritë një fakt, të cilin e kisha ndeshur në disa raste. Një grua, që ishte medium spiritist, pësoi një aksident. Theu këmbën dhe legenin. Ishte tre muaj në allçi. Muajin e tretë gruaja pati një abort. Doktori u habit shumë se, duke gjykuar sipas madhësisë së embrionit, duhej të kishte qënë vetëm dy muaj shtatzënë. E pyeti gruan a kishte pasur marrëdhënie seksuale gjatë kësaj kohe, ndonëse ai vetë ishte i sigurtë se jo, sepse gjithë pjesa e legenit të saj kishte qënë në allçi. Ia hoqën allçinë dhe e vunë përsëri në allçi për një periudhë tjetër prej tre muajsh. Në muajin e tretë gruaja pati prapë një abort. Atëhere ajo pranoi se ishte medium dhe kishte pasur marrëdhënie seksuale psiqike me të shoqin dhe kështu kishte mbetur shtatëzënë.
Është e vështirë që njeriu të pranojë një rast të tillë si ky i fundit për të vërtetë, sepse kapërcen kufijtë e llogjikës tonë njerëzore. Procese teleplasmike të këtij lloji ndeshen shpesh në spiritizëm. Edhe në sferën e dashurisë seksuale, ekzistojnë baza të tilla spiritiste, po këtu fenomenet marrin një nga format më të pështira që mund të ekzistojnë. Kam shumë raste të tilla në skedarët e mi, po as që nuk do të guxoja të botoja këtë material të tmerrshëm. Edhe misionarët na rrëfejnë për përvoja të tilla nga zonat ku shërbejnë. Si mbrojtje të brendshme, të kemi gjithnjë parasysh t’ia nënshtrojmë mëndjet dhe mendimet tona disiplinës së Frymës së Shenjtë, duke i vënë gjithnjë që të lahen me gjakun e Krishtit të derdhur për ne.
Transferenca mund të ndodhë edhe në lidhje me një jetë intensive lutjeje. Kushdo që lutet intensivisht për një person që është ngatërruar në gjëra okulte, duhet vazhdimisht ta vërë veten nën mbrojtjen e Krishtit, ndryshe ekziston rreziku i një transference. Kjo ndodh veçanërisht në rastet e nënshtrimit okult, demonizimit dhe pushtimit nga demoni. Ja disa shembuj:

I/153. Një grua u lut për një person që ishte përpjekur të bënte vetëvrasje. Pas ca kohe, filloi edhe ajo vetë të kishte idera të tilla.

I/154. Një besimtar lutej për dikë që ishte i sëmurë dhe kishte idera vetëvrasjeje. Së fundi edhe ai vetë filloi të ketë idera vetëvrasjeje. Personi që kishte qënë i sëmurë, së fundi vrau veten. Po në atë ditë, besimtari që qe lutur për të, pati një tundim të jashtëzakonshëm që t’i jepte fund jetës, ndonëse akoma nuk kishte marrë njoftim që personi, për të cilin qe lutur kaq kohë, kishte bërë vetëvrasje.

I/155. Një predikues Pendikostjan kishte vënë disa herë duart mbi kryet e një personi të sëmurë. Më vonë, u sëmur ai vetë nga po ajo sëmundje, madje edhe vdiq.

I/156. Një oficer ishte lutur për një person që kishte nënshkruar se i takonte Djallit. Ky person ishte edhe sadist. Pas disa muajsh lutjeje intensive, edhe oficeri vetë filloi të rrahë të shoqen dhe t’i pëlqejë kjo gjë. Një natë i tha asaj: „Sonte do të doja të hyja në kontakt me botën e nëndheshme“.

I/157. Një infermiere kishte kontakt me një prostitutë dhe kishte pasur biseda këshilluese me të. Ajo filloi të lutet intensivisht për gruan. Prostituta u çlirua nga jeta e saj e kaluar, po infermierja, pas kësaj, filloi të ketë tundime të forta seksuale. Kishte dëshira të papërmbajtura seksuale, të cilat kishin qënë të panjohura për të më parë. Duke ndërmjetësuar me anë të lutjes, kishte ndodhur procesi i transferencës. Nga një anë çlirim, nga ana tjetër një opresion.

I/158. Një pastor interesohej shumë për të sëmurë dhe shpesh i mbante të sëmurët në shtëpinë e tij. Herë pas here, ai kishte parë me sytë e tij se si njerëz të sëmurë ishin shëruar nëpërmjet lutjes. Pas disa kohësh, një fëmijë i tij filloi të shfaqë shenja depresioni. Si vunë duart mbi të, ashtu si thuhet tek Jakovi, kapitulli 5, fëmija u shërua. Po pas kësaj, pastori vendosi të mos mbante më në shtëpi njerëz që vuanin nga depresione.

I/159. Një peshkop ishte spiritist aktiv për shumë vite me radhë. E bija e tij, shumë e bukur, ishte e lidhur me të gjitha llojet e veseve që mund të mendohen. Pinte shumë, pinte duhan, merrte edhe drogë. Jeta e saj seksuale nuk njihte kufij. Po qëllimin kryesor ajo e kishte të tundonte e të shtynte në mëkat njerëz besimtarë në shërbim të Ungjillit. Një herë, në një rreth kristian që qe mbledhur në një shtëpi, me pyetjet dhe përgjigjet e saj inteligjente, vajza tërhoqi vëmëndjen e pastorit që drejtonte mbrëmjen. Si bisedoi me të, pastori e ftoi dhe në shtëpi të tij për të biseduar. Ajo tha se, ndonëse donte të besonte, nuk ishte në gjendje. Pastori u përpoq të lutet me të, po vajza nuk mundej. Duke dashur ta inkurajojë, pastori i vuri dorën mbi sup dhe i tha një varg nga Bibla. Po si bëri këtë, ai ndjeu një tronditje të madhe t’i përshkojë gjithë trupin. Iu errësuan të gjitha dhe iu duk se po fundosej në një humnerë të zezë. I doli një thirrje e dëshpëruar nga buzët. Kur dëgjuan këtë thirrje, njerëz të tjerë që ishin në shtëpi dhe gruaja e tij hynë në dhomë. Pas disa minutash, që për pastorin ishin orë të tëra, ai erdhi në vete. Vajza e pa në sy me një shprehje dinake e të ligë në fytyrë dhe e pyeti: „E more vesh tani se kush jam unë? Kam mposhtur edhe shumë të tjerë!“ Më vonë vajza rrëfeu se kishte arritur të tundonte e të çonte në mëkat një figurë të njohur, besimtar kristian. Ajo e kishte ftuar që të bisedonte me të çështje teologjike, po pastaj, ia kishte arritur qëllimit që ai të tradhëtonte gruan duke bërë dashuri me të. Vajza tha edhe emrin e tij. Pas kësaj eksperience me vajzën e demonizuar, pastori që më tregonte historinë, tre javë kishte depresione të thella. Vetë vajza pastaj pas disa kohësh bëri vetëvrasje. Po pastori, lavdi Zotit, u kurua nga depresionet. Atëhere u përpoq të shkonte të takonte edhe personin që kishte përmendur vajza, me mendimin që ndoshta mund ta ndihmonte. Doli se historia kishte qënë e vërtetë dhe personi, pas episodit me vajzën, kishte hequr dorë nga gjithë aktiviteti i tij kristian.
Ndërmjetësimi dhe këshillimi janë një betejë kundër fuqive të padukshme të errësirës. Shumë veta kanë rënë në këtë fushë beteje. Duhet vazhdimisht të jemi të armatosur me armët e Frymës së Shenjtë. Tek Letra Efesianëve, Pavli shkruan: „Mbi këto të gjitha, merrni mburojën e besimit, me të cilën do të mund të shuani tërë shigjetat e ndezura të të Ligut.“

I/160. Një rast tronditës transference ma ka treguar gruaja e një misionari në Kinë. I shoqi kishte qënë tek një magjistare kur kjo e fundit kishte qënë duke vdekur. Në rini të saj kjo magjistare ia kishte përkushtuar veten Djallit dhe mbante në mënyrë simbolike kordona në krahë që duhet të ishin githmonë të lidhura. Misionari foli me të, kur ajo ishte në shtratin e vdekjes, mbi Ungjillin dhe filloi të luftojë për shpëtimin e shpirtit të saj. I tha se Krishti mund ta shpëtonte akoma, edhe pse ajo ia kishte dedikuar gjithë jetën e saj Djallit. „Përpiqu ta bësh këtë hap“, i tha ai, „Zgjidhi këto litare si shënjë e largimit tënd prej Djallit.“ Filloi një luftë e tmerrshme midis Ungjillit dhe forcave të liga të magjisë. Në fund fitoi hiri i Zotit. Në pragun e vdekjes, gruaja ia dorëzoi jetën e saj Zotit. Mori një palë gërshërë dhe preu kordonët. Ndërkaq, në shtëpinë e misionarit ndodhi një ngjarje tragjike. Vajza e madhe e misionarit i kishte dhënë të vëllait të vogël dy vjeçar një farë të pjekur. Djali e kishte gëlltitur. Papritur, fara i mbeti në fyt dhe atij iu zu fryma. I ati do t’i kish bërë një të çarë në fyt e do ta kishte shpëtuar, po ai gjendej tek magjistarja. E ëma nuk guxonte ta bënte këtë. Familja u lut mbi djalin që kishte humbur ndjenjat. Kur papritur, në kohën që po luteshin, djali hapi sytë dhe u buzëqeshi të gjithëve. Pastaj mbylli sytë i qetë dhe vdiq. Misionari, i ati i djalit, arriti në shtëpi pak kohë më pas. Vërtetuan se djali kishte vdekur tamam në çastin kur magjistarja kishte prerë kordonët. Koincidencë? Një person që nuk ka përvojë me magjinë do të thoshte se ishte një rastësi. Po puna këshilluese e besimtarëve kristianë tregon të kundërtën. Në procesin e transferencës çlirohen njerëz të lidhur dhe lidhen njerëz që janë të lirë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kemi këtu të bëjmë me një fakt të pashmangshëm. Në rastin e sipërpërmendur, fatkeqësia mund të ishte evituar, në rast se misionari, në mënyrë të ndërgjegjshme do ta kish vënë gjithë familjen nën mbrojtjen e Jezu Krishtit, në kohën që kishte vajtur tek magjistarja. Është shumë e këshillueshme që, në rastet kur kemi të bëjmë me magjistarë dhe medium të fuqishëm, të kërkojmë ndihmën e besimtarëve të tjerë që të luten për ne. Dy veta, në këto raste, janë më mirë se një, dhe shpesh është e nevojshme të ngrihet edhe një grup lutjeje për të mbështetur aktivitetin e atij që punon me magjistarë, ose medium. Gruaja e misionarit e lidhi mbytjen e fëmijës me aktivitetin këshillues të të shoqit. Po vdekja e fëmijës nuk qe më kot se, pas kësaj, ndryshoi për të mirë edhe qëndrimi i kishës së tyre ndaj disa problemeve.
Ata që quhen se janë besimtarë kristianë, apo kristianë që janë të tillë si pasojë e tradicionit familiar dhe nuk kanë eksperiencën e luftës spirituale, nuk do ta besojnë një histori të tillë. Edhe mjekë që njohin vetëm orientimin shkencor në punën e tyre, do të protestojnë me mosbesim. Po ç’rëndësi ka? Faktet e Dhjatës së Re, në të cilat përfshihet edhe mbytja e 2000 djajve që u futën tek derrat, tregon se sa dritëshkurtër është mëndja e njeriut.

 

47. Umbanda dhe Makumba

Kultin e Umbandës e njojta në Porto Alegre nëpërmjet profesor Krebs, gjatë një udhëtimi leksionesh në Brazil.
Kulti Umbanda, që në Brazil ka vlerën e një feje shtetërore, ka një natyrë të përzier. Origjinën e tij e gjen tek kultet e negërve të Afrikës që erdhën si skllevër. Pastaj u shtuan praktika magjike të indianëve të Amerikës, disa elemente spiritiste dhe një komponente e katolicizmit.
Hierarkinë Umbanda mund ta përshkruajmë si më poshtë. Koka e lëvizjes është Kulti i Atit (Pia de Santo), ose kulti i nënës (Mae de Santo). Prej tyre varen Filhas de Santo, bijtë dhe bijat e shënjta të sektit. Në fakt, këta janë Samba, ose me fjalë të tjera medium.
Një takim i Umbandës përbëhet nga katër pjesë: flijimi i parë, gjatë së cilit, ata që pranohen, spërkaten me gjakun e një kafshe, pastaj takimi i hapur, gjatë të cilit ata bien në një lloj ekstaze duke kërcyer me orë të tëra, pastaj një festë e dashurisë dhe pastaj vendosja me rregull e objekteve të kultit.
Ai që kërkon të kuptojë natyrën e vërtetë të këtyre shërbimeve fetare të Umbandës, zor se do të marrë një përgjigje të saktë. Sipas një opinioni të përgjithshëm, nëpërmjet kërcimit, kulti i nënës mbushet me frymën e Perëndisë të cilit ajo i takon. Pastaj ajo u jep bekimin atyre që janë të pranishëm, u jep disa paralajmërime të shkurtëra, marton çiftet që janë të pranishme dhe ve duart mbi të sëmurët.
Anëtarët e kultit, po ashtu, mund të vallëzojnë deri në marrëzi dhe kështu të mbushen me frymën e perëndisë kult.
Është e tepërt të themi se takime fetare të kësaj natyre nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin e vërtetë kristian, pa çka se në to shfaqen edhe një sërë simbolesh kristiane.
Makumba është akoma më i çuditshëm. Ata të kultit Umbanda nuk duan në asnjë mënyrë t’i ngatërrosh me ata të kultit Makumba. Ata mendojnë se Makumba është një formë e ulët kriminale e spiritizmit, kurse Umbanda një formë superiore spirituale.
Fjala Makumba nuk ka ndonjë prejardhje të caktuar. Shumë thonë se vjen nga emri i një kërcimtari të Jongo-s, Kumba. Magjia që praktikonte ky i fundit quhej Makumba. Të tjerë thonë se fjala, vjen nga një frymë e quajtur Kiumba, një demon që shkaktonte shkatërrime.
Makumba është një përzierje e magjisë së zezë dhe një forme kriminale të spiritizmit. Kulti, në mënyrë të hapur, vërtitet rreth Perëndisë së të keqes dhe shkatërrimit. Sipas Biblës, emri i tij i vërtetë është Lucifer, ose Baalzebub. Presupozohet se ky Perëndi mbështetet nga një hierarki e tërë demonësh që quhen  eksu. Qëllimi kryesor i Makumbës është të gjejë rrugë dhe mënyra për të persekutuar armiqtë, ose për t’u mbrojtur nga armiqtë. Për të arritur këtë qëllim, pasuesit e Makumbës bëjnë flijime në udhëkryqe për eksu-të, që mendohet se kalojnë shpesh në këto pika. Po më mirë ta ilustrojmë këtë me një shembull.

I/161. Një burrë vajti në një mbledhje të Makumbës dhe pyeti nëse mund ta vrisnin gruan e tij. Drejtuesi i kultit mori një kukull të vjetër dhe, në mesnatë, e mbajti përpara hënës që po zvogëlohej. Pastaj nguli disa herë një gjilpërë në trupin e kukllës duke thënë disa mallkime dhe fraza magjike. Pastaj kukllën e lanë në një kryqëzim bashkë me disa flijime. Në këtë mënyrë iu kujtohej demonëve që ta vrisnin gruan e burrit. Po gruaja nuk vdiq, po vdiq burri në vend të saj. Me fjala të tjera, magjia nuk zuri atë që ishte e pafajshme, po atë që ishte fajtor. Perëndia nuk ia lëshon askujt pushtetin e tij. Vetëm ai sundon mbi jetën dhe vdekjen, jo demonët.
Nuk po merrem më me Makumbën, sepse kam folur për të në librin tim Jesus auf allen Kontinenten.
Megjithatë desha të përmend një histori tjetër. Në Rio de Janeiro njojta një grua që kishte drejtuar Makumbën për 23 vjet. Pas kësaj, ajo u çliruar prej këtij kulti, nëpërmjet një veprimi të fuqishëm të Perëndisë. Sot ajo jeton si lajmëtare e Krishtit dhe u tregon njerëzve rrugën për tek Shpëtimtari i saj.

 

III. Çlirimi nëpërmjet Krishtit

 

   Pothuaj gjithë shembujt që kemi parë deri këtu, kanë ilustruar faktin se, zakonet okulte e supersticioze, pavarësisht nga forma e tyre, në një mënyrë, a në një tjetër, çojnë në rezultate të rrezikshme. Pjesërisht këto pasoja mund të kuptohen si rezultat i sugjestionimit, ose auto-sugjestionimit. Në shumë raste influencohet subkoshienca e njeriut. Ndërsa koshienca jonë, që funksionon sipas ligjeve të logjikës, tallet me  magjinë, subkoshienca jonë na fut në kurth duke na çuar drejt realizimit të asaj me të cilën jemi tallur. Në lidhje me supersticionin, ekziston një mani e realizimit me çdo kusht. Gjërat me të cilat tallemi, ose të cilave u ndruhemi, kanë tendencë të realizohen. Deri këtu na ndjekin edhe psikiatrët, psikoterapistët dhe psikologët, se këto janë fakte që i kap edhe shkenca.

Po, kur hyjmë në zonën e magjisë dhe në atë spirituale të fenomeneve transcendentale dhe të mbinatyrshme, shkencëtari nuk është më në gjendje të na ndjekë. Ekziston një sferë më e lartë në natyrë, ku nuk vlejnë më ligjet e shkakut dhe pasojës. Kjo sferë nuk i nënshtrohet analizës shkencore. Ajo kuptohet vetëm nëpërmjet besimit. Dhe kjo botë e besimit nuk është mit, as produkt i imagjinatës. Ajo mund të njihet si nëpërmjet demoniakes, ashtu edhe nëpërmjet hyjnores. Besimi ka të bëjë me kuptimin e gjërave më të larta. Dhjata e Re e quan këtë proces të kuptimit dhe bindjes elenchos. Për besimtarin, elenchos është valide si një provë matematike. Për shembull, ringjallja nuk mund të provohet shkencërisht, ose matematikisht, po mund të kuptohet vetëm nëpërmjet besimit. Po realiteti i ringjalljes është për besimtarin një fakt si dy herë dy bëjnë katër për matematikanin. Brenda kësaj sfere më të lartë, kuptojmë se magjikja është paralelja demoniake e gjërave spirituale të Biblës. Për Biblën, prioritet janë çlirimi, rikrijimi, plotësimi, perfeksioni, kurse magjikja çon në mënyrë të pashmangshme në shkatërrim, asgjësim, kaos dhe errësirë.

Edhe pse kjo botë më e lartë nuk i nënshtrohet ligjeve të njohura të argumentit dhe arësyes, njeriu mund të arrijë të kuptojë karakterin e saj demoniak dhe hyjnor. Duke qënë se bota natyrale dhe ajo spirituale takohen dhe ndërpresin njëra-tjetrën, ne marrim prova, statistika, vështrime të shkurtra që krijojnë një ide në mendjen tonë mbi karakterin e fenomeneve të mbinatyrshme. Kjo nuk do të thotë aspak se po përpiqemi këtu t’i hapim rrugën teologjisë së natyrës.

Si hyn këtu supersticioni dhe  okultizmi? Fakti është se  karakteri magjik i pasojave të tyre nuk pranohet nga shkencëtarët e natyrës. Përderisa këto pasoja nuk përfshihen në kuadrin klasik të sëmundjeve, ato mbeten të pakuptuara për ta. Po edhe sikur të qe e mundur të klasifikoheshin pasojat, do të bëheshin gabime shumë të rënda diagnostikimi. Ashtu sikundër një evangjelist mund ta marrë një rast depresioni endogjen, apo skizofrenie, për një rast të pushtimit nga demoni, po ashtu edhe një psikiatër mund ta marrë një rast demonizimi, okultizmi, ose pushtimi nga demoni për një rast psikoze. Në të dy rastet, ky do të ishte një gabim i madh. As psikiatri, as teologu nuk janë të pagabueshëm, kur është rasti për të gjykuar një shqetësim psiqik. Prandaj në rast se refuzojmë të dëgjojmë njëri-tjetrin apo të njohim kufijtë e punës sonë, nuk kemi të drejtë të praktikojmë profesionin tonë.

Për të pasur një vështrim të shpejtë të simptomave dhe pasojave më të shpeshta të rasteve të ngarkimit me okultizëm, po i grupojmë ato në tri ndarje kryesore. Shumë nga pasojat janë ilustruar në një mënyrë a në një tjetër në shembujt që kemi përmendur, po do të bëjmë edhe plotësime aty ku të na duket e nevojshme.

Në sferën spirituale: asnjë ndjesi për gjërat spirituale; fanatizëm; mungesë e paqes; jetë me disiplinë ligji; indiferentizëm, krenari spirituale; Fariseizëm; mungesë përqëndrimi në lidhje me leximin e Biblës; vetëjustifikim; cinizëm; zemërfortësi; mosbesim; marrëzi fetare; dyshim; mbyllje spirituale ndaj Frymës së Shenjtë; kundërshtim ndaj fesë etj.

Në sferën psiqike: gjendje ankthi; në raste ekstreme mos kontrollimi i urinës natën; depresione; imponimi i vullnetit personal; perversione seksuale; mungesë e kufijve në sjellje; marrja me thashetheme; kleptomani; mendime blasfemuese; epshe; neuroza; ndjenja hakmarrjeje; sonambulizëm, mendime vetëvrasjeje; tendenca për t’u zënë me të gjithë; të pasurit e veseve; shqetësime të forta të gjumit; alkoholizëm; tendenca për të mos falur të tjerët; halucinacionet; tike nervore.

Në sferën organike: kriza jo normale, opresione të trashëgueshme; sëmundje kronike të lëkurës; predispozicion për të fikët; ngërçe histerike; dështime të shpeshta, shqetësime nervore; shurdhim; e ashtuquajtura sëmundje St. Vitus’dance, spërdredhje etj.
Megjithatë, nuk mund të thuhet se, gjithmonë, të tilla simptoma tregojnë se është fjala për një rast ngatërrimi e ngarkimi me okultizëm, ndonëse shpesh kemi vërtet të bëjmë me një rast të tillë. Ka raste kur sëmundje dhe opresione të kësaj natyre kanë një shkak që mund të konstatohet nga pikëpamja mjekësore. Duam vetëm të themi se këto simptoma shfaqen shpesh në rastet kur njerëzit janë ngatërruar në supersticione dhe magjira. Po duhet shtuar se, edhe kur është konstatuar një shkak konkret për sëmundjen, kjo nuk përjashton që edhe okultizmi të luajë rolin e vet. Duhet të themi se, në rast se një konstatim të tillë të formuluar si më poshtë : „Ngarkimi me okultizëm çon në shqetësime nervore e psiqike“, e transformojmë duke u shprehur se: „Shqetësimet nervore e psiqike janë shënjë e ngarkimit me okultizëm“, kemi bërë një qark të shkurtër. Depresionet dhe shqetësimet e tjera të sistemit nervor e psiqik kanë edhe shumë arësye të tjera përveç okultizmit.

B    Cili duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj gjithë këtyre pasojave të supersticionit dhe okultizmit? Duhet të qëndrojmë pasivë? Mund ta ndalojmë rrjedhën e kësaj rryme të gjërë e të vrullshme? Ekziston mundësia e një mbrojtjeje efikase? Në fakt ka shumë për të bërë që të pengohet rritja dhe përhapja e okultizmit dhe pasojave të tij. Një rrugë e thjeshtë është të thuash se të gjitha këto janë hiçgjë. Kam dëgjuar leksione nga psikologë të dëgjuar që janë përpjekur të dëshmojnë pikërisht këtë. Ata janë shprehur se „Supersticioni nuk ekziston.“ Në rast se nuk ekziston kundërshtari, nuk lind as nevoja që ta luftoj. Po kushdo që e përjashton problemin në këtë mënyrë, nuk ka parë thelbin e çështjes. Njerëzit do të ishin shumë më të aftë të luftonin kundër supersticionit dhe okultizmit, në rast se do të kuptonin esencën e tyre. Për fat të keq, vetë edukimi ynë inkurajon përhapjen e ideve supersticioze. Fëmijët tanë shumë shpejt dëgjojnë për shtrigat, magjitë dhe fenomene të tilla, qoftë në shkollë, qoftë në shtëpi. Ky është edhe produkt i injorancën, se nuk njihen pasojat e tmerrshme që rezultojnë nga kjo. Shtrohet një nevojë urgjente përpara nesh që të pastrojmë skenën nga përalla e historira me shtriga e magjistare, apo filma e teatro që kanë tema të tilla, të cilat nguliten thellë në mendjen e fëmijëve. Psikologjia e thellë na tregon se, sa efekt kanë figurat mbi mendjen e të rinjve. Përshtypjet që regjistrohen në mëndjen subkoshiente është shumë zor të shuhen. Ato vetëm mbulohen me një fasadë të mendimit intelektual e logjik, po nga ana tjetër, rezulton se jeta e personit të rritur, në një masë të madhe, komandohet nga materiali i thithur gjatë procesit të rritjes. Të rriturit pra, ndonëse mund të qeshin me supersticionet, janë të zhytur në to gjer në grykë. Ajo që është akoma më e pafalshme, është t’u jepen fëmijëve në Shkollën e së Djelës pamflete të shkruara nga besimtarë kristianë ku përmbahen historira magjistarësh. Mund të përmendja disa emra, po nuk po e bëj, se nuk dua të dëmtoj njeri. Po autorëve të tyre u kam shkruar personalisht. Një  ngjarje inkurajuese është ajo e vitit 1949, kur regjimi Afrikano Jugor në Durban vendosi të heqë gjithë përallat më të dëmshme me magjistare nga tekset e librave të shkollës. Po ashtu, më 1950, gazetat thoshin se ministri japonez i arësimit kishte ngritur një komision kundra supersticionit. Po në këto ditë të ashtuquajtura të iluminizmit të madh, Europa ka mbatur shumë prapa.

C    Metoda e vetme e mbrojtjes kundër supersticiozes dhe okultes, është Krishti. Kjo na sjell prapë atje ku u nisëm. Vetëm nëpërmjet Krishtit mund të kuptojmë thellësitë e magjisë dhe supersticionit dhe, vetëm nëpërmjet Krishtit, mund t’i kapërcejmë ato, se vetëm Ai e ka mundur princin e kësaj bote dhe vetëm Ai mund t’i kapërcejë intrigat e tij. Nëpërmjet vdekjes së tij mbi kryq dhe nëpërmjet fuqisë së ringjalljes së tij, Krishti na bën të triumfojmë në ndeshjen me gjithë fuqitë e të Ligut. Këtë po e ilustrojmë edhe me disa shëmbuj konkretë të çlirimit.

I/162. Një djalë 13-vjeçar ankohej se ishte i lodhur dhe kishte dhimbje në kurriz. Në fillim prindërit kujtuan se ishte nga lodhja, se duke qënë të varfër, djalit i duhej t’i ndihmonte çdo ditë në punën e fushës e në pyll. Si nuk u përmirësua, po përkundrazi, u bë më keq, babai e çoi djalin te doktori. Si e vizitoi, doktori konstatoi se djali vuante nga tuberkulozi i nervave të shtyllës kurrizore. Ai tha se ishte shumë vonë, se sëmundja kishte avancuar shumë dhe se babai duhet ta kishte sjellë djalin më parë. I dëshpëruar, babai e pyeti doktorin se çfarë mund të bënte. Doktori që njihte një magjistar, i tha babait: „Shko e shih atë burrë. Ai di më shumë se unë.“ Pas ca kohësh, babai u gjend në dhomën e pritjes së këtij magjistari të dëgjuar. Në mure, pa të varen dëshmi se ai kishte luftuar me sukses epidemi dhe sëmundje të tjera. Magjistari e vuri djalin përpara një pasqyre të madhe. E pa me vëmendje dhe pastaj i tha: „Ke një problem të madh djalosh. Duhet të kishe ardhur më parë. Të shohim se çdo të bëjmë!“ Ai bëri tri herë kryqin mbi trupin e djalit, i ra tri herë në shtyllën kurrizore dhe pëshpëriti disa fjalë në Latinisht. Pastaj i dha një ekstrakt bimor dhe i tha të fërkonte çdo ditë kurrizin me të. Djali duhej të vinte pas një muaji. Magjistari tha gjithashtu se djali duhej të kishte besim tek ai që të mund të shërohej. Kur po hiknin, babai vuri re se të gjithë të sëmurët merrnin nga ky ekstrakt. Me përjashtim të një rasti, ky ishte i vetmi medikament që rekomandonte. Pavarësisht se nga se vuante i sëmuri, migrenë, spostim organi, ose dëmtim fizik, ata duhet të fërkonin lëkurën me këtë ekstrakt. Përjashtimi kishte të bënte me një rast helmimi gjaku, ku i sëmuri duhej të vinte mbi trup një si lloj llapaje misri. Medikamenti nuk ishte kryesor për shërimin. Kryesorja ishin goditjet magjike që bëheshin në emrin e Triadhës, ose të Djallit. Djali vajti tri herë te magjistari dhe u shërua. U rrit dhe u bë i shëndetshëm. Kur u martua, e shoqja që ishte kristiane, me emër të paktën, u përpoq ta drejtojë në leximin e Biblës e ta çojë në kishë. Duke dëgjuar predikimin e Ungjillit, ai besoi. Menjëherë pas kësaj, filloi të vuajë nga depresione dhe mendime vetëvrasjeje. Gjatë bisedimit këshillues, ai më tregoi se jeta e tij, që kur ishte shëruar, kishte rrjedhur normalisht dhe se shqetësimet kishin filluar vetëm kur kishte filluar të lexonte Biblën e të lutej. Ai shtoi se, pa e ditur ai vetë, shëruesi magjistar ia kishte përkushtuar djalin Djallit. Depresionet u shtuan kaq shumë, saqë ai u përpoq tri herë të bënte vetëvrasje. Kur pa një dozë helmi që kishte marrë në një rast, doktori, i habitur, tha se sasia do të kishte mjaftuar për të vrarë 10 veta. U formua një grup besimtarësh në kishë që luteshin për djalin e ri. Disa herë, kryepleqtë vunë edhe duart mbi kryet e tij. Vazhdoi një betejë e ashpër për muaj me radhë, po së fundi Krishti fitoi. U prish marrëveshja që qe lidhur me të ligun. Djali u çlirua nga pasojat e shërimit me magji. Atje ku tepëron mëkati, akoma më i tepërt është hiri i Perëndisë.

I/163. Një grua erdhi tek unë për këshillim. Nuk ishte në gjendje të besonte sigurinë e shpëtimit në Jezu Krishtin. Meqë paaftësia e saj për të besuar ishte e ngjashme me rezistencën që takojmë në rastet e njerëzve të ngarkuar me okultizëm, e pyeta për të kaluarën e saj. Më tregoi këtë histori. Nëna e saj kishte  përdorur gjithmonë magji, sa herë që fëmijët i kishte të sëmurë. Fëmijët duhet të kryqëzonin krahët, kurse nëna thoshte një formulë magjike në emrin e Triadhës. E pyeta për të motrat dhe të vëllezërit dhe më tha se të gjithë vuanin nga depresione dhe kishin një jetë seksuale të shqetësuar. Shpesh edhe ata kishin dashur të besonin te Krishti dhe ishin lutur për këtë; herë të tjera kalonin në ekstremin tjetër dhe e hidhnin fare poshtë besimin Kristian. Një herë, e motra i kishte thënë: „Ndjej se jam e lidhur në një magji të keqe“. Si më tregoi këto, munda t’i shpjegoj kësaj gruaje të shqetësuar rrugën e Krishtit dhe gjithçka lidhur me kapërcimin e pasojave të okultizmit. Ajo vajti në shtëpi dhe, si dha e mori tërë natën në lutje, me hirin e Perëndisë, u çlirua. Erdhi më takoi pas ca ditësh duke më përshkruar si qe çliruar, duke shtuar se nuk kishte qënë kurrë më e lumtur në jetën e saj.

I/164. Fuqia e keqe e supersticionit shihet edhe në përvojën e një pastori, i cili, përpara Luftës së Dytë Botërore, u bë i njohur për artikullin e tij kundër librit të Rosenberg-ut, Mythos des 20. Jahrhunderts. Në gjithë sa predikonte dhe mësonte, ai ishte i vendosur kundër çdo forme të supersticionit dhe zakoneve okulte. Një ditë, ai vendosi të mblidhte prova bindëse që hedhin poshtë parashikimin e fatit. Kërkoi t’i bënin një horoskop të detajuar, duke dashur të vërtetojë se kjo ide supersticioze s’kishte asnjë vlerë, meqë, parashikimet, siç mendonte ai, nuk do të realizoheshin. Po nuk ndodhi si e kishte menduar ai. Duke kaluar koha, filloi të konstatojë se po përmbusheshin parashikimet e horoskopit, dhe kjo vazhdoi për 8 vjet me radhë. Së fundi, kuptoi se e kishte vënë vehten nën sundimin e supersticionit. U pendua thellë dhe ia dorëzoi përsëri jetën e tij Krishtit. Pas kësaj,  parashikimet e horoskopit filluan të mos realizohen dhe jeta e tij ndërroi kursin e parashikuar. Mos kishte rënë viktimë e sugjestionimit? Apo në mënyrë subkoshiente kishte besuar te horoskopi? Kishte rënë viktimë e të ashtuquajturës mani e domosdoshmërisë së realizimit? Apo ishte kapur në kthetrat e një forme demoniake të astrologjisë? Është e vështirë të japësh një përgjigje. Po sidoqoftë, Krishti tregoi se është Çlirimtari i madh. Rrjeta e supersticionit, që kishte filluar të shtrëngohej gjithnjë e më tepër rreth tij, ishte çjerrë, dhe këtë është e pamundur ta arrish me forcat e tua, siç e kishte treguar edhe eksperienca e tij e 8 vjetëve të mëparshme.

I/165. Një rast shumë i bukur që tregon fuqinë çlirimtare të Jezu Krishtit, është ai i një vajze, e cila tani punon për Ungjillin. I ati i vajzës është bir i Perëndisë, me shumë dhunti spirituale. Një herë, ai kishte ftuar një burrë në shtëpi, i cili qe ngatërruar me okultizëm dhe kishte probleme, për ta ndihmuar dhe këshilluar. Ky burrë vuante nga gjendje paniku çdo natë. Atij i dukej se vetë djalli ishte burimi i shqetësimeve të tij. Origjina e këtyre shqetësimeve ishte shumë e qartë. Në rini të tij, ky burrë ishte marrë me magji dhe tani provonte pasojat e sëmura e demoniake të marrëzisë që kishte bërë. Një grup besimtarësh luteshin për këtë burrë dhe vajza u bashkua me ta. Një natë ndodhi diçka e çuditshme. Vajza, duke u lutur, e dëshpëruar se e shihte këtë rast si të pashpresë, i kërkoi Zotit t’ia merrte këtë peshë burrit dhe t’ia jepte asaj e pastaj ta çlironte edhe atë vetë. Papritur ndjeu praninë e disa forcave të mbinatyrshme në dhomë. Pastaj ndjeu se e hodhën përtokë dhe një dorë si kthetër e shtrëngonte në grykë. Nuk lëvizte dot për orë të tëra. Mezi arriti të thotë : „Zot më shpëto, Zot më shpëto.“ Ajo që kishte provuar vajza atë natë, ishte ferri vetë. Të nesërmen, vonë në mëngjes, mezi doli nga dhoma e saj e vajti në dhomën e ndënjies. E ëma ia nguli sytë dhe i tha: „Ç`të ka ndodhur xhan?“ Vajza ishte shumë e zbetë dhe jashtëzakonisht e tronditur. Ishte kaq e kapitur, saqë nuk arrinte të fliste. Pastaj, avash-avash, filloi t’i tregojë së ëmës. Prindërit i thanë të mos e bënte kurrë më një gjë të tillë. Pas një ore, burri për të cilin ishte lutur vajza, doli nga dhoma e tij, i lumtur dhe i qetë, dhe u tregoi se atë natë Perëndia e kishte çliruar. Krizat e natës nuk iu kthyen më. Zoti iu përgjigj lutjes që kishte bërë vajza me gjithë shpirt dhe e çliroi burrin. Vajza vetë nuk pati pasoja dhe e mori veten shpejt pas kësaj ngjarjeje.

Krishti thyen robërinë
Ngre shpirtin e rëzuar
Nga vdekja sjell lirinë
Për zemrën e dërmuar

Një mësues besimtar që punonte bashkë me Johannes Seitz, më tregonte për disa përvoja të tij. Ato janë dëshmi kaq të mrekullueshme, saqë është e pamundur botimi i tyre të mos i shërbejë lavdisë së Perëndisë. Historitë mund t’i konfirmojnë sot edhe shumë puntorë të Ungjillit të Krishtit dhe po i përsëris këtu pa asnjë tepërim.

I/166. Personi që përmënda më lart filloi punën si mësues në një zonë të pasur bujqësore. Fshatarëve të zonës, të vetëkënaqur me mbarëvajtjen e gjendjes dhe begatinë, nuk u shkonte mendja se kishin nevojë për një Shpëtimtar, prandaj edhe miku im vente shtëpi më shtëpi dhe përhapte letërsi kristiane. Meqë fshatarët nuk venin në kishë, ai përpiqej t’ua çonte kishën në shtëpi. Një herë, tek po shpërndante materialin kristian derë më derë, në një shtëpi, njëri e pyeti nëse besonte mesazhin e atyre që shpërndante. „Sigurisht që po“, u përgjigj ai, „ndryshe nuk do t’i shpërndaja“. „Ke vërtet besim që janë të vërteta ato që thuhen në to, apo mos janë vetëm një zhargon fetar?“ vazhdoi fshatari. Mësuesi iu përgjigj: „Këto libra i kanë shkruar besimtarë të bindur. Mund të keni besim të plotë.“ „Ah, këtë desha të dinja“ tha fshatari. „E mbani mend broshurën e së shtunës së kaluar?“ vazhdoi ai. „Flitej për dikë që u shërua nëpërmjet besimit. Është e mundur që Jezui yt të shpëtojë dhe gruan time?“ „Jam i bindur se mrekullitë ndodhin edhe sot; ndryshe Jezu Krishti nuk do të ishte i njëjti dje, sot dhe gjithmonë“ u përgjigj mësuesi. „Po e besoj fjalën tënde“, tha fshatari. „Eja e shihe gruan time. Doktorët s’kanë se ç’t’i bëjnë.“ „Çfarë ka gruaja?“ pyeti mësuesi. „Është diçka me nervat, mbase edhe më keq.“ u përgjigj burri. „Ky Jezui tënd shëron edhe gjëra të tilla?“ „Jezui mund të shërojë gjithçka“ u përgjigj mësuesi, „edhe gjëra që njeriu nuk i arrin“.

Fshatari i priu mësuesit, po jo në shtëpi, siç mund të mendohej, po në stallë. Si mori një shkallë, u ngjit në pjesën nën çati. Mësuesi, i çuditur, e ndiqte pas. „Dhoma e saj është atje në fund“, tha fshatari. Arritën te një derë e siguruar mirë. Fshatari hapi drynin, hoqi dhe shufrën e hekurit që kishte porta nga pas dhe e futi mësuesin brënda. Atmosfera qe shumë e rëndë dhe e neveritshme për mësuesin. Muret ishin gjithë gishta gjaku dhe  nevoje, dritaret ishin të mbyllura dhe, e vetmja mobilje, ishte një krevat i çregullt në fund të dhomës. Mësuesi tani nuk tërhiqej dot edhe të donte, se fshatari kishte qëndruar te dera duke e zënë me trupin e tij. Mësuesi ndjeu sikur po sulmohej nga një forcë e keqe. Filloi menjëherë të lutej. „Zot më mbulo me gjakun tënd. Më mbro nga kjo fuqi e Satanait dhe më qëndro pranë. Nuk e di se si është puna këtu, po e di se ti mund të mposhtësh çdo gjë.“ Pastaj lëvizi batanija dhe u shfaq një fytyrë e zbetë dhe e tmerrshme. Ishte një grua dhe për disa çaste ia nguli sytë vizitorit. Pastaj kërceu nga krevati, u mblodh kuspull dhe filloi të bëjë sikur të ishte një kafshë. Mësuesi nuk lëvizi, po vazhdoi të lutet. Gruaja iu hodh atij sikur të donte t’i nxirrte sytë. Pastaj, si qe ndonja 30 cm larg, asaj i ranë duart poshtë dhe vajti e u mblodh përsëri në krevat. U përpoq përsëri të kërcejë nga krevati, po përsëri u kthye mbrapsht. Kjo u përsërit disa herë. Ajo kërcente nga krevati, përpiqej t’i hidhej mësuesit dhe bënte një rreth reth tij si një kafshë e egër kur do të kapë gjahun. Po në çdo rast, kur afrohej deri afro 30 cm, tërhiqej përsëri dhe futej në krevat. Pastaj u inatos dhe filloi të shajë Krishtin me fjalë të rënda, kaq sa edhe i shoqi u shqetësua. Çorri rrobat dhe zbuloi trupin lakuriq që ta shihte mësuesi. Mësuesi vazhdonte të lutej. Kuptoi se gruaja nuk ishte e sëmurë psiqike, po e pushtuar nga demoni. Ai vetë nuk kishte shumë përvojë me këto gjëra. Këtu ishte vënë përballë një rasti që nuk e kishte ndeshur kurrë më parë personalisht. Iu lut Zotit që ta qetësonte gruan e që ajo të shtrihej në krevat e qetë. Dhe vërtet kështu ndodhi. Po pas disa minutash, ajo u ngrit përsëri dhe filloi t’i përsërisë sulmet. Lufta filloi për herë të dytë. Më së fundi, mësuesi pati kurajon të thërrasë me zë të lartë „Jezui është fitimtar“. Menjëherë gruaja u kthye në krevat e qëndroi atje e qetë. Ndeshja dukej të kishte përfunduar.

Fshatari e këshilloi vizitorin të largohej. „Nuk është sjellë kurrë kështu më parë“, tha ai. „Këtë s’e kisha pritur. Mendoni se mund të shërohet?“ Mësuesi, akoma i rraskapitur nga ndeshja, u përgjigj: „Po, Krishti mund ta shërojë gruan tënde. Mjekët nuk janë në gjendje, po në rast se ia dorëzon jetën tënde Krishtit dhe lutesh për gruan tënde, do të shërohet“. „Nuk mund të lutem“ u përgjigj ai. „Atëhere fillo sot“, i tha mësuesi. „Lutu për mua“, tha fshatari. „Nuk e besoj dot që mund të bëhet mirë. Kam marrë letra nga disa psikiatër që më thonë se është i pashërueshëm ky rast. Edhe në klinikën psikiatrike ajo sillej sikur të ishte kafshë. Shkulte flokët, çirrte rrobat dhe vraponte lakuriq. U hidhte nevojën atyre që i shërbenin dhe, po kështu, bën edhe këtu. Si mund ta ndihmosh një njeri të tillë?“ Mësuesi iu përgjigj: „Pse të mos jetë Zoti në gjendje të shërojë një rast si ky? Gruaja jote nuk është e sëmurë, po e pushtuar nga demoni, dhe doktori nuk i zbon dot demonët. Kjo arrihet vetëm me lutje dhe agjërim.“ „Po si mund të arrijë njeriu deri këtu?“ pyeti fshatari. „Kjo është rezultat i magjisë, ose praktikave supersticioze, fallit, ose shërimit me magji“ shjegoi mësuesi. „Në rastin e gruas tënde, pata përshtypjen se është një rast spiritualizmi, të ngriturit e objekteve, kontakte me të vdekurit e të tjera si këto.“ „Ndoshta“, tha fshatari. „Gruaja ime merrej me gjëra të tilla.“ Mësuesi e pyeti: „E kupton se ky është një mëkat i madh?“ „Po“, u përgjigj fshatari. „Mirë, atëhere do të lutem për ju të dy.“ „Po ime shoqe është komplet e marrë! Mjekët më kanë thënë se nuk shërohet dhe ju më thoni se do të bëhet mirë. S’e marr dot me mend që Perëndia yt të jetë në gjendje të bëjë një gjë të tillë.“ Ndërkaq kishin arritur deri tek dera e jashtme e oborrit dhe mësuesi iku.

Të djelën e ardhshme ai vazhdoi të shpërndante shtëpi më shtëpi fletushkat e tij. Si iu afrua shtëpisë ku ishte gruaja e pushtuar nga demoni, i erdhi t’ua mbathte këmbëve, po fshatari e pa dhe e thirri: „Ejani t’iu tregoj diçka.“ Mësuesi tha me vete: „Bo, bo, do vemi prapë nën çatinë e stallës.“ Po u gabua, se fshatari e futi në guzhinë. Atje, e shoqja po gatuante drekën. Ajo nuk e njohu. Edhe mësuesi nuk foli për sëmundjen e saj. Po zemra iu mbush me falënderim për Zotin që i ishte zbuluar kësaj gruaje në gjendjen e saj të mjeruar.

Në dhomën e ndenjies fshatari i tregoi mësuesit se si kishin rrjedhur ngjarjet. Atë të hënë, si zakonisht, i kishte çuar të shoqes mëngjesin në dhomën ku e mbante. Po për herë të parë pas kaq vitesh, e gjeti që rrinte e qetë në krevat dhe fliste me llogjikë. Ajo i i foli shumë qetë e qartë dhe iu lut t’i jepte ca rroba të tjera për të veshur. Ai e kishte marrë rrezikun në sy dhe e kishte lejuar të vinte poshtë në shtëpi. E para gjë që kishte bërë gruaja, kishte pastruar e rregulluar veten, pastaj kishte filluar me rregullimin e pastrimin e shtëpisë. Që nga ajo ditë, kishte bërë rregullisht punët e shtëpisë e kishte gatuar. Fshatari kishte pritur nga dita në ditë që të fillonte prapë nga marritë, po deri tani gruaja kishte qënë fare në rregull.

Pas një jave, fshatari po e priste mësuesin te kangjellat. E ftoi përsëri të futet brenda. Hynë në shtëpi dhe gjetën gruan që qe ulur në piano. Ajo i kishe rënë shumë bukur pianos dikur dhe tani mund të luante përsëri. Fshatari tha sa ajo kishte vajtur edhe të bënte pazarin dhe vazhdonte të kujdesej shumë mirë për shtëpinë. Tri javë pas këtij çlirimi, gruaja vajti tek prindërit e saj në Thüringen. Gëzimi qe i madh. Kështu shërimi i saj u konsolidua dhe sheqtësimet e saj u zhdukën krejtësisht. Një herë, mësuesi guxoi ta pyesi shkarazi për sëmundjen e saj. Ajo i tha se s’kishte kujtime të qarta, po se mbante mënd një herë që e kishin vizituar dy burra. Njëri kishte qënë i zi dhe tjetri i bardhë. Burri i bardhë kishte thirrur: „Jezui është fitimtar“ dhe pas kësaj ajo ishte shëruar. Mësuesin vetë nuk e mbante mënd. Ai nuk foli më, po brenda zemrës së vet lëvdoi Zotin Krisht. Gruaja vazhdon të jetë mirë me shëndet prej disa vjetësh tashmë dhe kështu Krishti ruan fitoren mbi fuqitë e Djallit.
Shëmbulli më poshtë, të cilin ma ka treguar vetë mësuesi, tregon akoma më qartë forcat satanike të intrigave okulte, ndonëse fitorja e Krishtit është këtu e dyfishtë. Historinë po e tregoj në gojën e vetë mësuesit.

I/167. Kisha një mik që lexonte e s’kish të ngopur. Çdo para që kishte, e shpenzonte për libra. Tema kryesore që e interesonte ishte okultizmi dhe prandaj blente edhe gjithë librat që gjente mbi këtë temë. Lexonte vonë natën. Njohuritë që merrte në këtë mënyrë nga „përtej“ dhe mënçuria e „profetëve“ që lexonte, kishin për të një forcë të madhe tërheqëse. Filloi të bëjë disa nga ushtrimet që rekomandoheshin në këto libra dhe të hante ushqimet që rekomandonin, me qëllim që „t’i pastrohej gjaku“ dhe të arrinte shkallën e „një qënieje më të lartë“. Shpresonte të merrte zbulime apokaliptike nga jeta e frymëve. Një kohë, punët venin mirë. Papritur, u hap fjala në qytet se ishte çmendur. I kishte hypur një krizë dhe kishte filluar të thyente gjithë gjërat rreth e rrotull dhe t’i kërcënohej gjithkujt që kërkonte t’i afrohej. E futën në një dhomë izolimi në një klinikë psikiatrike. Përpëlitej e përplasej  mureve si kafshë e egër. Ulërimat e tij dëgjoheshin në gjithë ndërtesën. Së fundi, i veshën një këmishë force që të mos iu hidhej njerëzve që i afroheshin. Po megjithë përpëlitjet, mëndjen e kishte të kthjellët. Kuptonte në çdo moment se ku ishte e çfarë bënte, kujt i fliste e kush i fliste. Po nga brenda tij, filluan të dalin zëra të tmerrshme. Ato i jepnin urdhëra të blasfemonte emrin e Krishtit dhe, kur ai rrefuzonte, ato e torturonin në mënyrë të tmerrshme. S’kishte asnjë dyshim se kishte rënë pre e fuqive të errësirës dhe e kishin pushtuar fuqitë e së keqes.

Prindërit e burrit ishin kristianë dhe i treguan pastorit të tyre për hallin që i kishte gjetur. U ngrit një grup lutjeje që të lutej vazhdimisht për të. Po një kohë, megjithë lutjet intensive, gjëndja e burrit vetëm keqësohej. Zërat e urdhëronin gjithnjë e më egër të shante emrin e Krishtit. Po së fundi, Zoti i dëgjoi lutjet e bijëve të tij dhe, pas disa ditësh, qe e mundur që ai të linte dhomën e izolimit dhe të vente në shtëpi.
Pas kësaj, i ndodhi një fatkeqësi tjetër. Pa pritur e pa kujtuar, u qorrua. Përsëri grupi i lutjes filloi të lutet për të, dhe lutjet u dëgjuan përsëri. I erdhën prapë sytë, po demonët nuk kishin hequr dorë nga viktima e tyre. Pas ca kohësh, bënë një goditje të re. U zgjua një mëngjes dhe pa se lëkura e tij kishte plagë të leprës dhe fllucka me qelb që e mbulonin nga koka në këmbë. E çuan prapë në spital. Trupi i gjithë i lëshonte një erë të qelbur. Besimtarët u lutën prapë për të dhe përsëri, për herë të tretë, Perëndia u përgjigj. U shërua dhe u kthye në shtëpi. Po demonët nuk donin ta pranonin humbjen. Pas ca kohësh, burri zbuloi në trupin e tij shenja të një sëmundjeje veneriane. Për herë të katërt, e shtruan në spital. Mjekët kujtuan se kishin zbuluar shkakun e sëmundjeve të mëparshme tek ai. U bënë gati ta operonin, po burri protestonte dhe thoshte se s’kishte bërë asgjë që të mund të kish ngjitur një sëmundje të tillë. U lut ai vetë, edhe grupi i besimtarëve që luteshin për të. Gjëndja e tij u përmirësua gjatë natës, kështu që edhe operacioni u anullua. Simptomat e sëmundjes veneriane u zhdukën po aq në mënyrë të menjëhershme, siç ishin shfaqur.

Tjetër gjë i ndodhi, diçka pothuaj e pabesuar. Iu spërdrodhën duart e këmbët kaq keq, sa nuk ishte në gjendje të ecte. Zvarritej me paterica. Besimtarët kuptuan se këto forma ekstreme sëmundjesh ishin pasoja demoniake. Ata i folën qartë personit për këtë dhe e pyetën nëse qe marrë me okultizëm. Meqë ai kishte pasur një jetë korrekte deri atëhere, atij nuk i vajti në mend se kishte diçka të veçantë për të rrëfyer. Pas kësaj, besimtarët zbuluan se sa libra mbi okultizmin ndodheshin në shtëpinë e tij. Biblioteka, që zinte pothuaj gjithë muret e dhomës, ishte plot me libra të tillë. Drejtuesi i grupit të lutjes u tmerrua duke parë gjithë këtë literaturë magjike e spiritiste. Ata i thanë se duhej të shkëputej krejtësisht nga këto libra. Po burrit nuk i pëlqeu kjo, se kishte shpenzuar shumë në to. Për ca kohë ai debatoi me ta, po, së fundi, ata i thanë: „Ose do të heqësh dorë nga këto libra, ose do të mbetesh objekt i sulmeve demoniake.“ Burri u dorëzua. I dogji të gjitha librat. U deshën disa orë për të djegur gjithë librat dhe, gjatë kohës që librat digjeshin, ai ankohej për vlerat që po humbiste. Kur po i afroheshin fundit, burri mori një libër të Jacob Lorber-it, të lidhur bukur, me kapak lëkure dhe briti : „Këtë jo, këtë e dua!“ Të tjerët s’dinin se ç’të bënin. I shpjeguan se nuk do të çlirohej kurrë, po të mos i zhdukte gjithë këta libra. Kështu që e hodhën edhe atë libër në zjarr. Pas kësaj, gjendja e burrit filloi të përmirësohet çdo ditë. Vuajtjet e kaluara nuk u përsëritën më. Pas disa javësh, i këshilluar nga besimtarë, vajti të pushojë ca kohë në një shtëpi pushimi kristiane. Atje kuptoi se Krishti ishte shpëtimtari i tij dhe provoi një transformim rrënjësor të jetës së tij. Deformimi i duarve dhe i këmbëve, që ishte përmirësuar disi që kur ishin djegur librat, tani u zhduk fare. Më vonë, i çliruar në trup e në shpirt, gjeti punë si disenjator teknik në një firmë të madhe. Ai bëri një martesë shumë të mirë e jetoi i lumtur dhe, me hirin e Zotit, ndoqi me besnikëri Krishtin duke sjellë bekime edhe në jetën e njerëzve të tjerë.

Katër shembujt e fundit na i jep një evangelist i njohur, të cilin e njoh personalisht dhe pati mirësinë të më lejojë t’i botoj këta shembuj në këtë libër.

I/168. Më 1956, erdhi të më takojë një çift i ri. Ishin katolikë dhe më treguan se, shtëpia ku banonin, kishte fantazma. I kishin kërkuar priftit ndihmë, po ai s’kishte dëgjuar kurrë një gjë të tillë dhe s’ishte në gjendje t’i ndihmonte.
Burri, i fortë fizikisht e konstruktor me zanat, më tregoi këtë histori: Në një orë të caktuar të natës, papritur, hapej dera e shtëpisë së tyre, pa çka se e kishin mbyllur me lloz, dhe dëgjonin hapa që vinin nga dhoma e fëmijëve e pastaj nëpër dhomën e gjumit që ishte ngjitur. Pastaj dikush ngjitej deri në krevatin e tij dhe shtrihej mbi trupin e tij. Edhe pse ai përpiqej të mbrohej me gjithë fuqitë duke goditur me shkelma e  grushta, nuk sillte asnjë dobi. Burri u ankua se nuk vazhdonte dot më kështu, gjithë ditën punë e gjithë natën këto sulme; ishte rraskapitur fare. Gruaja i konfirmoi se, edhe ajo, ishte e pranishme kur ndodhnin të gjitha këto, ndonëse, ajo vetë, mbetej e paprekur dhe, me sa dukej,  këto sulme synon vetëm të shoqin. Më treguan se kishin ndruar edhe shtëpi, po s’ishin sistemuar mirë në shtëpinë e re, kur kishin filluar sulmet përsëri. Ishte dëgjuar zëri i një gruaje që kishte thirrur mbi krevatin e të shoqit: „E sheh, të gjeta përsëri!“
Siç zbulova më pas, ishte një rast që kishte të bënte me pasoja të mëkatit të magjisë. E ëma e burrit, e cila tani kishte vdekur, ishte marrë me hedhje falli e të tjera gjëra të kësaj natyre. Si ia shpjegova çiftit këto, i inkurajova të pendohen dhe të kthehen te Krishti. I ftova gjithashtu të vinin në takimet evangjeliste në të cilat flisnja çdo ditë. Pasi u lutën e thirrën emrin e Jezu Krishtit duke kërkuar shpëtimin nëpërmjet gjakut të tij, u çliruan që të dy nga kjo e keqe.

Duhet thënë se, sulmet që provonte burri natën, nuk ishin halucinacione seksuale. Ai gëzonte shëndet të plotë mendor dhe trupor. Ishte një problem i ngjashëm me ata që ndeshim në zona që po ungjillizohen. Njerëz të ngarkuar me okultizëm shpesh tundohen e torturohen nga demonët. Një shembull i ngjashëm me këtë që treguam, është i ashtuquajturi „pushtim nga dhelpra“ që ndodh në Kinë. Këtë e shpjegojmë në paragrafin „Incubi and Succubae“ në librin Seelsorge und Okkultismus (Këshillimi pastoral dhe okultizmi). Këshillimi pastoral tregon se trajtimi psikiatrik, në këto raste, nuk ka dobi. Vetëm Krishti ka forcën dhe fuqinë të mposhtë fuqinë e errët të Satanait. Kryqi i Golgothasë është pishtari i fitores kundër sulmeve të errëta të Djallit. Këtë e tregoi edhe shembulli i familjes katolike që gjetën çlirimin, kur u kapën pas fitores së Krishtit.

I/169. Në Korrik 1945 erdhi të më takojë një grua, e cila ishte në hall të madh. Më tregoi se në ç’mënyrë të çuditshme i kishte humbur të dy vajzat. Kur vajza e madhe kishte qënë 6 javëshe, kishte filluar të kishte kriza të qarash deri sa vajti 18 javëshe. Doktorët nuk gjenin shkak dhe s’ishin në gjendje të ndihmonin. Pastaj gruaja kishte vajtur te një magjistar shërues dhe, pas kësaj, gjendja e fëmijës kishte ndryshuar disi. Po, ndërkaq, filluan të ndodhin disa gjëra të çuditshme. Një natë, ndërsa fëmija flinte pranë saj dhe ajo zgjati dorën për ta përkëdhelur në kokë, ndjeu sikur po prekte lëkurën me qime të një kafshe. Hapi dritën, po nuk pa gjë. Në atë kohë fëmija kishte qënë tre vjeç e gjysëm. Fëmija kishte pasur edhe shumë besim te Zoti dhe, disa ditë përpara se të vdiste, i kishte thënë së ëmës: „Mama lexomë nga Bibla.“ Më 14 Tetor 1941, rreth orës 10 të mëngjesit, një zog erdhi e filloi të këndojë jashtë dritares. Pas kësaj, fëmija vdiq.
Më 1942 gruaja mbeti prapë shtatzënë. Në këtë kohë erdhi një grua në shtëpi të saj, e cila i hodhi letrat, dhe i tha se do të bënte vajzë. Pas kësaj, gruaja pa një ëndërr të tmerrshme. Në ëndërr e kapi një grua e frikshme, e cila i tha :“Do të bësh vajzë, po unë prapë do të ta vras.“ Pas kësaj, lindi. Lindi vërtet një vajzë. Në moshën gjashtë javëshe, vajza pothuaj u mbyt. Nëna prapë vajti te magjistari shërues. Në 18 Tetor 1944, po i njëjti zog filloi të këndojë jashtë dritares. Fëmijës iu mor fryma në krahët e nënës dhe vdiq. Ishte 15 muajsh. Doktorët që e ekzaminuan pas vdekjes, nuk mund të konstatonin asnjë shkak.

Gruaja tani kishte një fëmijë tjetër, një djalë 14 vjeçar. Sipas fallit që i kishin hedhur, i kishin parashikuar se edhe këtë fëmijë do ta humbiste. Kjo frikë, se do ta humbiste edhe atë, e kishte shtyrë të vinte e të më takonte në Strasburg. Ajo më tha: „Tek isha jashtë derës suaj, dëgjova një zë që më thoshte: „Ç’kërkon ti këtu? Ti je grua besimtare. Je pagëzuar e konfirmuar dhe vete çdo të djelë në kishë. Ç`mund të bësh tjetër?“ Megjithatë nuk hoqa dorë, po hyra brënda. Do të më ndihmoni tani që erdha tek ju?“ Pas një bisede të shkurtër, e inkurajova gruan të pendohej dhe të ndryshonte mënyrën e saj të mëparshme të jetës. Ajo rrëfeu mëkatet e saj dhe ia dorëzoi jetën e saj Zotit. Si u lutëm bashkë, ajo tha se ndjente sikur t’i kishte rënë një barrë e madhe nga supet. I thashë në emrin e Jezuit se i ishin falur fajet dhe shtova: „Beso dhe djali yt do të rrojë! Djalli nuk ka fuqi të ta marrë“. Ajo u kthye e gëzuar në shtëpi. Edhe ne të lëvdojmë emrin e Zotit për hirin dhe fitoren e tij.

Që nga koha që përmenda, djali i gruas është rritur, ka besuar tek Krishti dhe është bërë mësues. Ai është aktiv, duke nxitur njerëzit të venë në kishë dhe mbledhje ungjillizuese, duke ndihmuar në takime me qëllim spiritual dhe ka sjellë bekime për shumë njerëz që jetojnë në zonën e tij. Më 1946 e ëma lindi edhe një fëmijë të katërt, që i ka sjellë shumë gëzim familjes. Shqetësimet janë zhdukur që nga koha kur gruaja ia dorëzoi jetën e saj Krishtit.

Lidhur me shëmbullin që treguam më lart, ka një divergjencë opinionesh midis mjekëve dhe teologëve. Në përgjithësi, mjekët e konsiderojnë një fenomen të tillë rezultat të një sëmundjeje fizike dhe do ta shpjegonin atë si një ngjarje të mbështetur plotësisht në ligjet natyrore. Edhe shumë teologë, si ata të shkollës së Bultmann-it, do të bashkoheshin me këtë shpjegim. Ata  i shikojnë histori të tilla të ngjashme në Dhjatën e Re si produkt të asaj epoke, pa kuptuar se po ato forca demoniake veprojnë edhe sot tek njerëzit. Unë personalisht nuk pajtohem me ta. Po të konsultosh njerëz të ngarkuar rëndë me okultizëm, do të konfrontohesh me një situatë tjetër. Shumë gjëndje të pacientëve nuk mund të shpjegohen mbi një bazë thjeshtë mjekësore, as nuk mund t’u vësh pikë me një arsyetim teologjik racionalist. Përgjigjja gjendet vetëm nëpërmjet Krishtit. Në shembullin e gruas që përmenda, ka një lidhje të caktuar midis mëkatit të magjisë dhe pasojave demoniake. Edhe gruaja vetë në fëmijëri ishte kuruar nga një shëronjës magjistar. Në moshën 18 vjeçare kishte qënë te një fallxhor, që i kishte parashikuar se do të sëmurej nga një sëmundje e rëndë. Katër vjet pas këtij falli, kishte vuajtur nga tuberkulozi i mushkërive. Doli gjithashtu në dritë gjatë bisedimeve këshilluese se edhe nëna e gruas ishte ngatërruar me magji, madje mjaft aktivisht. Përveç kësaj, edhe gjithë familja jetonte në një zonë që ishte e njohur për praktikën e magjisë së zezë. Disa kohë pas seancave këshilluese me gruan, pata rastin të zhvilloj disa takime misionare në atë vend. Ndonëse parashikohej një rezistencë e madhe nga ana e banorëve, Zoti dhuroi  atje një përtëritje. Shumë familje besuan. Madje edhe anëtarët e familjes në fjalë erdhën në besim. U zbuluan edhe shumë raste të tjera magjie. Edhe një herë Krishti tregoi se ka fuqi mbi gjithë kurthet e të Ligut. Në atë fshat ekziston një kishë e vërtetë e Krishtit.

I/170. Më 1954, i bëra një vizitë një personi që jetonte në Strasburg. Ai më tregoi se vuante shumë dhe i kishte kërkuar ndihmë edhe priftit të kishës lokale, po ai nuk kishte qënë në gjendje ta ndihmonte, po e kishte rekomanduar të vinte tek unë. Kur më tregoi historinë e tij, kisha vetëm një përgjigje t’i jepja: „Vetëm Jezu Krishti mund të të ndihmojë!“

Personi kishte qënë për disa kohë në një psikiatri dhe jetonte me frikën se mund të kthehej prapë atje. Edhe i vëllai kishte qënë për disa vite me radhë në një psikiatri. Siç arrita të kuptoj shpejt, ai ishte ngatërruar në gjithë llojet e magjisë. Kur kishte qënë i vogël, prindërit e tij kishin bërë magjira në shtëpi dhe, më pas, ai kishte qënë nëpër fallxhorë. Së fundi, kur kishte qënë i sëmurë, kishte qënë tek një dishepull i një Krishti të remë, George Roux of Montfavet. Ky i fundit i kishte kërkuar tri copa të vogëla nga të brendshmet, të cilat i kishte zhytur pastaj në një lloj uji të shenjtë dhe i kishte vendosur mbi tri pika të trupit të të sëmurit. Pastaj qe lutur për të duke i vënë edhe duart mbi kokë. Që pas kësaj, gjendja e tij ishte keqësuar shumë. Natën, kur vente në krevat për të fjetur, kishte një ndjesi sikur dikush zvarritej në krevatin e tij deri në jastëk, madje kjo ndjenjë i mbetej edhe kur ndërronte krevat. Një herë që ishte tek unë, e pyeta si pa dashur a mbante gjë të varur në qafë. „Po“, m’u përgjigj dhe më tregoi dy hajmali që vareshin atje. Njërën e kishte nga një person, i cili bashkëpunonte me një medium. Në të qe mbështjellë një letër me disa shenja të mistershme, me disa kryqe dhe proverba. Kjo letër ishte qepur në një copë stofë. Hajmalia e dytë përmbante një monedhë bakri, një copë dyllë sa një thua, edhe këto të qepura në një copë stofë. Këtë të dytin e kishte marrë në një manastir ku kishte vajtur të kërkonte ndihmë. Ia kishin dhënë pas një ceremonie konsakrimi dhe i kishin thënë ta mbante në gji. Përveç kësaj, i kishin dhënë edhe dyll të shënjtëruar, të cilin, siç i thanë, duhej ta treste e ta pinte në kafe.
Ia mora dy hajmalitë dhe i dogja përpara syve të tij në sobën e kuzhinës. Ai më pyeti me seriozitet dhe me ankth se ç’fatkeqësi të tjera e prisnin tani pas kësaj. Si i shpjegova disa gjëra themelore, e inkurajova seriozisht të pendohej e ta pastronte jetën e tij përpara Zotit dhe përpara njerëzve. Më tha se ishte gati t’ia jepte jetën e tij Zotit. Pastaj më rrëfeu mëkatet e tij, dhe kjo nxori në dritë disa gjëra shumë të rënda e të pështira. Gjatë një periudhe prej disa muajsh, ai vinte vazhdimisht tek unë duke më rrëfyer mëkate të reja që i vinin në mendje. Iu desh gjithashtu të kthente edhe shumë objekte që i kishte vjedhur. Pasuan edhe shumë sulme të tjera demoniake, po së fundi ai gjeti paqen me Perëndinë. Sot është aktiv në kishën në të cilën është anëtar.

Si pasojë e magjisë, ky njeri kishte provuar gjëra të tmerrshme në jetën e tij. Po aty ku influenca e Djallit është bërë sa një mal, hiri i Perëndisë ngrihet edhe më lart. Rreth kryqit të Golgothasë ekziston një fushë e tillë force që sjell çlirim e gëzim për gjithë ata që janë lidhur nga prangat e mëkatit, të cilët hyjnë në të.

I/171. Më 1956, më kërkuan të këshilloja një vejushë e cila kishte mbetur fare vetëm në botë. Kur erdhi herën e parë tek unë, ajo më tregoi këtë histori. I shoqi kishte punuar në hekurudhë dhe kishte vdekur një vit më parë. Që atëhere, e vetmja mbështetje e saj kishte qënë e bija 39 vjeçare. E bija kishte qënë një vajzë e talentuar, po kishte filluar papritur e pakujtuar të sillej në mënyrë të çuditshme. Së fundi e kishte kapur policia në një varrezë duke u përpjekur të nxirrte kockat e të vëllait më të vogël, i cili kishte vdekur disa vjet më parë. Në dorë mbante një kockë njeriu, të cilën, vetëm kur e kishin çuar në spital, kishin mundur t’ia hiqnin nga dora. Kur vajza ishte në spital, nëna vuri re se, një nga dhomat e shtëpisë, ishte  e mbyllur dhe çelësi s’ishte aty. Ia gjetën më vonë vajzës në spital.
Kur nëna hapi derën e dhomës, gjeti atje shumë libra magjie. Kuptoi atëhere se, si i shoqi, ashtu edhe vajza, i kishin përdorur këto libra për të praktikuar magjinë. Ajo vetë s’kishte ditur gjë dhe ishte kundër këtyre praktikave. Si u interesova edhe duke pyetur të afërm të tjerë të familjes, mësova se vajza, që në fëmijëri, ishte shëruar shpesh me mënyra magjike. Nëna i dogji menjëherë librat. Por, po atë natë, u zgjua e tmerruar nga zhurmë e të trokitura. Dëgjonte po ashtu hapa në dhomën e saj të gjumit të shoqëruara me goditje dhe të gërvishtura në mure dhe në mobilje. E tmerruar, thirri emrin e Perëndisë dhe përsëriti disa vargje të një hymni kristian. Zhurmat u qetësuan disi, po nuk u zhdukën, dhe, pas kësaj, vazhduan çdo natë.

Si i shpjegova çështjen e pendimit dhe besimit, gruaja shprehu gatishmërinë për t’i besuar Krishtit. E nxita t’ia besonte atij gjithçka dhe të thërriste emrin e Zotit kurdoherë ishte në hall. Pas kësaj, gjendja u përmirësua disi, po, pas disa kohësh, mora një letër, në të cilën thuhej se ajo nuk gjente asnjë qetësi. Vajta ta shikoj. Kur arrita në shtëpi, i urdhërova menjëherë frymët të largoheshin në emrin e Jezu Krishtit. Që pas kësaj, në shtëpi nuk kishte më shqetësim. Ishte një përmbushje fjalë për fjalë e asaj që thuhet tek Ungjilli i Markut 1:27: „Se me pushtet, edhe frymët që janë të papastra, i urdhëron dhe ato i binden.“ Lëvduar qoftë Zoti që edhe sot i çliron ata që janë lidhur.

IV. Çfarë thotë Dhjata e Re

Pas këtyre shëmbujve të çlirimit, po shikojmë shkurtimisht se çfarë thotë Dhjata e Re mbi këtë çështje. Tema nuk është trajtuar këtu e detajuar. Problemin e kam parë më thellë në veprat e mia më  përgjithësuese Seelsorge und Okkultismus (Këshillimi pastoral dhe okultizmi) dhe në fundin e kapitullit mbi spiritizmin në librin Christus oder Satan (Krishti apo Satanai).

1. Së pari duhet të jemi të kujdesshëm në diagnozën që bëjmë, përpara se të fillojmë të ndihmojmë një person, i cili mendojmë se është ngarkuar e ngatërruar në okultizëm. Një person i sëmurë mëndërisht, jo vetëm ka nevojë për inkurajimin e bisedës dhe këshillimit, po ka nevojë edhe për asistencë mjekësore. Një person i ngarkuar me okultizëm duhet të këshillohet vetëm nga një besimtar kristian që punon për Ungjillin, i cili mbështetet nga autoriteti i vetë Perëndisë. Mund të hiqet një vijë e qartë demarkacioni midis sëmundjes mendore dhe pushtimit okult. Psikiatrët dhe psikologët nuk mund ta kuptojnë këtë, sepse, për ta, të vetmet ligje valide janë ato fizike. Përjashtim bën këtu një psikiatër që nuk është kristian me emër, po është nxënës i vërtetë i Krishtit (Filipianëve 2:27; 1.Timotheut 5:23; 2.Timotheut 4:20).

2.
Vetëm Krishti mund ta çlirojë një person të pushtuar nga okultizmi. Një person që është ngarkuar me okultizëm dhe që nuk është i gatshëm t’i vejë pas Krishtit, nuk ka shpresë të gjejë çlirim (Kolosianëve 2:15; Efesianëve 6:16-17).

3. Një rrëfim i hapur i mëkatit nuk është i detyruar, po rekomandohet urgjentisht. Rrëfimi do të thotë që gjërat e fshehta, apo të mbuluara (Okult do të thotë e fshehur, sekrete) sillen në dritën e Perëndisë (Jakovi 5:16, Veprat e Apostujve 19:18).

4. Lutja e mohimit është përdorur në kishën e Krishtit në 2000 vjetët e fundit dhe luan një rol të rëndësishën në çlirimin. Ajo shpesh merr një formë të tillë :“ Në emrin e Jezu Krishtit e mohoj Satanain dhe rrugët e tij dhe ia përkushtoj veten time Jezu Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit tim, tani dhe në përjetësi“. Nëpërmjet një lutjeje të kësaj natyre, pakti i fshehtë me fuqitë e errësirës denoncohet në mënyrë të hapur e legale. Nuk duhet të harrojmë se, një lutje e tillë, nuk duhet të thuhet si një formë supersticioni, ose si një formulë magjike. Duhet të vijë nga zemra, si akt devocioni ndaj Zotit (Mattheu 6:7).

5. Kur urdhërohet në emrin e Krishtit, kjo nuk duhet bërë me nxitim e pa qartësi. Ndryshe, mund të krijohet tek personi i pushtuar një lloj sugjestionimi. Edhe të urdhërosh pa autoritetin spiritual, nuk ka asnjë dobi.(Vepra të apostujve 19:13-17; 16:18)

6. Dy forma të veçanta ndihme i gjejmë, së pari, tek lutja dhe agjërimi (Mattheu 17:21) dhe tek grupi i lutjes (Mattheu 18:19). Ka besimtarë kristianë, të cilët, pa e vënë në dukje, caktojnë ditë të veçanta për t’u lutur për nevoja të ndryshme, edhe duke agjëruar. Edhe grupi i lutjes është me shumë rëndësi. Edhe personi vetë që vuan mund të jetë në grup, i cili mund të përbëhet nga dy a tre persona që takohen me qëllimin e caktuar që të luten për të. Mirë është të takohen dy tri herë në javë, derisa personi i ngarkuar me okultizëm të çlirohet.

7. Kushdo që çlirohet duhet të jetë, pas kësaj, vigjilent. Forcat që janë nxjerrë jashtë një personi, kanë tendencë të futen përsëri në të, po të mos jetë ai vetë i kujdesshëm (Lluka 11:24). Është e nevojshme të veshim gjithë armaturën e Perëndisë (Efesianëve 6:16). Nëse një person  tundohet përsëri, duhet, nëpërmjet besimit, ta vërë veten nën mbrojtjen e gjakut të Krishtit (1.Petro 1:2).

Është gjithmonë mirë të kërkosh ndihmën e dikujt për një këshillë, por duhet theksuar se ky dikush duhet të jetë një person që ka një lloj eksperience në fushën e okultizmit. Ai që çlirohet e ka vendin në kishë, atje ku nderohet fjala e Perëndisë, ku bëhen lutje, e ku kujtohet Zoti në ndarjen e bukës (Vepra të Apostujve 2:42). Kalliri i grurit që e fryn era, mbështetet tek kallinjtë e tjerë që të mund të qëndrojë, se, po të qe vetëm, do të binte e merrte fund (Efesianëve 3:10).

Po një gjë duhet theksuar edhe një herë: Fitorja përfundimtare i takon Zotit. „E djathta e Zotit është ngritur lart, e djathta e Perëndisë vepron me fuqi“.

Kisha e Krishtit ecën mbi një urë që përshkon gjithë botën. Këmbët e urës janë, nga njëra anë kryqi i Golgothasë dhe mëngjesi i Pashkës, i ringjalljes, dhe nga ana tjetër, kthimi i sigurtë i Krishtit sëbashku me plotësimin e premtimeve të tij. Nën urë, një lumë i ndyrë fermenton e vjen erë. Po ndërsa ngrihen lart avujt e molepsur të lumit, kisha vazhdon rrugën e saj edhe mes kësaj reje të helmatisur të mashtrimit që kërkon të arrijë Satanai. Ekziston rreziku që, shpesh, vështrimi të errësohet nga kjo re e molepsur e avujve të ndyrë të lumit, që herë pas here kanë një efekt joshës. Shumë errësohen nga sytë, humbasin zellin e qëllimin e rrugës, dhe bien kokëposhtë në moçalin e fermentuar poshtë urës. Mbi këtë abis, janë shkruar fjalët:

„Dhe frikacakët, dhe ata që nuk besojnë, dhe të pëgërurit, dhe vrasësit, dhe imoralët, dhe magjistarët, dhe idhujtarët dhe gjithë gënjeshtarët e kanë vendin në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë“ (Apokalipsi 21:8).
Kisha shpesh është e paqartë dhe pyet. „Cila është e vërteta?“ dhe vazhdimisht kërcënohet nga avujt që ngrihen si spirale nga poshtë. Po ka gjithmonë nga ata që ecin vigjilentë mbi urë bashkë me ushtrinë e panumërt, që thërrasin e tregojnë tek Ai, i cili është i vetmi që mund të thotë: „Unë jam rruga, e vërteta, dhe jeta“. Këta janë ata që me vigjilencë dhe, në sajë të hirit të Perëndisë, po arrijnë qëllimin dhe kundrejt tyre vjen thirrja e fitores: „Dhe ata e mundën atë me gjakun e qingjit dhe me fjalën e dëshmisë së tyre“ (Apokalipsi 12:11).

Atij që mund të të mbajë që të mos biesh
e të nxjerr pa asnjë njollë e të sharë
përpara lavdisë së tij me gëzim,
të vetmit Perëndi,
Shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit,
Zotit tonë, i qoftë lavdia,
madhështia, sundimi,
autoriteti mbi gjithë kohët,
tani dhe në përjetësi,
Amen.

Kontakt:
info@horst-koch.de  –  www.horst-koch.de

image_pdfimage_print